Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Ajo ka qenë ndër të paktat (dy a tri) herë që më ka qëlluar të ulem në një tavolinë me Edi Ramën, kryeministrin e sotëm të Shqipërisë—kur nuk ishte kryeministër.
Ishte pranvera e vitit 2013 (mars ose prill nuk më kujtohet). Edi Rama nuk ishte ende kryeministër, por do të bëhej disa muaj më vonë, pas fitores së socialistëve në zgjedhjet parlamentare në qershor të atij viti.
Atë ditë, në një prej sallave të hotelit Sheraton, z. Rama dhe një grup i vogël drejtuesish të kryesisë së PS-së, në kuadër të fushatës ekektorale organizuan një konsultë me disa drejtues dhe profesorë të universiteteve privatë për të dëgjuar mendimet e tyre mbi platformën që do të përgatiste Partia Socialiste, nëse fitonte zgjedhjet, për hartimin e një ligji të ri për arsimin e lartë (ai i vitit 2015).
***
Çfarë thashë më sipër nuk ka rëndësi, as lidhje me çfarë them më poshtë. Pas atij takimi, në oborrin e pasëm të Sheratonit u gjenda i ulur në të njëjtën tavolinë me kryeministrin e ardhshëm. Nuk mbaj mend nga kush dhe si u ftova të ulesha në atë tavolinë. Përballë kisha Edi Ramën, në krah Pandeli Majkon. Të tjerët rreth asaj tavoline nuk i kujtoj. Në një moment, z. Rama i tha Majkos:
“Të pyesim ç’mdendon Prof. Tarifa”.
Pyetja e tij e drejtpërdrejtë ishte pak a shumë kjo:
“Pasi të fitojmë zgjedhjet, a do të ishte më mirë që anëtarët e kabinetit qeveritar të ishin edhe anëtarë të parlamentit, apo nëse do zgjidheshin në qeveri, ata do të duhej ta dorëzonin mandatin e deputetit?”.
Kuptova që ky subjekt ishte diskutuar më parë mes Majkos (dy herë kryeministër i Partisë Socialiste) dhe Ramës, që priste të bëhej kryeministër i asaj partie. Nga ajo pyejte kuptova, gjithashtu, që ndërsa Rama ishte për ndarjen e portofoleve ministrorë nga mandatet e deputëve, Majko kishte mendim të kundërt me të.
Sidoqoftë, u ndjeva mirë që njeriu, i cili disa muaj më vonë do të merrte në dorë drejtimin e qeverisë, në krye të së cilës vazhdon të qëndrojë edhe pas dhjetë vitesh, m’u drejtua mua me atë pyetje. Përgjigjja që i dhashë ishte, pak a shumë, kjo:
“Mendoj se, për hir të pavarësisë së pushteteve, si dhe për t’u bërë vend një numri më të madh njerëzish me kontribute në PS, ose me ekspertizë dhe përvojë në fusha të ndryshme, njerëzit që eventualisht do të zgjidhni për të qenë pjesë e kabinetit tuaj qeveritar do të ishte mirë të mos ishin në parlament, nëse do të ishin fitues në listat e PS-së”.
Këtë gjykim, i thashë, e mbështesja në përvojën hollandeze, të cilën e njoh mirë. Në Hollandë, ashtu si dhe në Belgjikë e në Norvegji, pozicionet e ministrit dhe të anëtarit të parlamentit janë incompatible (të papajtueshëm) me njëri-tjetrin. Në këta vende, nëse një anëtar i parlamentit emërohet ministër në krye të një dikasteri, ai duhet të japë dorëheqjen e të dorëzojë mandatin e vet si ligjvenës. Vendi i tij në parlament, në varësi të ligjit elektoral, i jepet një tjetër individi nga lista elektorale e partisë (ose e koalicionit) të ngarkuar për të formuar qeverinë.
Ky argument u duk se i erdhi për mbarë Edi Ramës pasi, aty për aty, i tha Majkos:
“Hë mo, Pandi! Të thashë se do të ishte më mirë kështu?”.
***
Kjo bisedë i takon më shumë se dhjetë viteve më parë. Në zgjedhjet e atij viti fitoi Partia Socialiste dhe Edi Rama mori drejtimin e qeverisë. Me sa mbaj mend, ndër anëtarët e kabinetit të tij të parë qeveritar vetëm katër a pesë vetë—ata të cilëve iu besuan portofolet kryesore—mbajtën njëkohësisht edhe mandatin e deputetit; të tjerët nuk ishin anëtarë të parlamentit.
Kjo m’u duk në atë kohë, siç më duket se do të ishte edhe sot, gjëja e duhur në një republikë parlamentare si e jona dhe në një vend me një kulture politike si kjo që kemi. Për fat të keq—dhe për arsye që unë nuk i kam kuptuar as atëherë, as më vonë—ministrave që Edi Rama zgjodhi të shërbenin në kabinetet e tij pas mandatit të parë si kryeministër, u lejoi të mbanin edhe mandatin e deputetit.
***
Nuk është ky vendi për të shtjelluar format e organizimit shtetëror republikan, të cilat janë tri—republika presidenciale, republika gjysmë-presidenciale dhe republika parlamentare. Dihet se, në republikat presidenciale, pushteti ekzikutiv dhe ai legjislativ janë institucionalisht dhe politikisht të ndarë dhe të pavarur prej njëri-tjetrit. Dinamika politike kryesore në sisteme të tillë është mes presidentit dhe legjislaturës; presidenti drejton ekzekutivin, por i duhet të negociojë me legjislaturën për të miratuar ligjet dhe buxhetin. Kur partia e presidentit ka shumicën e legjislaturës, kjo është relativisht e lehtë; negociatat janë të vështira kur shumica e legjislaturës janë të partisë opozitare.
Në një republikë presidenciale anëtarët e kabinetit qeveritar emërohen nga presidenti, varen prej tij dhe përgjigjen para tij (jo para legjislaturës). Në disa republika presidenciale, si në shumicën e vendeve të Amerikës Latine, vendimi i presidentit për emërimin e ministrave në kabinetin e tij është final; në disa të tjera, emërimet e ministrave nga presidenti kërkojnë miratimin e legjislaturës. Në Shtetet e Bashkuara, anëtarët e zgjedhur nga presidenti në kabinetin e tij kërkohet të miratohen nga Senati.
Sistemet republikanë presidencialë u ndalojnë zyrtarëve të lartë të mbajnë pozicione në më shumë se njërim prej tre pushteteve njëherësh. Anëtarët e kabinetit nuk mund të jenë, pra, anëtarë të legjilaturës, pasi kjo është në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.
Në disa sisteme republikanë parlamentarë, kabineti qeveritar është i tillë që veprimtaria e tij kombinon drejtimin ekzekutiv dhe atë legjislativ të vendit duke motivuar shumicën legjislative që të miratojë ligje por, në të njëjtën kohë, ai përgjigjet para legjislativit për funksionet e veta ekzekutive. Në një sistem të tillë, dinamika politike kryesore është jo mes legjislativit dhe ekzekutivit, por mes partisë (ose koalicionit) që ka shumicën në parliament dhe opozitës.
***
Republika e Shqipërisë duket se de facto funksionon si një sistem i tillë. Partia (ose koalicioni) që drejton harton agjendën politike, kontrollon administratën dhe merr nisma legjislative. Opozita synon ta mbajë qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj, ta pyesë për çdo gjë dhe të sjellë në vëmendje të publikut çdo lloj çështjeje që ajo e gjykon me rëndësi, të sigurojë që propozimet e qeverisë debatohen e shqyrtohen seriozisht në komisione e në seanca plenare dhe, nëse duhet, ato të modifikohen ose edhe të vonohen.
Kjo është pak a shumë mënyra se si funksionojnë thuajse të gjithë ata sisteme parlamentarë që janë derivuar nga modeli britanik “Westminster”, të cilët i gjemë sot në shumë vende me një histori kolonializmi britanik. Në sisteme të tillë është një praktikë standade që ministrat zgjidhen nga radhët e anëtarëve të parlamentit dhe kabineti shërben, si të thuash, si një “komitet i trupës legjislative që zgjidhet për të qenë trupa ekzekutive”. Ligji kushtetues i Zelandës së Re (Constitutional Act), fjala vjen, kërkon në mënyrë taksative që “një person mund të emërohet dhe të mbajë pozitën e një anëtari të Këshillit Ekzekutiv ose të një ministri të Kurorës vetëm nëse ai person është anëtar i Parlamentit”.
Shqipëria nuk është Zelanda e Re, as e lidh gjë me modelin “Westminster”. Më 2013 Rama, sigurisht, duhet ta ketë ditur këtë; Majko jo. Përse atëherë, në mandatin e tij të dytë qeverisës, kryeministri Rama hoqi dorë nga praktika e mirë e mandatit të parë?
Përse, në dallim nga një traditë e gjatë, e zhvilluar në sistemet parlamentarë të disa vendeve të Europës kontinentale (Hollanda, Belgjika, Norvegjia etj.), Rama e pa të nevojshme t’u lejonte anëtarëve të kabinetit të mbanin dy poste dhe dy përgjegjësi: një në qeveri dhe një në parlament?
Mendoj se është koha që këto dy pozicione dhe këta dy role në politikën shqiptare—anëtari i qeverisë dhe anëtari i parlamentit—të jenë të ndarë, siç janë (ose duhet të jenë) realisht të ndarë e të pavarur pushteti ekzekutiv nga ai legjislativ.
***
Njësimi i dy roleve, siç dëshmon historia politike e Shqipërisë në këto më shumë se 30 vitet e fundit, nuk ofron asnjë avantazh dhe nuk sjell asgjë të mirë për demokracinë Ndarja e tyre, përkundrazi, ka shumë avantazhe. Më kryesoret janë:
(1) Ndarja e pushteteve bëhet reale. Individët e emëruar për të qenë ushtruesit e pushtetit ekzekutiv janë të ndarë nga ata që zgjidhen për të ushtruar funksionet ligjvenëse. Në këtë mënyrë minimizohen konfliktet e interesave, rriten mundësitë që legjislativi të ushtrojë kontroll mbi veprimet e qeverisë dhe shërbimet qeveritare, si dhe përgjegjësia e llogaridhënia e ekzekutivit ndaj organit më të lartë ligjvenës.
(2) Veprimtaria e një anëtari të qeverisë në krye të dikasterit që ai drejton është një full-time job, një punë me kohë të plotë. Veprimtaria e një anëtari të parlamentit është, po ashtu, një full-time job, pra edhe kjo një punë me kohë të plotë. Një anërari të parlamentit i duhet të marë pjesë në debate plenare dhe në komisione, të mbajë lidhje të vazhdueshme me zgjedhësit e tij, me grupe interesi, me aktivistë të partisë së vet. Të qenurit njëherësh anëtar i qeverisë dhe anëtar i parlamentit do të thotë të kryesh dy punë njëherësh, çdonjëra prej së cilës kërkon kohë të plotë, vëmendje të plotë dhe angazhim të plotë—me fjalë të tjera jo një javë pune dyzet-orëshe, por një javë pune tetëdhjetë-orëshe.
Kjo është realisht e pamundur për mundësitë njerëzore, edhe për njerëzit më të aftë dhe, qoftë edhe vetëm për këtë arsye, kushdo që i mban të dy këta role—anëtarin e qeverisë dhe anëtarin e parlamentit—neglizhon në një masë të madhe si njërin rol, edhe tjetrin, pra nuk kryen siç do të duhej as rolin e ministrit, as atë të përfaqsuesit të popullit.
(3) Hollanda, Belgjika dhe Norvegjia që përmenda më sipër janë ndër vendet me një sistem demokratik shumë të konsoliduar në Europë dhe përsëri e kanë parë (historikisht dhe sot) të arsyeshme që t’i ndajnë funksionin e anëtarit të qeverisë nga ai i anëtarit të parlamentit edhe për ta bërë më të vështirë korrupsionin politik.
Kjo ka të bëjë shumë me kulturën politike të një shoqërie dhe, nëse marrim parasysh se sa e prapambetur dhe jodemokratike është kultura politike në Shqipëri, ndarja e funksioneve të politikanëve të emëruar në qeveri dhe atyre të zgjedhur në parliament do të ishte gjëja e duhur për ta minimizuar korrupsion në këtë vend.
***
Ka ardhur koha që politikanët tanë—në radhë të parë ata që pretendojnë se përfaqësojnë popullin në parlament dhe ata që kanë përgjegjësinë të administrojnë punët e qeverisë në interes të përmbushjes së nevojave të qytetarëve—të bëhen seriozë me këta të fundit dhe t’u përkushtohen siç ua kërkona detyra që mbajnë dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej saj.
Nga ana tjetër, unë do u kërkoja anëtarëve të parlamentit tonë të bëhen burra—atyre që thonë se janë burra dhe atyre që u duket vetja se janë burra—dhe, si burra të vërtetë, po ua mbajti, të vendosin e të shpallin në mënyrë solemne: “Nga sot e tutje, ne ligjvenësit dhe ministrat e këtij vendi, nuk duam të kemi imunitet, sepse ne nuk kemi nevojë—dhe as arsye—të jemi të mbrojtur me imunitet. Para ligjit, ne, ligjvenësit dhe qeveritarët, jemi njëlloj të barabartë me çdo qytetar; ne s’jemi as të përjashtuar nga ligji, as mbi ligjin, as nën të”.
Pas një vendimi të tillë solemn, të vendosin të abrogojnë pikat 3 dhe 4 të nenit 73 të Kushtetutës, që u jep deputetëve imunitet, si dhe pikën 3 të nenit 103, që u jep të njëjtin imunitet si deputëve edhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Nëse janë burra (grave në parlament nuk u kërkohet të bëhen burra, por të bëjnë të njëjtën gjë si ata, pra të heqin dorë nga imuniteti legjislativ), do të kemi ligjvenës më të mirë, më pak të korruptueshëm, më të ndershëm, më patriotë dhe, për të gjitha këto arsye, më të respektuar nga populli. E po kështu do të kemi një qeveri dhe qeveritarë më më të mirë, më pak të korruptueshëm, më të ndershëm, më patriotë dhe më të respektuar nga qytetarët e kësaj republike.
Do u kërkoja deputetëve tanë që, ashtu siç me shumë ngut, në maj të këtij viti, tinëzisht dhe larg vëmendjes së publikut, vendosën dhe votuan thuajse unanimisht për të dyfishuar rrogat e tyre, po kështu, unanimisht, të vendosin të heqin dorë nga imuniteti i tyre dhe të mos u lihet imunitet as ministrave. Nëse nuk shkelin ligjin, nëse nuk vjedhin, nëse veprojnë siç ua kërkon detyra që kryejnë, nuk ka përse t’i tremben ligjit, që është i njëjtë për ta dhe për të gjithë ne.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.