Çfarë do të ndodhë me nismën “Rruga e Mëndafshit”? Ambiciet e Kinës për të ardhmen

0
Gjigandi

Çfarë do të ndodhë me nismën e Kinës “Rruga e Mëndafshit”? Pasi mbushi dhjetë vjet, plani global kinez i ndërtimit të infrastrukturës, po hyn në një fazë të re, shkruan The Economist.

Fjalimi që mbajti presidenti kinez Xi Jinping në Kazakistan, më 7 shtator 2013, ishte shumë i qartë. Ai shpalosi idenë e përhapjes së infrastrukturës kineze në të gjithë botën, nëpërmjet kredive dhe investimeve, me vlerë disa qindra miliarda dollarë.

Askush nuk e parashikoi se ky projekt do të bëhej një tipar përcaktues i politikës së jashtme kineze dhe simbol i rritjes së Kinës si një fuqi globale. Xi foli për ndërtimin e një “rripi ekonomik” përgjatë “rrugës së lashtë të mëndafshit” që lidh Kinën me Europën.

Ai bëri thirrje për një infrastrukturë më të mirë dhe uljen e pengesave tregtare. Më pas nisi përsiatjet mbi historinë dhe letërsinë e Kazakistanit, duke fshehur qëllimet e planit të madh kinez, i cili do ta gjente Perëndimin të papërgatitur.

Së shpejti, Kina do të festojë me bujë përvjetorin e dhjetë të këtij projekti, ku nisma “Rruga e Mëndafshit” do të lëvdohet si një dhuratë e vendit për botën, që ka krijuar përfitime të mëdha ekonomike.

RonaTyra

Kina pretendon se janë krijuar 420,000 vende pune në shtetet pjesëmarrëse dhe se 40 milionë njerëz janë nxjerrë nga varfëria, falë rritjes ekonomike të siguruar nga plani.

Amerika dhe shumë nga aleatët e saj, e shohin ndryshe nismën “Rruga e Mëndafshit”: si një mjet politik që synon të mbysë kritikat e huaja ndaj sundimit me grusht të hekurt të presidentit Xi dhe që u mundëson firmave kineze t’i ngarkojnë vendet me borxhe gjymtuese.

Vendet e pasura e shohin me ankth nismën e Kinës dhe nuk janë të bindura nga deklaratat e saj. Eventi kryesor i festës së përvjetorit të nismës do të jetë Forumi “Rruga e Mëndafshit”, i cili do të mbahet në Pekin, në tetor. Janë ftuar udhëheqës botërorë, por asnjë kryetar shteti nga Perëndimi nuk pritet të marrë pjesë.

I ftuari më i njohur do të jetë presidenti rus Vladimir Putin. Prania e tij, së bashku me presidentin Xi, do të nxjerrë në pah atë që shumë shtete perëndimore dyshojnë se fshihet pas maskës kineze: përpjekjen e Kinës për të shitur një model alternativ zhvillimi, që i shmanget demokracisë dhe krijon një botë të sigurt për diktatorët.

Kina nuk ka arritur të tërheqë as Italinë, një shtet anëtar të G7-ës që është bërë pjesë e skemës. Zëvendëskryeministri Antonio Tajani vizitoi së fundmi Pekinin, duke i përcjellë atij një mesazh: se Italia mund të tërhiqet.

Në takimin e G20-ës në Delhi, presidenti Joe Biden do të ofrojë një vizion alternativ për të ndihmuar vendet më të varfra, duke forcuar rolin e Bankës Botërore dhe FMN-së. Për këto institucione, këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha se ishin “të besueshme për të mishëruar udhëheqjen tonë”.

Ai shtoi se institucionet do të siguronin një ndihmë më të besueshme, ndryshe nga “huadhënia shtrënguese dhe e paqëndrueshme” e Kinës. Xi nuk planifikon të marrë pjesë në takim, për arsye ende të paqarta.

Kur u shpall nisma “Rruga e Mëndafshit”, ajo tingëllonte si diçka krejt e pafajshme që lidhej thjesht me ndërtim rrugësh, hekurudhash, tubacionesh dhe portesh, dhe nuk kishte se si të shkaktonte ndonjë luftë midis Kinës dhe Perëndimit. Fjalimi i presidentit Xi në Kazakistan nuk tërhoqi ndonjë vëmendje negative.

As një fjalim tjetër që ai mbajti në Indonezi, gati një muaj më vonë, ku bëri thirrje për një “rrugë mëndafshi detare”. Vetëm vitin e ardhshëm, Xi filloi të përdorte një stenografi për këto dy ide: “një rrip, një rrugë”.

Kjo tërhoqi vëmendjen e disa zyrtarëve perëndimorë: termi dukej tepër i përqendruar në Kinë dhe i thjeshtuar për atë që kishte filluar të dukej si një skemë e ndërlikuar që përfshinte shumë shtete. Kështu Kina e ndryshoi emrin për të huajt (por jo në gjuhën kineze). Në vitin 2015, ajo u quajt “Rruga e Mëndafshit”.

Ftohja me Perëndimin

Kjo ndodhi përpara se të ftoheshin marrëdhëniet midis Kinës dhe Perëndimit. Donald Trump u zgjodh president i Amerikës në vitin 2017, duke nisur një luftë tregtare me Kinën, që do të bëhej pjesë e një fushate më të gjerë të Amerikës, kundër sjelljes globale të Kinës. Kaluan katër vjet përpara se Bashkimi Europian të fillonte ta quante Kinën një “rivale sistematike”.

Internimi masiv i myslimanëve të zonës Xinjiang dhe shtypja në Hong Kong nuk kishin ndodhur ende. Kina gjeti disa dyer të hapura në Perëndim. Tetëmbëdhjetë nga 27 anëtarët e BE-së janë regjistruar në nismën “Rruga e Mëndafshit”.

Një prej tyre është Greqia, e cila pësoi një krizë të rëndë ekonomike në vitin 2009. Kina ishte lidhur me të që më parë. Në vitin 2008, COSCO, gjigant transportues kinez i zotëruar nga shteti, arriti një marrëveshje për të marrë me qira dy skela kontejnerësh në Pire, porti kryesor i vendit, në jug të Athinës.

Në vitin 2016, Greqia, që asokohe ndodhej nën trysninë e shpëtimtarëve të saj financiarë në BE dhe FMN për të gjeneruar fonde, duke privatizuar asetet shtetërore, bëri një hap më tej. Ajo ra dakord që t’i shiste Cosco-s 51% të aksioneve në të gjithë portin. Për herë të parë, një port europian do të kontrollohej nga një firmë kineze. Në vitin 2021, ajo bleu edhe 16%.

Kina kishte triumfuar. Zyrtarët e saj e quajtën Pireun “kokën e dragoit” të “Rrugës së Mëndafshit” në Europë. Pas një vizite në vitin 2019, Xi tha se porti ishte prova se nisma “nuk ishte një slogan apo përrallë, por një praktikë e suksesshme dhe një realitet i shkëlqyer”. Sigurisht që ishte mbresëlënëse.

Përpara se të përfshihej kompania kineze Cosco, Pireu renditej i 93-ti ndër portet e kontejnerëve në mbarë botën. Tani është brenda dyzetëshes. Vinçat gjigantë ngjyrë blu, të prodhuar në Kinë, shkarkojnë nga anijet kontejnerë që më parë do të kishin qenë shumë të mëdhenj për portin. Që kur firma mbërriti dhe filloi të bënte përmirësime, kapaciteti i trajtimit të kontejnerëve në Pire, është katërfishuar.

Por Kina me siguri do të jetë zhgënjyer nëse kishte pandehur se marrja e kontrollit të një porti jetik, do t’i jepte asaj një ndikim të qëndrueshëm politik, në një shtet që është njëkohësisht anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Pasi i dha kontrollin kompanisë Cosco, Greqia bllokoi deklaratat publike të BE-së që kritikonin sjelljen kineze në Detin e Kinës Jugore dhe në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut.

Megjithatë, në vitin 2019, mori pushtetin një qeveri më pro-amerikane. “Grekët nuk e shohin më Kinën si një shpëtimtare për ekonominë e tyre. Në fakt, sondazhet tregojnë një publik grek gjithnjë e më sfidues”, thuhet në një raport të vitit 2021, nga Carnegie Endowment for International Peace, institut kërkimor në Uashington.

Në vitet e fundit, qëndrimet ndaj Kinës kanë ndryshuar ndjeshëm në të gjithë Europën. BE-ja ka shtrënguar kontrollin e investimeve të huaja për rreziqet e mundshme të sigurisë. Ka vetëm disa projekte të mëdha të “Rrugës së Mëndafshit” në Europë.

Një prej tyre është një linjë hekurudhore me shpejtësi të lartë, që po ndërtohet midis Hungarisë dhe Serbisë, e financuar nga kreditë kineze. Kina shpreson që ta lidhë atë me Pireun, por Maqedonia e Veriut dhe Greqia ende po vrasin mendjen si të vazhdojnë me seksionet e tyre.

Prania e Kinës është shumë më e gjerë në Afrikë, ku ajo kishte qenë një lojtar i madh shumë kohë përpara se të propozohej nisma. Gjithsesi skema nxiti përfshirjen e Kinës në projekte të mëdha infrastrukturore, nga linjat hekurudhore, në portet.

Afrika Nënsahariane ka marrë një pjesë të madhe të huadhënies nga nisma “Rruga e Mëndafshit”. Por ndërsa vendet janë ngarkuar me borxhe, shumë kredi janë bërë të papërballueshme. Kështu, për Kinën, Afrika është kthyer në një moçal financiar.

Një kurth për kë?

Bankat e Kinës ishin huadhënës të gatshëm, por kokëfortë. Pjesa më e madhe e kredisë është dhënë me kushte tregtare. Bankat u kanë bërë qëndresë thirrjeve perëndimore për të ndihmuar shtetet afrikane që të shlyejnë disa kredi.

Por në qershor, Kina iu bashkua kreditorëve të tjerë të qeverive të huaja për arritjen e një marrëveshjeje me Zambian, mbi mënyrën e ristrukturimit të një borxhi prej disa miliarda dollarësh, ku shumica i detyrohej Kinës.

Ky ishte një ndryshim qëndrimi. Kina zakonisht parapëlqen t’i zgjidhë probleme të tilla me bisedime të fshehta dypalëshe. Megjithatë, ajo nuk ra dakord për një ulje të sasisë së borxhit.

Disa zyrtarë perëndimorë ankohen se Kina ka vendosur “kurthe borxhi” për të zënë në grackë huamarrësit e pakujdesshëm: kur një huamarrës falimenton, Kina mund të marrë prej tij koncesione, si pronësinë e infrastrukturës jetike të vendit.

Një shembull i tillë ishte në vitin 2017, kur një firmë kineze mori përsipër portin Hambantota, i ndërtuar nga Kina në Sri Lanka, pasi qeveria e Sri Lankës nuk arriti dot të shlyente borxhin. Por nuk ka prova se kjo nismë është ndonjë kurth i qëllimshëm nga ana e Kinës, qoftë atje apo gjetiu.

Përkundrazi, janë bankat e Kinës ato që janë futur në grackë duke dhënë hua, pa bërë vlerësimet e duhura të rrezikut. Tani ato parapëlqejnë t’i mbajnë huamarrësit në këmbë, në vend që t’i lënë të fundosen. Midis viteve 2016 dhe 2021, dhanë 185 miliardë dollarë kredi për shpëtim, sipas një raporti të grupit kërkimor amerikan AidData.

Në vitin 2010, pothuajse 5% e kreditimit kinez jashtë vendit, mbështeti huamarrësit në vështirësi. Deri në vitin 2022, kjo shifër ishte rritur në 60%. Edhe bankat e Kinës kanë qenë relativisht dorështrënguara në dhënien e këtij lloji kreditimi. AidData tha se interesi për një kredi shpëtimi nga FMN-ja ishte zakonisht 2%. Norma mesatare për një kredi të tillë kineze, ishte 5%.

Ndoshta kjo do të thotë se Kina po nxjerr mësime. Pasi arriti kulmin në vitin 2016, kreditimi i saj i jashtëm ka rënë, sipas firmës kërkimore Rhodium Group. “Bankat e mëdha të Kinës po rivlerësojnë praktikat e huadhënies pas pengesave të mëdha”, thuhet në raport.

Në vitin 2020, huadhënia e re e Kinës për qeveritë afrikane ishte më pak se 2 miliardë dollarë. Kjo ishte shuma më e ulët që nga viti 2004.

Edhe në Pakistan ka ndodhur diçka e ngjashme, ku janë bërë bisedime për shpenzime deri në 60 miliardë dollarë (megjithëse vetëm rreth gjysma janë realizuar), në megaprojekte si përmirësimet e rrugëve dhe termocentraleve. I njohur si Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan (CPEC), ai synon të nxisë tregtinë përtej kufirit malor dhe deri në portin Gwadar, mbi 1500 km në jugperëndim.

Kina e ka menaxhuar portin Gwadar që nga viti 2013, por ai nuk ka pasur të njëjtin sukses si Pireu grek. Ka pasur vazhdimisht dhunë militante dhe grindje politike në Pakistan. Huamarrja e lidhur me CPEC ka nxitur krizën e borxhit në vend. Pakistani i është drejtuar FMN-së dhe Kinës për ndihmë.

Këmbëngulja e Kinës

Por Kina vazhdon të jetë e zotuar në idenë CPEC. Në vendet përreth kufijve të saj, nisma “Rruga e Mëndafshit” ka rëndësi edhe më të madhe. Kina e sheh ndihmën e saj për ndërtimin e infrastrukturës si një garanci sigurie dhe mundësi tregtare, në disa raste duke ofruar rrugë alternative tokësore për importet e energjisë, që do të anashkalonin ngushticën Malacca, një pikë që Amerika mund ta bllokonte.

Në rastin e Pakistanit, Kina shpreson për dividentë të shumtë.

Ajo mendon se një Pakistan i begatë mund të veprojë si një kundërpeshë ndaj Indisë, rivalit të Kinës. Do të kishte më pak gjasa të nxiste ekstremizëm të dhunshëm. Ekspertët perëndimorë të sigurisë thonë se porti Gwadar mund të bëhet një bazë për marinën e Kinës (pavarësisht thashethemeve, nuk ka asnjë provë të fortë se ajo po ndërton një të tillë atje).

Në pjesë të tjera të botës, nisma “Rruga e Mëndafshit” është më pak e guximshme. Sidoqoftë, për arsye sigurie dhe ekonomike, Kina do të vazhdojë ta ndjekë idenë në vendet përreth. Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), një grup think-tank në Londër, thotë se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Azisë Juglindore.

“Asnjë rajon nuk është më i rëndësishëm strategjikisht” për Kinën, thotë ai. Mes tensioneve në rritje me Perëndimin, Kina po bëhet më e shqetësuar për sigurinë ekonomike.

“Ajo dëshiron të përdorë nismën ‘Rruga e Mëndafshit’ për të krijuar tregje alternative për mallrat e saj dhe lidhje alternative në zinxhirët e furnizimit”, thotë firma IISS, veçanërisht për produktet kineze të teknologjisë së lartë. Vendet e Azisë Juglindore janë me rëndësi kritike për këta zinxhirë.

Është duke u bërë përparim në këtë drejtim. Në vitin 2021, Kina përfundoi ndërtimin e një linje të re hekurudhore, me një kosto prej gati 6 miliardë dollarësh, duke lidhur qytetin kinez Kunming me kryeqytetin Vientiane të Laosit, që është një nga shtetet më të varfra të Azisë.

Seksioni prej 422 km në Laos kalon nëpër male ende të mbushura me bomba të pashpërthyera amerikane, që nga koha e luftës në Vietnam. Gati gjysma e rrugës kalon nëpër tunele.

Në prill, pasagjerët filluan të përdorin linjën për të kaluar kufirin. Udhëtimi nga Vientiane në kufirin kinez, dikur një udhëtim i lodhshëm që zgjaste një ditë të tërë, tani është një udhëtim i qetë vetëm 3,5 orë. Fermerët e Laosit kanë filluar të mbjellin kultura me vlerë të lartë si bima Durian, për t’ia shitur Kinës me tren.

“Amerika hodhi bomba në Laos, Kina po ndërton hekurudha”, shkruhej në një titull të gazetës kineze Global Times, kohët e fundit. Ky është një tipar kryesor i mesazhit të nismës “Rruga e Mëndafshit”: se Kina është dashamirëse dhe Amerika është egoiste.

Këtë ide e mbështet një pjesë e popullsisë së Laosit. Kina është “vëllai i madh nga i cili mund të mësojmë”, thotë Phouphet Kyophilavong nga Universiteti Kombëtar i Laosit.

Por sondazhet tregojnë se në vendet afër Kinës, publiku është më i kujdesshëm ndaj ndikimit kinez, të cilin e vërejnë se po rritet.

Në bisedat në Vientiane, analistët e Laosit shpesh kritikojnë qeverinë e tyre se nuk ka arritur të nxjerrë më shumë përfitime nga projektet kineze. Ata thonë se Laosi shpenzon aq shumë për shlyerjen e borxhit, sa që ka lënë pas dore nevojat thelbësore si arsimi.

Laosi është i mbytur deri në grykë me borxhe. Në fund të vitit 2022, vendi u detyrohej huadhënësve të huaj 10.5 miliardë dollarë, një shumë e barasvlershme me 84% të PBB-së.

Rreth gjysma e parave ishte marrë hua nga Kina. Vitin e kaluar, rezervat valutore të Laosit ranë aq shumë, sa që vendi e kishte të vështirë të blinte karburant. Agjencitë e vlerësimit të kredisë paralajmëruan se vendi po i afrohej falimentimit. Kina e ka lejuar Laosin ta shtyjë shlyerjen e borxhit.

Kina e sheh hekurudhën Kinë-Laos si pjesë të një rrjeti hekurudhor shumë më të gjatë që shpreson se përfundimisht do të lidhë Kunming me Singaporin. Për Kinën, suksesi i linjës nuk do të varet nga mënyra se si ajo përdoret nga popullsia prej 7.5 milionë banorësh e Laosit. Shumë më e rëndësishme është të kalohet në Tajlandën më të pasur, e cila ka dhjetë herë më shumë banorë.

Po punohet në këtë drejtim, megjithëse përfundimi i projektit në mbarë rajonin nuk do të jetë i lehtë. Do të ketë politika të rrëmujshme në Tajlandë dhe Malajzi, për zhvillimin e negociatave të ashpra mbi kushtet e projektit dhe shumë ligjvënës nuk e shohin me sy të mirë afrimin me Kinën.

Mund të jetë e vështirë të dallosh se çfarë nënkupton në të vërtetë nisma “Rruga e Mëndafshit”. Ajo shpesh krahasohet me Planin Marshall, financimi i Amerikës për rindërtimin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore.

Por nuk është ashtu. Shumë pak veprimtari të nismës kineze përfshijnë ndihmë.

Në të vërtetë, shumë vende që marrin pjesë në të, janë relativisht të pasura. Në nivel global, më shumë se 150 shtete janë regjistruar në skemë. Rreth gjysma e tyre janë etiketuar si me të ardhura të mesme ose të larta nga Banka Botërore. Gjuha e “Rrugës së Mëndafshit” është e vakët. Nuk ka asnjë përjashtim gjeografik për t’u bashkuar.

Por po bëhet më e qartë se si ajo mund të shndërrohet. Në vitin 2015, Kina tha se nisma do të krijonte gjithashtu një “rrugë dixhitale mëndafshi”, një mënyrë kjo për të përshkruar ndjekjen e biznesit jashtë vendit nga kompanitë kineze (shtetërore dhe private), në industri si telekomunikacioni dhe teknologjia kompjuterike cloud.

Perëndimi, veçanërisht Amerika, shqetësohet se Kina dëshiron të zotërojë tregjet, me teknologjitë e saj me çmim të ulët, në mënyra që mund të kërcënojnë sigurinë perëndimore dhe të ndërhyjnë në liritë vetjake. Beteja teknologjike e Amerikës kundër Kinës është pjesërisht përgjigje ndaj një frike të tillë.

Ndërsa vendet po përballen me goditjet e borxhit dhe Kina përballet me një zbehje të rritjes ekonomike, gjuha e nismës kineze po bëhet më e kujdesshme. Në vitin 2021, Xi bëri thirrje për një fazë të re duke theksuar projektet “e vogla, por të bukura”.

Këto do të kishin standarde më të larta dhe kthime më të mira fitimesh dhe do të përfshinin industri si energjia e gjelbër dhe infrastruktura dixhitale.

Kina do të ndalojë ndërtimin e termocentraleve me qymyr jashtë vendit, tha ai. Edhe gjatë pandemisë, investimet e Kinës në fushën e gjelbër në teknologjinë dixhitale jashtë vendit u rritën vazhdimisht, thotë organizata IISS

Në mediat shtetërore kanë filluar të shpalosen idetë e reja të propozuara nga Xi. Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale dhe Nisma e Qytetërimit Global janë më tepër ide se sa plane veprimi, por me mesazhe të forta të nënkuptuara: se modeli i zhvillimit të Kinës është më i mirë për vendet më të varfra sesa modelet perëndimore që vënë theksin mbi të drejtat e njeriut, se aleancat ushtarake perëndimore kërcënojnë paqen botërore dhe se kritika ndaj komunizmit kinez është një sulm racist ndaj kulturës së lashtë kineze.

Nisma “Rruga e Mëndafshit” nuk është braktisur aspak. Në kuadër të samitit të muajit të ardhshëm në Pekin po përhapet një mesazh nga shtypi zyrtar kinez: se nisma është projekti më i dashur i zotit Xi. Partia Komuniste ra dakord në vitin 2017 që të përfshijë detyrën e ndjekjes së nismës në statutin e saj, duke hedhur poshtë çdo dyshim për zotimin ndaj nismës.

Raportet në televizionin shtetëror tregojnë se Xi po vazhdon të vizitojë vende anembanë botës ku janë bërë projekte të nismës, sikur të ishte duke dhuruar personalisht pasurinë e Kinës për këto shtete.

Një artikull në gusht e lavdëroi atë për hapjen e një “rruge të lumtur” që është në përfitim të të gjitha vendeve. Me pak fjalë, “Rruga e Mëndafshit” do të vazhdojë të lulëzojë.

Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu