Qindra vetë u arrit të shpëtoheshin nga flakët që përfshinë tragetin me të cilin udhëtonin nga Greqia drejt Italisë orët e para të mëngjesit të sot. Pamjet e transmetuara nga mediat greke treguan mjetin 183 metra të gjatë të pushtuar nga zjarri dhe shtëllungat e mëdha të tymit, ndërsa në altoparlamëntë bucisnin thirrjet për ndihmë.
Roja bregdetare greke sqaruan se në bordin e Euroferry Olympia me flamur Italian kishte 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit.
Shumica e tyre u arrit të kalonin në varkat e shpëtimit dhe të transferoheshin në portin e Korfuzit. Aktualisht nuk ka raporte për vdekje apo lëndime.
Një person më probleme në frymëmarrje nga tymi u dërgua në spital. Megjithatë, raportet në disa media flasin për 10 të zhdukur. Pasagjerët vetë, gjatë komunikimeve me televizione të ndryshme, thanë se druhen që jot ë gjithë mund të kenë shpëtuar sepse disa drejtues mjetesh thuhet se kanë fjetur në kamionët e tyre.
Trageti ishte nisur nga Igumenica, porti më i madh në Greqinë perëndimore, drejt portit Italian të Brindisit, që ndodhet rreth nëntë orë larg.
Kur ra zjarri, anija ishte në ujrat greke por rrymat e kanë shtyrë së fundi në ato shqiptare, duke bërë që tashmë të gjendet vetëm pak milje nga brigjet tona. Në operacionin e shpëtimit u përfshinë anije greke dhe mjete të guardia di finanzas italiane, ndërsa në zonë u afruan shpejt edhe tre anije shqiptare dhe një rimorkiator.
Rojet tona bregdetare regjistruan dhe disa pamje të tragetit të gjendur nën pushtetin e flakëve, të cilat kishin shpërthyer pikërisht në momentin kur ai ndodhej pranë ishullit të Korfuzit në detin Jon.
“
U zgjuam të tmerruar rreth orës 4:20 të mëngjesit. Brenda një ore ne ishim larguar nga anija. Na shpëtoi ekuipazhi, i cili veproi shpejt
“, tha një nga pasagjerët për TV Skai përmes telefonit.
Trageti është pjesë e flotës së grupit Grimaldi Lines dhe ka një kapacitet deri në 560 pasagjerësh, sipas faqes së internetit të kompanisë.
Zëdhënësi i Grimaldi Lines, Paul Kyprianou i tha Reuters se shkaku i zjarrit ishte ende nën hetim, ndërsa dëmet e shkaktuara sipas tij janë të rënda, sepse pavarësisht përpjekjeve të ekuipazhit, ka qenë e pamundur që zflakët te shuheshin. Në vitin 2014, 10 persona humbën jetën kur një traget me 466 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit mori flakë teksa lundronte nga Greqia në Itali.