Shtëpia botuese angleze AM Publishers, më 10 nëntor 2023, njoftoi botimin në anglisht të romanit “Vajzat e mjegullës” të shkrimtarit Namik Dokle, i përkthyer nga Edona Llukaçaj.
Romani përcillet me këtë koment të shtëpisë botuese:
“Në fund të botës, ose në askund, në zonën shqiptare të krahinës së Gorës, i fshehur në mjegull, gjendet një fshat i vogël i quajtur BUKOJNA, në një vend ku, sipas legjendës, dielli lind dy herë në ditë dhe hëna perëndon dy herë çdo natë; një vendbanim, banorët e të cilit, me origjinë bogomile, janë shtuar me një përzierje origjinash të tjera; nga vllehët e bukur, nga hebrenjtë e ditur, apo nga malësorët trima dhe krenarë. Është një fshat ku “burrat thinjen që në fëmijëri dhe shikojnë natën më mirë se ditën”-siç thotë MAJKA, një plakë treqind vjeçare, të cilën e ka harruar vdekja. Dhe pikërisht këtu, në këtë mikrokozmos të Gorës shqiptare, përpiqen të zënë rrënjë, me ashpërsinë e pamëshirshme të viteve pesëdhjetë, norma të reja jetese, të detyrueshme nga diktatura komuniste, nën vështrimin shqyrtues dhe dyshues të një fëmije që rrëfen ngjarjet e romanit.
Rrjedh kështu, në një shtrat asfiksues, kontrastues, disa herë edhe të nëndheshëm, rrëfimi i rezistencës shpirtërore të një komuniteti të vogël, me gjuhën e vet të veçantë, me legjendat, ritet dhe zakonet e veta, por të ndarë si me shpatë nga kufiri i vjetër shqiptaro-jugosllav (“Tito këndej, Enveri andej,- mjegulla në mes”). Është rezistenca për të shpëtuar identitetin e vet, gjuhën, kulturën dhe traditat shekullore, për të vazhduar të jetë ai që është, në “kohët e reja” të represionit.
Përpjekja e dhunshme për të çrrënjosur kujtesën e njeriut, shpirtin e tij identifikues, vjen e bëhet çdo ditë më e egër kundër çdo gjëje njerëzore, kundër pronës, kundër festës së Shëngjergjit, kundër traditave të dasmës, kundër lutjeve të Majkës dhe këngëve të vajzave që mblidheshin çdo mbrëmje në të shtatë portat e fshatit, kundër legjendave dhe mallkimeve (si ai i Sinan Pashës), kundër arsyes dhe fjalës së lirë e solidaritetit ( të përfaqësuara nga MËSUESI) dhe, më në fund, edhe kundër të drejtës së pamohueshme të njeriut për të ruajtur dinjitetin e vet: “ Ose je, ose nuk je njeri!”
Represioni i regjimit të Enver Hoxhës përplaset me ata njerëz; trishtimi mbulon gjithçka, kur të gjitha Vajzat dërgohen me detyrim në “aksion” dhe nuk i lejojnë të kthehen për festën e Shëngjergjit, tokat në kufi bëhen të askujt, bodrumi i organizatës komuniste bëhet i frikshëm, komiteti me ballkon dhe komiteti pa ballkon kontrollojnë gjithçka nëpërmjet komandantit të kufirit, sekretarit të vetëquajtur Stalini i fshatit, policisë politike dhe spiunëve e paditësve. Taksat dhe detyrimet për t’i dorëzuar shtetit prodhimet bujqësore sjellin regjimin e urisë. Dhe më në fund edhe pushkatimet; në fillim arusha që kaloi kufirin, pastaj qeni që kafshoi të deleguarin (“kështu do ta pësojë cilido që do të kafshojë shtetin tonë të ri!”) dhe në fund edhe Mësuesi që pushkatohet mbi skelerinë ku dikur qe vendosur arusha e vrarë.
Dhe pikërisht ai fshat i harruar mes maleve, të cilit përpiqen t’i rrëmbejnë magjinë dhe rrjedhën natyrale të jetës, reziston me mënyrën e vetme që di dhe mundet, shpreh kundërshtinë e tij nëpërmjet besnikërisë dhe ruajtjes së folklorit dhe të folmes së vet, duke përballur gjuhën e gjallë të personazheve, këngën e pavdekshme, me zdërhalljen brutale dhe të ndyrë të sunduesve të rinj.
Nuk jemi, pra, vetëm përpara historisë së një fshati, por përpara një historie mbijetese dhe rezistence shpirtërore, me tonalitet dhe ngjyrime baladash, që nga një kronikë, në dukje familjare, end Sagën e Gorës dhe të Goranëve. Ky është romani i parë i shkruar për ata dhe tokën e tyre dhe është një rrëfim tërheqës që lexohet me një frymë.”
Botimi në anglisht i këtij romani, vjen pas publikimit të tij edhe në turqisht, boshnjakisht, bullgarisht dhe spanjisht. Është në proces edhe botimi në greqisht.