KROACI – Duket si e pabesueshme, por është e vërtetë. Marsin e kaluar, 23-vjeçari braktisi futbollin, teksa luante si sulmues në HNK Cibalia Vinkovic të kategorisë së dytë kroate, sepse kishte një sfidë tjetër më të rëndësishme, të shpëtonte jetën e nënës së tij Ljiljana, të sëmurë rëndë.
“Jeta e saj ishte në rrezik, stomaku i mbushej me ujë dhe ishte çështje ditësh”,- thotë lojtari. Nëna e tij ishte e sëmurë prej 13 vitesh. Endeshin nga njëri spitali në tjetrin për të gjetur një mëlçi që të përshtatej me të sajën, por ajo nuk u gjend kurrë, shkruan Blic.
“Në momentin kur e kuptova se të gjitha opsionet e tjera ishin shteruar, i paketova gjërat e mia dhe fluturova për në Stamboll. Misioni im ishte i qartë, të kuroja nënë time. Çdo gjë tjetër ishte më pak e rëndësishme ose krejtësisht e parëndësishme”, thotë ai.
Robertit iu desh t’i jepte fund karrierës së tij sportive, për të shpëtuar jetën e nënës së tij. Ai iu nënshtrua një operacioni, ku iu hoq 70% e mëlçisë. Në atë kohë, asgjë dhe askush nuk garantonte se ai do të mund të luante përsëri, por atij kjo nuk i interesonte më. “Kisha një imazh krejtësisht të qartë të rrezikut dhe futbolli ishte në planin tim të tretë në atë kohë.”
Pas disa orësh në sallën e oparacionit në Klinikën Memorial Bahelievler dhe një operacioni të komplikuar, Roberti u zgjua nga anestezia. Në ekranin e celularit të tij kishte vetëm mesazhe me plot falenderime. “Është e vështirë për mua të gjej fjalët e duhura për të përshkruar se sa shumë do të thoshte për mua. Dua të falenderoj të gjithë ata që na dhanë forcën shtesë në këtë luftë”.
Fati i buzëqeshi përsëri Robertit për atë veprim që ai bëri. Katër muaj e gjysmë më pas Ljiljana u rilind dhe mëlçia e Robertit u rigjenerua pothuajse plotësisht. Rilindi sërish edhe pasioni për futbollin. Aktualisht ai është rikthyer në fushë dhe ka filluar stërvitjen. Pak nga pak, por me shumë entuziazëm. Trajneri i tij Tomislav Radotic ende ka besim te ai. “Mendoj se do të luajmë një ndeshje shumë shpejt”, u shpreh ai.
Gjithsesi, edhe nëse Robert Peric-Komsic nuk arrin të zbresë në fushën e blertë të futbollit, sulmuesi 23-vjeçar i HNK Cibalia Vinkovic, tashmë e ka fituar ndeshjen e tij të jetës…