Kryeministri britanik Rishi Sunak kërkon të kalojë një draft që i jep policisë kompetenca më të mëdha për të bllokuar protestat publike.
Downing Street shpërndau të hënën një komunikatë për shtyp, ku njoftonte amendimin e ligjit për rendin publik, të miratuar nga ligjvënësit tetorin e kaluar.
Drafti synon zgjerimin e përkufizimit të termit “dëmtimi serioz” të rendit dhe i lejon policisë të ndërhyjë ndaj protestave përpara se të shpërthejë kaosi.
Ndryshime të tilla do të zgjerojnë ligjin aktual, që përforcon pozitën e forcave të sigurisë dhe e bën të paligjshme për njerëzit të lidhen zinxhir përreth godinave.
Kryeministri Sunak ka mbrojtur amendamentin duke deklaruar se e drejta për protestë nuk është absolute, edhe pse ka pranuar se ajo mbetet një parim themelor i demokracisë.
“Ne nuk mund të lejojmë protesta që mbahen nga një minoritet i vogël, i cili cënon jetët e njerëzve dhe rendin publik. Kjo është e papranueshme dhe ne do t’i japim fund”, ka deklaruar Sunak.
Propozimet e tij vijnë në një kohë kur një seri grevash dhe protestash kanë përfshirë qytete të ndryshme britanike, sidomos Londrën, situatë që është etiketuar si “dimri i pakënaqësisë”.
Kritikët e kanë denoncuar amendamentin duke thënë se po i hidhet benzinë zjarrit dhe se ekzagjeron kompetencat e policisë.
o.j/dita