Qeveria britanike tha sot se një numër i vogël i njerëzve që kanë marrë të ashtuquajturat “pasaporta të arta” për investitorët e pasur, kanë ndërtuar pasurinë e tyre përmes korrupsionit apo aktiviteteve të tjera të paligjshme financiare.
Vitin e kaluar, për shkak të krizës në Ukrainë dhe shqetësimeve për hyrjen e parave të paligjshme ruse, qeveria anuloi vizat që lejonin investitorët që investonin të paktën dy milionë paund të qëndronin në vend.
Qeveria autorizoi fillimisht rishikimin në vitin 2018 pas helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal në Britani.
“Një shqyrtim i rasteve identifikoi një numër të vogël individësh të lidhur me viza investitore, të cilët dyshohet se kanë fituar pasuri nëpërmjet korrupsionit ose aktiviteteve të tjera të paligjshme financiare, përfshirë krimin e organizuar”, tha në një deklaratë me shkrim ministrja e Brendshme Suela Braverman.
Nga oligarkët rusë dhe baronët e naftës të Lindjes së Mesme te sipërmarrësit e rinj kinezë, investitorët e pasur janë dyndur në Londër gjatë dy dekadave të fundit, duke lejuar dhjetëra miliarda paund investime të rrjedhin dhe duke ndihmuar Londrën të ruajë pozicionin e saj si një nga kryeqytetet më të mëdha financiare në botë.