Gaza për shitësit e sapunit

0
Gjigandi

Nga Dan Eshja

Botuar në DITA

Kohët e fundit suksesi i padiskutueshëm i PR-it (public relation) në jetët publike ka bërë që dhe një event tragjik si lufta të komentohet  me të njëjtin temp që komentohen garat me makina.

Justifikimi i interesave mbi naftën dhe përbërësit e saj, tregohet ndoshta me më pak patos se një pitt stop i vërtetë. Nëse dikush vë gabim gomat e shiut ka trishtim të vërtetë, dhe jo aq për 500 sulme me avion në një qytezë aq të mbushur me njerëz sa do dukej si stadium në një ndeshje finale (për të mos humbur paralelizmin më sportin).

Batuta nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës do të zëvendësohej me bombën e radhës.

RonaTyra

Për luftën PR-i duhet të jetë i plotë dhe me disa shkallë. Në fazën e parë indinjim me një kategori apo subjekt, hapi i dytë trasmetim dhimbje me hashtag dhe shprehje një rrjesht i shkurtër (I stand with) që të kalohet në rrjete sociale.

Pastaj foto dhe tituj për artikuj që s’kanë lidhje me foton. Me pas komente dhe indinjim përsëri. Sulme super agresive kujtdo që nuk e mendon si ty. Në fund pas kësaj lufte guerrilje në rrjet, fillon sulmi me raketa në emisione në prime-time. Pas kësaj qetësohemi se ka fituar logjika. Ose të paktën kështu jemi mësuar të mendojmë.

Dihet që lajmi për Gazën tek ne vjen pas disa filtrash që na e krijon sistemi ose dhe ne vetë në disa raste.

Filtri i parë janë të njejtët njerëz që na tregojnë nga përrallat në fëmijëri tek çfarë ushqimesh duhet të përdorim për të luftuar obezitetin. Ata që komentojnë zgjedhjet në Kavajë apo Rogozhinë, kanë informacion të saktë dhe për lëvizjet e ushtrisë, çfarë mëndojnë Ezbullahët, dinë më detaje për konfliktet e mëparshme dhe për konflitet që do të vijnë nga gjeopolitikat në kufi. Aq të sigurtë janë sa duket se do e zgjidhin ndarjen e territoreve me ndonjë telefonatë në kadastër.

Filtri i dytë politikanët. Edi Rama dhe qeveria dolën me tempizëm atleti në mbrojtje të Izraelit mbas sulmit të parë të Hamas. Lëvizje e zgjuar se deklarata e shpejtë kishte aleatë që vrapuan ta kopjojnë, por duke qenë se lufta nuk është si tërmeti që ngjall vetëm trishtim dhe frikë, shpejt shfaqet online “armiku”.

Fansat e Albinit psh e morën si sinjal që duhet ta sulmonin për servilizëm dhe nuk e kursyen kryeministrin e Shqipërisë. E sulmuan me të njëjtin qejf që sulmojnë Dajën e Ballkanit, gjatë një emisioni që ma sugjeron gjithmonë youtube. Se di as pse, por dhe s’kam një teori konsipracioni akoma që t’ju informoj.

Më pas tragjedia, se dhe Albini doli në mbrojtje të Izraelit. Kjo prishi skemën dhe menjeherë pas vrullit të parë që u akuzua Rama si servil, filloi me urgjencë të justifikohet Albini. Si në subjektin e një barcalete ku nxënësi për një provim (se di pse e quanin biologjie) kishte mësuar vetëm për morrin dhe pedagogët e pyesin për delen.

Justifikuesit treguan se delja ka morra si nxënësi përtac i barcaletës; njëlloj si në barcaletën tërësisht banale,  PR i Albinit u rrek të shpjegojnë se sulmi i Hamas ishte i koordinuar me Putinin për të sjellë disbalancë në Izrael dhe në Kosovë. Sigurisht që aty ku dështuan Izraelitët si populli i parë i përzgjedhur i ZOTIT, nuk gabuam ne Shqiptarët (populli rezervë i Zotit).

Integjilenca Izraelite dështoi sipas justifikuesve, por policia e Kosovës ja doli ta prishë planin ogurzi me përmasa botërore. Tani bota  patjetër i ka një borxh Albinit dhe Xhelalit. (për vajzën e Xhelalit që e kthyen nga Jeruzalemi administrata e ambasadës Shqiptare nuk u fol, se nuk ka pas dorë Putini këtu).

Filtri i tretë i informacionit që jo rrallë ja krijojmë vetes, është ai fetar. Myslymanët ndihen më afër me palestinezët, kurse komuniteti i krishterë bëhet fans i Biblës duke konsideruar semit ironikisht vetëm ata që konsiderohen populli që vrau Krishtin.

Ndërkohë që edhe palestinezëve historia u jep këtë emër të paktën 5 shekuj para Krishtit (Heredoti e konsideronte Palestinën pjesën jugore të Sirisë). Sado të mendojnë konspiracionistët, Putini nuk ka dorë të Heredoti. (e di që poe mendoni, por jo, Heredoti nuk ishte ortodoks, se ishte 10 shekuj me herët)

Pavarësisht se nuk do të thuhet më zë të lartë, por palët në debat ndahen dhe besojnë se feja e tyre ka të drejtë. Kjo histori nuk ka më fill nga të niset argumentimi. Ka shumë histori dhe shumë të vrarë në mes që të gjesh të drejtën pa e komplikuar atë.

Të mendosh që nga viti i largët 1096 kur Papa Urban II nisi kryqëzatat dhe u fali mëkatet të krishterëve po të vrisnin islamikë, kjo histori ka ikur larg. Leximi i pakëz historie të përgjithshme të bën të kuptosh që nuk është vetëm bindja e brendshme, por predikatorë, glosatorë, kisha, xhamija,  njerëz me apo pa autorizm që kanë folur dhe në emër të zotit që e kanë çuar këtë debat drejt absurdit.

Papa Francesko këto ditë në fakt u mundua t’i japë një drejtim më njerëzor diskutimit për luftën. Ai tha se sot ndihej shumë i shqetësuar për popullin palestinez të Gazës. Por nuk pati asnjë efekt fjala e Papës, asnjë reflektim për PAQEN. Andreoti i famshëm i Sorrentino-s (jo kryeministri vërtetë) do thoshte me cinizëm: Zoti nuk ka avionë,  Izraeli ka shumë të tillë. Duhet fituesi për të vendosur kur fillon paqja. Tek e fundit Papa Francesko dihet që është komunist.

Dhe këtu dalim të filtri tjetër.

I majtë me Palestinën, i djathtë me Izraelin. Marksi lindi çifut, por u pagëzua. Çifutët në kampe u shpëtuan nga ushtria e kuqe. Dhe Sorosi në Shqipëri shihet si komunist. Asgjë nuk i pengon të majtët të mbrojnë Palestinën. Shqipëria Socialiste skualifikohej shpesh kur skuadrat sportive duhet të loznin kundër skuadrave nga Izraeli. Dhe këtu këtu grupet janë të ndara. Nuk kanë pikë të përbashkët,

Filtër tjetër i rëndësishëm janë SHBA (ndoshta kjo ka ndarë dhe filtrin poltik më sipër në dysh) që kanë interës në rajon. Ekulibri me botën arabe, çmimi i naftës dhe gazit. Përplasja shpesh e kërkuar dhe shpesh jo pa pasoja me vendet e besimit Islam.

Ka dhe filtra të tjerë kur je në këtë debat dhe pa folur fare. Nëse ke patur ndonjë shok nga Lindja e mesme. Nëse ndonjë e dashur ishte nga Izraeli. Nëse ndonjë shok udhëtimi ta ka treguar pozicionin e vet dhe ti pa filtra je bërë palë. Ka dhe qesharakë që besojnë se babi është tregtar inteligjent si cifutët, apo gjyshi bënte pazar si arab kur blinte hurma në pazar, po këta nuk vihen në kandar. Nganjëherë mjafton pak që të ta shesin sapunin për djathë. Ndonjëherë do vërtetë të blesh sapun për të larë ndërgjegjien.

Shqetësimi që kam me disa kategori lajmesh, (dhe kjo ndodh shumë shpesh me lajmet për konflitet në Lindjen e Mesme), është gatishmëria e medias mainstream dhe qeverive demokratike (krahasimisht sigurisht demokratike, jo absolutisht demoktratike) të jenë në anën e Izraelit. Gjithmonë kam besuar se kjo gatishmëri ka arsye historike. Pasojat e luftës së dytë botërore janë argument i mire për të kuptuar pse Izraeli s’duhet prekur, por jo pse palestinezët duhen shfarosur.

Rrethimi i Gazës, sulmi me avion i popullsisë civile, vrasjet e e qindra fëmijëve që media mainstream i lexon të njehsuar me numrat e terroristëve më shqetëson psikologjikisht. Mungesa e një korridori humanitar për banorët e Gazës, si shteg për t’u larguar nga lufta më tmerron. Komentet e ministrit të mbrojtes së Izraelit që po luftojmë me kafshë me humb besimin te njerezimi si koncept. Një ushtarak nuk mund të vendosë për jetën, kushdo qoftë ai.

Publikimi i videove të sulmeve me pallate civile që rrëzohen si kështjella rëre është arrogancë e pastër; ato që shohim janë pamje tragjike dhe sado që media të tentojë të argumentojë nuk do të na lenë indiferentë: kjo vlen njëlloj si ndjesi dhe për të rinjtë që u vranë në një festë rave afër Gazës sigurisht.

Që të jem i qartë: mund të bëj sikur s’më bën përshtypje çfarë po ndodh, por brenda vetes dhe për shkak se nuk e shpreh dot lirshëm mërzitjen (dhe s’jam i sigurtë kush më pengon) do ta jetoj dy herë më keq.

—-

©Copyright Gazeta DITA

Rubrikën e autorit mund ta lexoni çdo të premte në DITA, versioni print dhe online. Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu