Fatjon Veizaj, deputeti demokrat i qarkut Vlorë ka lënë mandatin e deputetit.
Në një postim në Facebook, demokrati ka shpjeguar se “kur pata nderin të zgjidhem deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës, nuk e kisha menduar kurrë përçarjen e demokratëve. Për fat të keq, prej një viti e gjysmë, Partia Demokratike nuk po ia del t’i japë fund përçarjes. As lidershipi dhe as deputetët e saj nuk po i përgjigjen interesit të demokratëve për ta bërë atë një forcë udhëheqëse, të respektueshme dhe fituese”.
Sipas tij, “vala e re e përjashtimeve në Partinë Demokratike ishte e tepërt. Mund të jetë një vendim taktik në funksion të numrave në grup, por vendimi ul edhe me tepër besueshmërinë dhe seriozitetin për të ardhmen grupimit vendimmarrës.
Kanë plot të drejtë demokratet në zemërimin, zhgënjimin, madje edhe sarkazmin e tyre. Të treja këto ndjesi i kam përjetuar gjatë këtyre ditëve.
Në këtë kohë të trazuar për Partinë Demokratike, jam përpjekur të mos e ushqej përçarjen, të qendroj pranë zgjedhësve, të respektoj bindjet e tyre, por zhvillimet e fundit kanë treguar se ndarja në Partinë Demokratike është e pakthyeshme.
Duke refuzuar kategorikisht përjashtimet nga njëra anë, por dhe mënyrën e përdorur nga individë të caktuar në kërkim pushteti personal, pa respektuar dinjitetin e deputetëve të zgjedhur dhe me pasojë thellimin e përçarjes nga ana tjetër, kam vendosur të heq dorë nga mandati i deputetit”.
Sipas burimeve, Gëzim Ademi pritet të zëvendësojë Veizajn në parlament. Ademi vjen nga radhët e PDIU.
o.j/dita