Intervista/ Ardian Muhaj: Kosova nuk duhet kurrësesi të pranojë krijimin e Asociacionit. Skandali McGonigal, SHBA me hetimet po i bën nder shqiptarëve për të kuptuar kë kanë në qeverisje

0
Gjigandi

Nga Klara Dervishi

 

Sy e vesh janë drejtuar nga Brukseli këtë të hënë të 27 Shkurtit ku gjasat janë që Kurti dhe Vuçiç do të firmosin planin e ashtëquajtur Franko-Gjerman dhe për pasojë kryeministri Kurti të pranoj krijimin e Asociacionit. Por çfarë ndodh pas kësaj dhe sa e ndihmon kjo çështjen kosovare për të ecur drejt njohjes.

Abc24.al ka biseduar këtë herë me profesorin Ardian Muhaj i cili i bën apel shqiptarëve të hapin sytë e të mos e konsiderojnë Vuçiç si njeriun me të cilin mund të bëjnë miqësi apo më keq akoma të presin prej tij njohjen e Kosovës shtet.

Hetimin e skandalit me zyrtarin e lartë të FBI McGonigal dhe kryeministrit Rama Muhaj e quan me vlerë pasi atë që se bëjnë dot shqiptarët me votë, pra rrëzimin e Ramës, pritet ta bëj drejtësia amerikane.

RonaTyra
  1. Para së gjithash faleminderit që gjetët kohë për t´iu përgjigjur pyetjeve të mia zoti Muhaj. Dhe në gjithë këtë situatë ku flitet vetëm luftën Rusi- Ukrainë, në Ballkan por mesaduket edhe në kancelarinë europiane vijon të jetë i „zgjuar“ meraku se si dhe kur do arrihet një lloj „paqeje“  në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. A besoni se do arrihet kjo?

Faleminderit për ftesën. Pyetja juaj ka në vetvete edhe një pjesë të përgjigjes. Në fakt, ajo që na mundon ne në këtë rajon në përgjithësi dhe ne shqiptarët në veçanti është meraku i pakët dhe i vakët i kancelarive europiane për paqëtimin e rajonit tonë. Është ky anashkalim që lë hapësirë për destabilizim, për ngecje të proceseve paqëtuese dhe integruese. Paqja në marrëdhëniet Kosovë-Serbi padyshim që është e arritshme dhe krejtësisht e mundshme. Si shqiptarë e kemi dëshmuar aftësinë dhe dëshirën tonë për të jetuar në paqe me fqinjët, mirëpo paqja mes dy palëve nuk arrihet asnjëherë vetëm përmes vullnetit apo qëndrimit të njërës palë. Kërkohet vullnet dhe përpjekje e dyanshme, gjë e cila ka munguar dhe mungon tek pala tjetër, pra tek pala serbe. Serbia ka marrë haptazi qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve, në veçanti ndaj Kosovës dhe në këto kushte nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër, përveç se të përballemi me këtë armiqësi.

  1. Çfarë është kjo teori që po përdoret me Kosovën „mere ose lëre“? Them me Kosovën se kemi parë që është presidenti serb ai Aleksander Vuçiç që thotë që pas planit të nisë krijimi i Asosacionit pa vonesë? „Mere ose lëre“ është presion i hapur. Pse tani dhe pse e njëjta taktikë me Kosovën?

Kjo lidhet me atë që theksova më sipër. Vuçiç mundet ta thotë këtë dhe të tjera kërkesa realisht absurde përderisa ka arritur të na përçajë dhe copëzojë në qëndrimet tona. Nëse serbët flasin me një zë dhe paraqiten me një qëndrim, ne flasim dhe heshtim me zëra të llojllojtë dhe pa një qëndrim unik. Serbia shfrytëzon këtë përçarje, këtë moskoordinim, këtë mungesë uniteti, dhe pikërisht për këtë është Serbia që e ka nxitur, sponsorizuar dhe mbështetur përçarjen tonë. Kjo i lejon Serbisë të paraqesë pretendime absurde ndaj Kosovës, dhe këtë e bën jo mbi një bazë legjitime, por duke shfrytëzuar përçarjen tonë.

  1. Të hënën është takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel. A duhet ta firmosë Kosova planin Franko-gjerman?

Jo vetëm takimi i së hënës mes Kurtit dhe Vuçiçit, por edhe takimet e mëhershme janë thjesht koncesione që i bëhen Serbisë. Pavarësisht se çfarë diskutohet dhe çfarë arrihet vetëm fakti që Serbia ulet në tryezë bisedimesh me Kosovën përmes përfaqësuesve respektivë është lajkatim i Serbisë dhe përpjekje për të fshirë fajin e Serbisë në masakrimin dhe genocidin në Kosovë.

  1. Pse nuk përfshihet njohja dhe pse duket kaq e “gunjëzuar” Europa para Serbisë duke mos i kërkuar asaj si kusht të rëndësishëm njohjen e Kosovës”

Problemi është se ne me sa duket kemi krijuar pritshmëri të gabuara për Serbinë dhe vetë dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Nuk e detyrojmë Serbinë të pranojë diçka që e kundërshton përmes dialogut. Në këtë rast duket sikur po i lutemi që të na njohë. Ndërkaq nuk duhet harruar se vetë dialogu është nisur nga Serbia për të zhbërë pavarësinë e Kosovës. Në momentin që Kosova shpalli pavarësinë, Serbia përgatiti padinë në Gjykatën Ndërkombtare të Drejtësisë dhe kur kjo e dha verdiktin e saj në favor të pavarësisë së Kosovës, atëherë Serbia sponsorizoi negocimin apo dialogimin mbi këtë pavarësi. Prandaj, nga dialogu me Serbinë nuk arrihet njohja prej saj. Ne kemi harruar të lobojmë për njohjen e pavarësisë nga shtetet e tjera dhe këtu si duket kemi rënë në grackën e ngritur nga Beogradi. Përmes mashtrimit me dialogun, Beogradi ka arritur të na bëjë të besojmë se do e njohë pavarësinë, prandaj duhet të përqëndrohemi t’i mbushim mendjen Vuçiçit dhe të mos merremi me shtetet e tjera që me pak punë e lobim do na kishin njohur. Në këtë mënyrë Beogradi ia ka dalë të arrijë që me gurin e dialogut pa fund të vrasë dy zogj: të na bëjë të besojmë se mund ta kemi miqësinë e tij dhe njëkohësisht se nuk mund të kemi miqësinë e të tjerëve pa pasur miratimin ose miqësimin me Beogradin. Për mua ky është një dështim i diplomacisë dhe politikës sonë. Nuk mund të mbyllim kanalet e komunikimit me miqtë pse mendojmë të bindim armikun të na bëhet mik.

  1. Dhe gjithë çelësi ose ajo që e ka bllokuar këtë është pika për krijimin e Asociacionit. A duhet dhe si mund të krijohet Asociacioni?

Nuk duhet kurrsesi të krijohet Asosciacioni. Nëse Serbia po e kërcënon Kosovën, po e bllokon, po përpiqet ta izolojë pa pasur Asosiacionin, aq më shumë do ta kërcënojë përmes tij.

  1. A është një zgjidhje e mirë këshilla se Kosova duhet të pranojë asosiacionin e komunave serbe pa atribute të një pushteti ekzekutiv. Do ishte kjo e pranueshme nga Kosova?

Nuk ka asnjë arsye të krijohet asosiacioni. E vetmja arsye dhe justifikim është rikthimi i Serbisë në Kosovë përmes defunksionalizimit të shtetit të Kosovës. Asosiacioni është shkurt e qartë një koncesion që i bëhet Serbisë që të jetë e pranishme në Kosovë. Edhe nëse krijohet asosiacioni pa atribute të pushtetit ekzektutiv, serbët menjëherë do të kërkojnë avancimin e statusit të asosiacionit me cilësi ekzekutive. Pasi ta arrijnë këtë nuk do të ngopen dhe do të kërkojnë shkëputje nga Kosova. Pas shkëputjes prapë nuk do të ndalen dhe do të kërkojnë rikthimin e Serbise në Kosovë me pretekste po aq absurde sa edhe kjo e asosiacionit. Kërkesat absurde nuk ndalen duke i përmbushur, por duke i refuzuar.

  1. 15 vite shtet. A ka ecur Kosova në rrugën e duhur dhe çfarë e ka penguar atë më shumë sesa Serbia?

15 vite shtet Kosova ka ecur padyshim në rrugën e duhur, por jo mjaftueshëm. Serbia është dëmi, pengesa, armiku dhe agresori më i madh ndaj Kosovës. Kjo duhet të bëhet e qartë.

  1. Të vijmë pak te situata në Shqipëri ku së fundmi në një skandal në radhët e FBI-së amerikae në hetime është përmendur shumë herë edhe kryeministri shqiptar. Si e shihni këët skandal?

Skandali është thjesht një hallkë e zinxhirit të skandaleve të kësaj qeverie të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Ndryshimi i vetëm është se në këtë rast skandali ka dalë jashtë suazës së shoqërisë shqiptare dhe po bën jehonë në mediat e SHBA-së dhe Europës. Ky është një zhvillim i ri, që padyshim e gërryen pozitën e kryeministrit dhe qeverisë që kryeson në sferën e miqve të huaj të Shqipërisë. Të paktën në këtë aspekt, në aspektin e mbështetjes ndërkombtare të kryeministrit asgjë nuk do jetë si më parë. Se sa do reflektohet kjo situatë e re në opinionin publik shqiptar varet nga urtia, aftësia dhe dëshira jonë si shoqëri për të ndryshuar.

  1. Fakti qe kjo po hetohet nga drejtësia amerikane dhe jo në Shqipëri ? A është në interesin e Ramës të lejojë ose kërkojë hetime edhe nga drejtësia shqiptare?

Ngritja e kësaj çështjeje nga drejtësia amerikane është një favor që ky sistem i drejtësisë në SHBA i bën shqiptarëve. Është një dhuratë apo ndihmesë që gjithnjë merr vlerë vetëm nëse vlerësohet sa duhet nga ne. Nuk mund të presim nga askush të na e bëjë detyrën tonë dhe që mund ta bëjmë vetëm ne dhe askush tjetër. Keqqeverisjen jemi ne dhe vetëm ne që mund ta ndëshkojmë me votë.

  1. Këtë të shtunë do jeni pjesë e një seminari me temë “Dekonstruktimi i miteve serbe mbi Kosovën? A mund të na zbuloni diçka më shumë çdo të thotë kjo?

Është një përpjekje për të çmontuar ato mite, rrena dhe absurditete mbi të cilat Serbia e ka ndërtuar pretendimin e vet të pabazë mbi Kosovën. Gjithashtu është edhe një përpjekje për të ndërgjegjësuar opinionin shqiptar mbi nevojën e hedhjes poshtë në mënyrë të argumentuar të këtyre pretendimeve të pabaza.

 

Faleminderit zoti Muhaj

25 shkurt, Tiranë, Shqipëri

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu