“I kishte vënë këmbën në qafë dhe…”! Rrëfimet tronditëse të grave të dhunuara: Si kunati dhe vjehrri abuzuan se*sualisht me nusen

0
Gjigandi

Në një rrugë të gjarpëruar kodrinore në Kosovë janë dy shtëpi të mëdha që gjenden disa metra larg njëra-tjetrës. Me hapa të shkurtër e të shpejtë, Vjosa (jo emri i saj i vërtetë) shkon drejt portës së njërës, ndërsa vështron kamerën e sigurisë në murin e tjetrës.

“E shikon se si kontrollojnë gjithçka?” tha ajo, pasi hyri në shtëpinë e saj. “Ata do të përdorin çdo gjë kundër meje, çdo lëvizje që bëj”.

“Ata” janë bashkëshorti, kunati dhe vjehrri i 32-vjeçares Vjosa, të tre pjesë e një urdhri mbrojtës, tashmë i lëshuar prej një viti nga një gjykatë e Kosovës që ua ndaloi atyre të “shqetësojnë, ofendojnë, përulin, godasin, kërcënojnë, sulmojnë, ndjekin dhe përcjellin” Vjosën, “të mos shkatërrojnë apo kërcënojnë pronën personale, mbajnë nën vëzhgim, bllokojnë lëvizjen”.

Por historia e shtypjes dhe e mundimit e Vjosës është më e vjetër sesa kamera në mur, më e vjetër se vendimi i gjykatës i vitit 2021 apo raportet e policisë që i paraprinë kësaj. Dhuna filloi kur ajo ishte 17 vjeçe, disa muaj pas një martese që filloi me dashuri, tha ajo, por që shumë shpejt u bë kontrolluese.

Pasi shkoi të jetonte me familjen e të shoqit, Vjosa – e cila, ashtu si viktimat e tjera në këtë histori, nuk identifikohet me emrin e saj të vërtetë – pa që lëvizjet e saj të kufizoheshin dhe të ardhurat e saj të mos ishin më të sajat. Pastaj erdhi dhuna. Bashkëshorti e qëlloi, ia shkuli flokët. Kur ajo ishte shtatzënë, ai nuk u ndal. E shante dhe e kërcënonte.

RonaTyra

Por në rrëfimin e saj për atë që ndodhi, është e vështirë të thuash se kush e dha goditjen e parë, fizike apo verbale – bashkëshorti i Vjosës, apo familja e tij.

Dekada e kaluar në Kosovë ka sjellë ndërgjegjësimin në rritje të publikut për plagën e dhunës në familje, femicidit dhe dhunës ekonomike ndaj grave në një shoqëri që është kryesisht konservatore dhe patriarkale.

Aktivistët e të drejtave kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen ndaj dështimeve institucionale në trajtimin e abuzimit dhe dhunës që shumë shpesh ka kulmuar me vrasje.

Megjithatë, roli shtypës i vetë familjes së një partneri abuziv, prindërve dhe vëllezërve e motrave të tyre, diskutohet rrallë. Por historia e Vjosës nuk bën përjashtim, qoftë në kodrat e rajonit të Drenicës ku ajo jeton apo gjetkë në shtetin më të ri të Evropës.

Nëpërmjet intervistave me viktima të dhunës me bazë gjinore, aktivistë për të drejtat e grave, strehimore dhe institucione publike, BIRN ka gjetur se në familjet e gjera në Kosovë, gratë që bëhen viktima të dhunës në familje shpesh keqtrajtohen jo vetëm nga partnerët e tyre, por gjithashtu edhe nga prindërit dhe vëllezërit e motrat e partnerit.

Për shumë çifte të reja, sidomos në qytete të vogla ose fshatra ku nivelet e varfërisë janë më të larta dhe pavarësia financiare e gruas minohet sistematikisht, jetesa me vjehrrit mund të jetë financiarisht e dëshirueshme dhe shpesh e pritshme nga aspekti kulturor. Ajo mund të bëhet gjithashtu e dhunshme dhe abuzive.

Më kujtohet një rast”, tha Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, QKSGJ, “kur burri po e rrihte rëndë bashkëshorten dhe nëna e tij dëgjoi gruan e re duke bërtitur për ndihmë dhe shkoi në katin e dytë”.

“Ajo pa që i biri i kishte vënë këmbën në qafë. Nuk e raportoi dhunën dhe nuk ndërhyri. U shtri në të njëjtin nivel me viktimën, të cilës i biri po ia mbante kokën me forcë në dysheme dhe i tha: ‘Dorëzohu dhe mos fol për këtë.’”

Dhunë emocionale, ndonjëherë fizike dhe seksuale

Luljeta Demolli 
Luljeta Demolli 

Aktivistet për të drejtat e grave, drejtuesit e strehimoreve, përfaqësuesit e policisë dhe punonjësit socialë i kanë treguar BIRN për gra që ata e dinë se kanë qenë viktima të dhunës me bazë gjinore nga familja e partnerit të tyre.

“Është dhunë emocionale, psikologjike dhe në raste më të rralla edhe fizike”, tha Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë. “Ka edhe dhunë seksuale, por këtë e kuptojmë vetëm pasi të fillojmë të punojmë me rastet”.

Për këtë artikull, BIRN foli me 10 të mbijetuara të dhunës në familje në takime të organizuara nëpërmjet strehimoreve dhe organizatave për të drejtat e grave. Nëntë kishin përjetuar dhunë në familje vitin e kaluar, ndërsa e dhjeta kishte përjetuar dhunë dy vjet më parë.

Nëntë kishin përjetuar dhunë sistematike psikologjike, ekonomike dhe fizike nga partnerët e tyre; në rastin tjetër dhunuesi ka qenë kunati i saj. Gjashtë nga 10 gratë jetonin me vjehrrit e tyre, katër prej të cilave thanë se kishin përjetuar dhunë nga prindërit ose vëllezërit e motrat e partnerit të tyre.

“Ata sillen sikur janë në një vend ndryshe, sikur jetojnë dekada apo shekuj më parë kur nuk kishte progres për gratë”, tha Vjosa, e cila tani jeton me katër fëmijët e saj në një shtëpi më vete me një oborr të përbashkët. Ajo citoi se ata i kanë thënë: ‘Nuk mund të shkosh vetëm’ për të vizituar prindërit dhe se një nuse ‘duhet të punojë dhe të merret me punë shtëpie’.

Fillimisht ajo u zhvendos në shtëpinë e dytë bashkë me burrin e saj. Por situata nuk u përmirësua. Përfundimisht, ajo kërkoi ndihmë dhe mori urdhrin për mbrojtje.

Në vendimin e gjykatës, kunati i saj citohet t’i ketë thënë Vjosës: “Ti duhesh me ecë prej këtu, se ki larg ti”.

Adelina Berisha dhe Besarta Breznica, të cilat të dyja punojnë në Rrjetin e Grave të Kosovës, RrGK, një organizatë e njohur për të drejtat e grave në Prishtinë, përmendën raste të vjehrrave që nxisnin konfliktin mes një çifti të ri; prindërit godasin partneren e djalit të tyre dhe më shpesh ushtrojnë kontroll psikologjik dhe financiar mbi të; vjehrrit që kërcënojnë se do t’ia marrin fëmijët viktimës; viktima që dëbohen nga shtëpia nga prindërit ose vëllezërit e motrat e partnerëve të tyre.

“Vetëm këtë vit kishim një grua që kishte marrëdhënie të mira me burrin e saj, por nëna e tij i bënte presion që ajo t’i jepte rrogën dhe të kishte kontroll total mbi paratë”, tha Berisha.

Sipas Breznicës, “Ka raste kur familja është e njohur në shoqëri dhe me të ardhura të mëdha ekonomike dhe ata përdorin pushtetin e tyre për të shpëtuar djalin e tyre nga çdo ndjekje penale kur partnerja e ka denoncuar për dhunë në familje”.

“Më e keqja është se edhe familjet biologjike të grave shpesh nuk u besojnë vajzave të tyre, të cilat duhet të regjistrojnë, fotografojnë ose sigurojnë prova në mënyrë që familja t’i ndihmojë ato.

Pastaj ka edhe raste të dhunës seksuale.

Zana Hamiti, e cila drejton strehimoren në Prishtinë të quajtur Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, përmendi një rast të fundit që përfshin një grua që ishte ngacmuar seksualisht nga vjehrri i saj.

“Në këtë rast, të paktën burri e ka besuar dhe ka qenë në anën e saj”, tha Hamiti. “Familja e saj ndërhyri dhe i ndihmoi financiarisht”.

Prej vitit që kur iu bashkua RrGK-së, Berisha tha se kishte hasur në disa viktima të dhunës seksuale.

“Rasti i fundit ishte vitin e kaluar”, tha ajo. “Vjehrri dhe kunati e kanë sulmuar seksualisht viktimën. Tani ajo po kalon procesin e divorcit, pasi bashkëshorti i saj nuk mori anën e saj kur ajo foli me të për këtë gjë”.

Role të rrënjosura gjinore

Fenomeni i reduktimit të rolit të saj, në mënyrë efikase, në një skllave – i përshkruar nga këndvështrimi sociologjik nga Krasniqi dhe Demolli – është shumë real për Anën (jo emri i saj i vërtetë).

Gjashtë muaj më parë, gruaja 40-vjeçare dhe dy fëmijët e saj u bënë banorë të strehimores në Gjakovë, duke i shpëtuar pothuajse dy dekadave dhune psikologjike dhe fizike që nga hyrja në një martesë me mblesëri.

Dhuna filloi me burrin e saj, por kur ai u largua jashtë vendit, dhuna vazhdoi nga nëna dhe motra e tij.

“Rëndësi kishte vetëm ajo që thoshin ato, jo ajo që them unë, ajo që dua unë”, tha Ana për BIRN. “Nuk mund të merrja kurrë një vendim për veten time, si grua, si qenie njerëzore”.

“Isha një skllave me kuptimin e plotë të fjalës. Në shtëpi punoja vetëm unë. I bëja të gjitha punët, punët e grave dhe të burrave. Kam punuar në tokë, kam larë rroba, gatuaja, çdo gjë që ishte e nevojshme në shtëpi. Nëse diçka prishej, ndonjë llambë, e rregulloja unë”.

Ana tha se, pavarësisht se kishte të ardhurat e saj nga punët informale sezonale, në fund ishin burri, vjehrra dhe kunatat që vendosnin se si do të shpenzoheshin ato para.

“Më duhej t’u raportoja atyre për çdo gjë që blija. U lexoja çdo ditë faturat dhe u tregoja se bleva kaq kështu apo kaq ashtu”.

E frikësuar se mos e nxirrnin nga shtëpia dhe i merrnin fëmijët, Ana mblodhi gjërat e tyre she shkoi në polici. Strehimorja do të mbetet shtëpia e tyre derisa ajo të gjejë punë të qëndrueshme ose komuna t’i sigurojë një banesë.

Edhe pse gratë kosovare kanë edhe ligjërisht të drejta të barabarta kur bëhet fjalë për trashëgiminë dhe pronësinë e pronës, zakonet sociale shpesh pengojnë.

“Kjo shkelje, përjashtimi i vajzave nga prona, i hap rrugë mungesës së pushtetit të saj dhe dhunës ndaj saj”, tha Demolli. “Për prindërit kosovarë, vajzat janë të burrave të tyre dhe nuk ua japin pronën. Për vjehrrit, gratë nuk janë gjaku i tyre dhe nuk ju vjen mirë nëse ajo ka një pjesë të pasurisë ose tokës së tyre pasi ajo dhe djali divorcohen”.

Sanija (jo emri i saj i vërtetë), një viktimë tjetër me të cilën foli BIRN, kaloi dy vjet në strehimoren në Gjakovë me dy djemtë e saj pasi burri i saj vdiq dhe vëllai i tij i dëboi nga shtëpia ku ajo kishte kontribuar financiarisht dhe kaloi vite duke punuar.

Prona e familjeve të gjera zakonisht regjistrohet në emër të babait, tha Demolli.

“Është më e vështirë që gratë që jetojnë në pronën e vjehrrit të tyre dhe që nuk kanë asnjë pronë në emër të tyre të kërkojnë divorc ose të raportojnë partnerët e tyre dhunues, sepse nëse kërkojnë urdhra për mbrojtje, do të duhet të jenë aty me familjen e një bashkëshorti që nuk i mbështet”, tha ajo.

Adelina

“Pa një vend ku të shkojë, ajo thjesht vendos të durojë dhunën psikologjike ose ekonomike nga vjehrrit e saj”.

Sipas Berishës nga RrGK-ja, “Shpesh vetë e nëna e saj i thotë: ‘Edhe unë kam kaluar të njëjtën gjë. Mund ta durosh edhe ti”.

Ekspertët e intervistuar nga BIRN ranë dakord se hapi i parë në trajtimin e dhunës në baza gjinore është që shoqëria kosovare ta njohë atë si problem social dhe jo si problem privat. Ata argumentojnë gjithashtu në favor të ndërhyrjeve në arsim dhe ekonomi për të zhveshur rolet gjinore dhe normat e dëmshme sociale, që do të ndihmonin pavarësinë e grave brenda familjeve të gjera.

Por, tha Breznica nga RrGK, “para së gjithash policia dhe prokuroria duhet të jenë të përgjegjshme ndaj të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, pasi të gjitha ato janë vepra penale”.

“Ata zakonisht përqendrohen vetëm në episodin e fundit të dhunës fizike… dhe përjashtojnë histori të tjera, të tilla si dëshmitë e tyre për dhunë psikologjike nga vjehrrit”.

Dështimi për ta bërë këtë mund të jetë fatale.

Në muajin janar, në të njëjtën zonë ku jeton Vjosa ndodhi një femicid. Ajo tha se kjo e kishte bërë atë “më të kujdesshme”, por jo më pak të vendosur.

“Nuk mund të ta marrin lirinë”, tha Vjosa për BIRN. “Nuk më lejonin as të flisja. Por tani e kam lënë çështjen time në duart e shtetit. Nëse ata më zhgënjejnë, do të vazhdoj të jem e vendosur”./BIRN

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu