Dallimin e bën SHBA!

0
Gjigandi

Nga ARTAN DUKA

Botuar në DITA

Në demokraci drejtësia nuk është populiste “jakobine” por ajo, sado vonë e sado pak, është domosdoshmëri për të bërë përpara si shoqëri e lënë të keqen pakthim pas. Me dosjen ndaj Berishës, SPAK sapo theu akullin edhe për të tjerë sepse në tranzicionin e shumëpërfolur u futën shumë duar dhe nuk mund të jetë anonim.

Por, ata që menduan se Berisha tashmë nuk do të jetë më kryelajm dhe se vëmëndja do të ishte tek dosja tjetër e rradhës e SPAK ndaj politikanëve të përfolur, harruan se Berisha është unik dhe se ai sërisht ia arriti të rrëmbejë vëmëndjen e publikut me karshillëkun ndaj “detyrimit të paraqitjes” në GJKKO, preçedent ky që nuk është ogur i mirë për drejtësinë.

Dosja e tij është moment “bëhet-nuk bëhet” për drejtësinë. Ajo nuk duhet të degradojë në kalvar pafund dhe SPAK e GJKKO duhet të dëshmojnë autoritet ose të reflektojnë nëse e nisën ters, ndryshe reforma në drejtësi, me të cilën mburren bota andej e Rama këtej, rrezikon të bëjë një vrimë në ujë!

RonaTyra

Më i gjatë se ai që të mban hopa!

Vetë dosja Berisha është një akt domethënës për autoritetin e drejtësisë ndaj kujtdo tjetri politikan në të ardhmen. Një sukses i prekshëm ky falë reformës në drejtësi që, ndryshe sa nga trumbeton Rama e ata pas tij, është meritë e SHBA.

Rama e ata pas tij mund të mburren për idenë e dëshirën e mirë për një drejtësi ndryshe nga më parë por, të thënën nga e bëra e ndan një lumë i tërë. Dëshira e ëndërra nuk të bën autor, ndryshe katandisesh në Ali G (personazh komik që pretendonte se i vodhën idenë e PS-2 meqë pas daljes të PS-1 shprehej se do të ishte fantastike nëse dilte diçka më e mirë se PS-1!).

Sigurisht që në reformën në drejtësi pati merita edhe politika shqiptare. Boll “gropa” që i hapën vetes me votimin unanim në Kuvënd, një “vetvrasje” politike kjo, për më tepër me pahir (asgjë e ngjashme me Gjykatën Speciale në Kosovë, të diktuar po nga bota, sepse ndërsa në Hagë po tentohet të përlyhet kontributi për liri, në Tiranë po shkon haku tek i zoti)!

Reforma në drejtësi kaloi “lumin” vetëm falë SHBA, dëshmi e vëmëndjes dhe e reflektimit të saj ndaj makutërisë së klasës politike dhe zig-zageve të demokracisë këto 30 vjet. Ndonse tre dekada pas, kjo mbështetje amerikane nuk është asnjëherë vonë për një shoqëri që nuk arriti t’a nxirrte kurrë “gomarin” e vet nga balta. Fundja nuk na e kishte borxh dhe më mirë vonë se kurrë.

Ishte SHBA dhe jo Rama e ata pas tij, që i vuri në rresht deputetët e mundësoi votim unanim. Votuan për idealizëm, oportunizëm, të intimiduar se ua dinin abuzimin (e mbase mund t’ia hidhnin paq duke bërë servilin me iluzionin se shëmbull mund të bëhej tjetërkush), këtë koha e SPAK do e tregojë, por ndërkohë ajo votë nuk është meritë e Ramës e atyre pas (ndryshe po aq meritë ka edhe Berisha) por borxh i vjetër i politikës ndaj qytetarit.

Është SHBA dhe jo Rama e ata pas tij, që del sot haptazi në krah të trupës së re të drejtësisë, trajnon e motivon atë përballë presionit në rritje të politikës së kapur në abuzim etj. Pa SHBA, reforma në drejtësi do të mbetej “ëndërr në sirtar” për Ramën e ata pas tij dhe të trumbetosh protagonizëm thelbësor, është karshillëk ndaj së vërtetës që qytetari meriton.

Sikur të mos kishte të nesërme!

Ajo që shokoi e na ul kokën sot është shndërrimi këto 30 vjet i abuzimit e politikës së korruptuar në mit e tabu. Një babëzi e abuzim haptazi, deri në verbëri, se ai nuk do të ndëshkohej kurrë. Nuk ua ndjente për drejtësi e ligj, pale për reformë në drejtësi dhe nëse do të kuturiseshin për të një ditë, do të ishte një marketing politik e alibi për të fituar më tej kohë ndaj ndëshkimit të abuzimit e ndërlikuar gjërat pa kthim sipas motos korbi korbit nuk ia nxjerr sytë.

Garancinë e paprekshmërisë e dinë vetëm ata. Ndoshta sindroma historike e mosreagimit qytetar, kapja e kopsitja e ligjeve e institucioneve, mbështetja e pakushtëzuar nga të tretë që kishin prioritet gjeo-politikën ndaj demokracisë etj, koha do e tregojë.

E bënë pa teklif baltë në sytë e qytetarit e botës mbarë (por ja që SHBA mbante “ditar”). Iku një brez, po ikën tjetri dhe po ato fytyra bëmë-mëdha që për të fshehur e shmangur vëmëndjen ndaj të zezës së tyre nxijnë pa fre të shkuarën, katandisën pronën në mollë sherri, nxitën klientelizmin e tarafin që vret shpresën e shpie në emigracion pafund etj. I kanë hypur lart “pemës” së abuzimit sa tani që dega po kriset, i friksohen humbëtirës poshtë. E nëse bien, do të bien me zhurmë e kjo i tmerron po aq sa dhe i shtyn në ekstrem duke nxitur rrëmujë në vënd. Por, për fatin e mirë të SPAK, qytetarit sot nuk ia ndjen më për fatin e liderit si dikur, aq më tepër të përfolur për abuzim. Ajo që qytetari pret është drejtësi sa më shpejt e pa dallim mes “çunave” të këqinj në politikë.

Secili të vetën, SHBA për të gjithë

Ndërkohë dritë në fund të tunelit duhet të ndezë jo vetëm drejtësia por edhe politika. Një reformë zgjedhore që rikthen mazhoritarin, ideja për veting të politikanëve etj, shpien në rikthimin e besimit qytetar ndaj politikës. Vetë vetingu i politikanëve nuk ka përse të tingëllojë jo realist. Boll SHBA të dalë krah sepse njëlloj si reforma në drejtësi, edhe vetingu i politikanëve do kalohej me unanimitet.

Vet-pastrimi i politikës përmes vetingut do të ofronte hapësirë për të renë në politikë, mentalitet e rutinë ndryshe nga më parë dhe e kundërta, vegjetizmi i klasës politike aktuale veçse infekton brezin e ardhshëm të politikës që merr në qafë një tjetër brez shqiptarësh më pas.

Reforma në drejtësi është e pazakontë sepse tranzicioni ishte i pazakontë ndaj e mira e politikës dhe e drejtësisë e do që elita e klasës aktuale politike të hapë krahun. E lakuar gjatë e për gjithshka, mbetet t’a mbyllë me një akt dinjitoz si tërheqja për të dekurajuar vijimësinë e inkurajuar ndryshimin dhe për t’u përballur me drejtësinë si çdo qytetar i zakonshëm në vënd.

Drejtuesit e tranzicionit, në PS, PD e gjetiu pa dallim, pavarësisht ndarjeve në vlera e merita, i përkasin brezit të politikanëve të tranzicionit dhe me bagazhin e ndërlikuar politik të tyrin, nuk janë etalon për të ardhmen. Dhe një politikan i madh, e di se kur dhe si duhet të tërhiqet e më pas ballafaqohet denjësisht me vulën e kohës apo edhe verdiktin e drejtësisë nëse ka hije tek e shkuara e tij.

E nëse politika e tranzicionit nuk hap krahun, inisiativa si vetingu i politikanëve, rikthimi i mazhoritarit, përjashtimi nga zgjedhjet i atyre që janë subjekt i drejtësisë, kufizimi i mandateve në Kuvënd e qeverisje, heqja e imunitetit të deputetit (përjashtim liria e fjalës në Kuvënd) etj, do të ishin kontribut i vyer politik e qytetar që lehtëson vetë misionin e drejtësisë në vënd. Por, sikurse reforma në drejtësi dëshmoi, edhe për to dallimin e bën vetëm SHBA.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu