Frika për të qëndruar vetëm dhe i mbyllur, si mund të kurohet klaustrofobia

0
Gjigandi

Të ka ndodhur të frikësohesh, të dridhesh apo të të thahet goja, kur gjendesh në një ambient të mbyllur, edhe nëse ky është një vend i zakonshëm, si për shembull ashensori, autobusi, një dhomë e vogël; avioni, metroja, makina, vendi ku bëhet rezonanca magnetike etj.? Nëse po, atëherë ti vuan nga klaustrofobia, nga frika prej vendeve të mbyllura.

Megjithëse termi psikologjik është ky, në të vërtetë, klaustrofobia është e ndryshme, në varësi të rastit dhe të njeriut dhe, nëse vërtet kërkon të shpëtosh prej saj, nevojitet një analizë e thelluar psikologjike…

Çfarë është klaustrofobia?

Klaustrofobia mund të jetë latente apo shumë e zhvilluar, duke krijuar, në varësi të rastit, edhe një kufizim në jetën e pacientit, i cili do ta ketë të vështirë të qëndrojë i vetëm në shtëpi apo të ndërrojë vend pune a vend banimi, si dhe të udhëtojë me mjete mekanike.

Klaustrofobia është klasifikuar në grupin e fobive të specifikuara. Ajo godet rreth 15% të popullsisë dhe karakterizohet nga një lloj frike irracionale, që ka si shkak një situatë vendimtare apo rrethanë konkrete. Gjatë një krize klaustrofobike, frika se mund të mbetet i “burgosur” brenda një hapësire të kufizuar, shkakton një atak paniku te personi që vuan nga kjo fobi.

RonaTyra

Shkaqet

Mund të ndodhë që objekti që vuan nga klaustrofobia, të ketë pësuar në të kaluarën episode apo situata traumatike të lidhura me mungesën e hapësirës, në mënyrë direkte (për shembull, ka mbetur i mbyllur në një ashensor, etj.) apo indirekte (ka dëgjuar për një ndodhi të tillë); por eksperiencat e padëshirueshme nuk përjetohen nga të gjithë në të njëjtën mënyrë dhe nuk lënë te të gjithë të njëjtat gjurmë, prandaj edhe nuk mund të flasim për një efekt kaq të drejtpërdrejtë.

Sipas disa ekspertëve, klaustrofobia mund të jetë edhe e trashëguar, por edhe në këtë rast, reflektimi i ankthit të prindërve është i ndryshëm nga njëri fëmijë te tjetri.

Pavarësisht se ekzistojnë teori të ndryshme, pjesa më e madhe e ekspertëve mendojnë se, kush vuan nga klaustrofobia, nuk ka frikë nga vetë kufizimi i hapësirës, por nga pasojat e mundshme negative që mund të ketë kjo gjë.

Simptomat

Si për pjesën më të madhe të fobive, disa nga simptomat janë të zakonshme: tharje goje, të dridhura, ndjesi mbytjeje, skuqje, djersë të ftohta, të vjella, të përziera, shpejtim pulsi, nxehtësi, panik, shpesh, mosmbushje me frymë. Këto shqetësime mund të shkaktojnë spazma muskulore në fytyrë dhe te duart.

Një simptomë e zakonshme e klaustrofobisë është ankthi. Ky është një reagim “normal” nga frika e pakontrollueshme për të panjohurën, ndaj së cilës, mendja dhe trupi përgjigjen me një gjendje alarmi dhe një shkarkim adrenaline, që provokojnë simptomat e sipërpërmendura, si edhe një shtim të tensionit të gjakut, kontraktimin e muskujve dhe nevojën për të shkuar në tualet. Mund të kalohet nga gjendja e dobësisë, deri në zhvillimin e një ataku të vërtetë paniku, me ndjesinë e fortë se po të del nga duart kontrolli i situatës, apo akoma më keq, se po vdes.

Simptomat e klaustrofobisë, veç të tjerash, mund të rëndohen edhe në praninë e publikut. Kur një klaustrofobik është i detyruar të përjetojë në publik një situatë të vështirë apo sikletosëse, ndjenjat e turpit dhe të sikletit do t’i zgjojnë atij ndjesinë e parehatisë.

Kurat për klaustrofobinë

Duhet thënë edhe se nuk është gjithmonë e nevojshme të eliminojmë plotësisht frikën nga vendet e mbyllura. Mjafton që pacienti të mësojë të bashkëjetojë me problemin e tij.

Klaustrofobia trajtohet me psikoterapi, me teknikat e relaksimit, me terapi kognitive të sjelljes, në disa raste, me ilaçe (siç janë për shembull, antidepresivët dhe anksiolitikët).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu