E trishtë! Ndahet nga jeta mjeku i shquar, një nga themeluesit e Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit

0
Gjigandi

Mjeku Ilir Ohri, shefi i reanimacionit në QSUT është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare.

Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë e ka bërë me dije lajmin e trishtë, duke vënë në dukje kontributet e Ohrit në sistemin shëndetësor të vendit tonë.

Ohri ishte një nga themeluesit e Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit dhe një nga drejtuesit aktivë të saj.

Reagimi Shoqatës së Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë:

Me hidhërim te thellë ju njoftojmë se u nda nga jeta Prof.Ilir Ohri.

RonaTyra

Prof.Ilir Ohri lindi më 27.11.1955.

Prof.Ilir Ohri, një prej figurave më të shquara të Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit dhe tё mjekёsisё shqiptare, ka dhënë prej më shumë se 40 vitesh një kontribut të veçantë dhe të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij shërbimi në vendin tonë.

Ai ishte një nga themeluesit e shërbimit modern të Anestezi-Reanimacionit dhe drejtues i tij prej 30 vitesh.

Prof. Ilir Ohri ka lënë gjurmën e tij në ngritjen, funksionimin dhe perfeksionimin e të gjitha njësive të reanimacionit në Tiranë e në mbarë vendin.

Ai bën pjesë në bërthamën e shkëlqyer të mjekëve, që themeluan Shkollën e Anestezi-Reanimacionit që në gjysmën e parë të viteve ’80.

Prof. Iliri i ka ndarë pa kursim dijet e tij të gjera ndër vite, me qindra mjekë anestezistë, të cilët i janë mirënjohës dhe janë krenarë, që kanë qënë nxënës të tij.

Një nga kulmet e veprimtarisë së Prof. Ohrit në fushën akademike është edhe krijimi i Shkollës së Anestezi-Reanimacionit në Republikën e Kosovës dhe përgatitja e një plejade specialistësh të fushës atje. Gjithashtu, ai ka udhëhequr mjaft doktoratura në Universitetin e Prishtinës.

Veprimtaria shkencore e Prof. Ohrit është e gjërë, cilësore dhe e larmishme. Ajo pasqyrohet jo vetëm në aplikimin klinik të të rejave bashkëkohore të fushës, por edhe në artikujt e referimet e shumtë në shtypin shkencor kombëtar e ndërkombëtar.

Ai ishte një nga themeluesit e Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit dhe një nga drejtuesit aktivë të saj.

Gjatë gjithë jetës profesionale Prof. Ilir Ohri është karakterizuar nga puna e pakursyer në shërbim të të sëmurëve më të rëndë, nga ndershmëria e lartë, nga profesionalizmi i rrallё, nga integriteti solid dhe nga personaliteti i palëkundur.

Anestezi-Reanimacioni shqipëtar humbi mësuesin, drejtuesin dhe mjekun e talentuar.

Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve te Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe shokëve të tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu