Grabitet natën karburanti në Lezhë, dy autorët largohen me motoçikletë

0
Gjigandi

 

Vodhën gjatë mesnatës nën kërcënimin e një arme zjarri kallashnikov, xhiron ditore të një karburanti dhe u larguan menjëherë me motoçikletë. Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga, 2 autorët e dyshuar të vjedhjes.

Gjenden dhe sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, motoçikleta dhe veshjet, që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjen. Sekuestrohet gjithashtu, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Ndjekja”, u arrestuan në flagrancë shtetasit D. L., 21 vjeç dhe M. L., 16 vjeç, (vëllezër) banues në Shënkoll, Lezhë, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.

2 shtetasit e arrestuar, gjatë mesnatës së datës 22 shtator, kanë shkuar me motoçikletë në një karburant në Shënkoll dhe, nën kërcënimin e një arme zjarri kallashnikov, i kanë vjedhur shitësit, xhiron ditore dhe aparatin celular. Të dy shtetasit janë larguar më pas me motoçikletë.

RonaTyra

Janë gjetur të fshehura në një zonë me shkurre dhe në një banesë të braktisur, arma e zjarrit kallashnikov, motoçikleta, skafandra e motoçikletës dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur nga 2 autorët e dyshuar, për të kryer vjedhjen. Sendet e kundëraligjshme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve personale dhe në banesën e të arrestuarve, u gjetën dhe u sekuestruan edhe aparati celular që i kishin vjedhur shitësit të karburantit, si dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu