Boubacar Toure dhe Odion Eboigbe, emigrantë që jetojnë në Venecia, vrapuan menjëherë për të ndihmuar personat pas aksidentit tragjik, ku 21 persona humbën jetën.
Gjithçka filloi kur Boubacar Touré dhe shokët e tij të dëgjuan një përplasje të papritur, pranë banesës së tyre. Në fillim menduan se ishte një tërmet. Por më pas hapën dritaret e kuzhinës së tyre, ku po gatuanin dhe njëri bërtiti: “Ra një autobus”.
“Ne vrapuam atje ku autobusi po digjej dhe dëgjova një grua duke bërtitur: “Fëmija ime, fëmija im”, tha Boubacar, 27 vjeç, i cili është me origjinë nga Gambia dhe ka jetuar dhe punuar në Itali për 10 vitet e fundit.
“Unë arrita ta tërhiqja nga dritarja dhe më pas nxora djalin e saj, i cili ishte djegur shumë, por ende gjallë”.
Autobusi po lëvizte përgjatë një mbikalimi të ngarkuar kur papritmas humbi drejtimin dhe më pas ra nga ura, ku më pas shpërtheu në flakë. Të paktën 21 persona humbën jetën. Nga 15 të plagosurit, shumica janë në terapi intensive.
Disa nga viktimat ishin fëmijë, përfshirë një foshnjë. Të vdekurit përfshijnë shtetas të shtatë vendeve, tha zyra e kryebashkiakut të Venecias, duke përfshirë Ukrainën, Gjermaninë, Rumaninë dhe Portugalinë.
“Ne duhej të prisnim zjarrfikësit,” tha ai për BBC. “Kështu që unë nxora të tjerët, një grua, një burrë dhe një fëmijë.
Njerëzve u rridhte gjak nga koka, kishte aq shumë gjak”.
Shoku i tij i dhomës, Odion Eboigbe nga Nigeria, ishte me të, duke tërhequr gjithashtu njerëzit nga rrënojat e automjetit të shkatërruar, një autobus elektrik, bateritë e të cilit besohet se kanë marrë flakë.
“Ne arritëm të shpëtonim shumë, por fatkeqësisht të tjerët vdiqën”, thotë ai.
“Nuk kisha frikë, nuk mendoja për sigurinë time. Sot kolegët e mi më pyetën: ‘çfarë po mendonit kur shkuat drejt flakëve’ dhe unë u thashë se duhej të shpëtoja vetëm gratë dhe fëmijët.”
Pasi ekipet e shpëtimit mbërritën, ata kaluan orë të tëra duke shuar flakët dhe duke ndihmuar të plagosurit. Zjarri ishte aq shkatërrues sa që mostrat e ADN-së do të duhet të përdoren për të identifikuar disa nga të vdekurit.
Në pikën e mbikalimit ku autobusi mori kthesën e fundit katastrofike, parmakët janë thyer dhe copa xhami janë në asfalt. Familjarët e viktimave kanë nisur të mbërrijnë në Venecia nga jashtë. Mes të plagosurve ka shtetas të Ukrainës, Gjermanisë, Kroacisë dhe Spanjës.
Sipas mediave vendase, mes tyre janë edhe dy vëllezër nga Gjermania, 7 dhe 13 vjeç, të cilët kanë humbur të dy prindërit. Në bord ishin “familje të tëra, gjyshërit, nipërit, bashkëshortët”, tha Chiara Berti nga spitali Angelo di Mestre.
Venecia shpalli tre ditë zie për një tragjedi që tronditi thellë qytetin.Boubacar dhe Odion thonë se nuk kanë fjetur që nga aksidenti. Kur reporteri i BBC u thotë atyre se disa do t’i quajnë heronj, ata ngrenë supet. “Nëse të shpëtosh njerëz ju bën heronj, atëherë ndoshta,” tha Boubacar.
“Por kur dikush ka nevojë për ndihmë sepse është duke vdekur, nuk mund të largohesh”.
a.c./dita