Pse bluza e doktorit është e bardhë ndërsa e kirugëve është e gjelbërt?
Kush e vendosi që të famshmit duhej të ecnin në tapetin e kuq?
Si ndodhi që disa objekte personifikohen nga ngjyrat?
Më poshtë janë të radhitura disa histori se nga vijnë këto përcaktime në bazë të ngjyrës.
Flamuri i bardhë: Të ngresh një flamur të bardhë do të thotë të lësh armët dhe t’i nënshtrohesh mëshirës së kundërshtarit (ose në çdo rast, të vish në paqe, me gatishmëri për të negociuar).
Zakoni i ngritjes së pëlhurave të kësaj ngjyre si shenjë dorëzimi është gjurmuar në kontekste të ndryshme: për shembull, në dinastinë Han Lindore, në Kinë (25-220 pas Krishtit), ose në Luftën Civile Romake të viteve 68-69 pas Krishtit.
Duke treguar për këtë betejë, historiani romak Tacitus raporton se mbështetësit e perandorit Vitellius, të rrethuar në Kremones nga legjionet flaviane të Marco Antonio Primo, ngritën degë ulliri dhe fasha të bardha në shenjë humbjeje.
Sipas historianëve, zgjedhja e së bardhës ishte, të paktën fillimisht, mjaft e detyruar: pëlhurat me ngjyra dikur ishin më të shtrenjta dhe më pak të zakonshme, ndërsa ato të bardha ishin më të lehta në dispozicion: mjaftonte të grisje një çarçaf dhe ta varje në një shkop. Për të mos thënë që e bardha dallohej lehtësisht nga pankartat me ngjyra të familjeve të ndryshme.
Tapeti i kuq: Shumë kohë para se të adoptohej në Natën e Oskarit, tapeti i kuq u hap për të mirëpritur personalitete mbretërore ose të shenjta.
Në Agamemnon të Eskilit , Klitemnestra shtroi një qilim të purpërt- një simbol i triumfit, por edhe i gjakut – për të mirëpritur burrin e saj në kthimin e tij në pallat.
Ekziston dhe një histori e një tapeti të kuq të shtruar në bregun e një lumi për të mirëpritur Presidentin e Shteteve të Bashkuara James Madison, pas mbërritjes së tij në atdheun e tij në 1821.
Në vitin 1902, ai u përdor nga Hekurudha Qendrore e Nju Jorkut, një kompania hekurudhore e Shteteve të Bashkuara, për të udhëhequr pasagjerët që hipin në një tren.
Tapeti i kuq rifitoi rëndësinë e tij “ekskluzive” në vitet 1960 në Hollyëood.
Bluza e bardhë e mjekut: Mjekët adoptuan uniformën e tyre në fillim të shekullit të 20-të, për t’i dhënë profesionit një ndryshim në imazh.
Më parë pacientët kontrolloheshin me veshje “civile”, por prania e madhe e sharlatanëve e bënte të vështirë dallimin e profesionistëve nga mashtruesit.
Gradualisht bluza e bardhë u bë simbol i autoritetit dhe pastërtisë.
Edhe pse disa spitale moderne po e braktisin me arsyen se përhap mikrobe dhe i bën pacientët të mos ndihen rehat.
Bluza gjelbërt e kirugëve: Rreth mesit të shekullit të 20-të, kirurgët dhe infermierët e braktisën bluzën e bardhë në favor të ngjyrës së gjelbërt, më e lehtë për t’u pastruar nga njollat që pashmangshmërisht sjell profesioni. Për më tepër e gjelbërta dhe blu janë ngjyrat që bëjnë më shumë kontrast me organet e brendshme të trupit të njeriut : një ndihmë shtesë për sytë e atyre që punojnë atje.
Dritat e semaforit: Dritat me ngjyra të përdorura për semaforët janë gjurmuar në Angli në vitet 1800, veçanërisht në shenjat e përdorura, që nga viti 1841, për të rregulluar çelsat hekurudhore në hekurudhën Liverpool – Mançester, e para që lidhi dy qytete. Fillimisht u përdor një sistem paletash me ngjyra dhe flamuj, në të cilat e kuqja tregonte rrezikun dhe e gjelbra mundësia për të vazhduar me kujdes. Më vonë sinjalet u zëvendësuan nga ato ndriçuese.
Logot e ushqimeve të shpejta: Pse logot e ushqimit të shpejtë janë pothuajse gjithmonë të kuqe, apo të verdhë? Këto ngjyra nxisin oreksin dhe ju inkurajojnë të hani më shumë dhe shpejt. Anasjelltas, bluja dhe jeshile shkaktojnë relaksim dhe ngadalësim, gjë që një menaxher i një restoranti të ushqimit të shpejtë nuk e dëshiron fare: klientët e radhës tashmë janë në radhë për të zënë vendin tonë