Një reklamë televizive për një biçikletë të prodhuar në Holandë është ndaluar nga organizmi mbikqyrës i marketingut në Francë me pretendimin se krijon një “klime frike” për makinat.
Megjithëse ajo transmetohet në televizione holandeze e ato gjermane, rregullatori francez ARPP ka ndërhyrë duke thënë se reklama për biçikletën VanMoof diskrediton në mënyrë të padrejtë industrinë e automobilëve. Në të shfaqet një makinë e zezë me shkëlqim, mbi të cilën pasqyrohen imazhe oxhaqesh, dritat që pulsojnë të automjeteve të urgjencës dhe bllokimet e trafikut.
Automjeti shkrihet për tu shndërruar në biçikletën e fundit elektronike të kompanisë holandeze, e shoqëruar me mesazhin: “Koha për të ngarë të ardhmen”. “Disa imazhe në reflektimin e makinës janë, për mendimin tonë, të pabalansuara dhe diskreditojnë të gjithë sektorin e makinave,” thotë ARPP në një letër dërguar VanMoof.
“Pamjet e fabrikave, oxhaqeve dhe një aksidenti krijojnë një klimë frike. Kështu që ata do të duhet të përshtaten”, theksohet më tej në letër. Kodi francez i marketingut e ndalon shfrytëzimin e frikës dhe vuajtjes nëpër reklama.
Burimi: top-channel.tv