Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot në varrezat e dëshmorëve, është bërë rivarrimi i dëshmorit të kombit, Brahim Islam Morina, nga fshati Drenoc, ku të pranishëm në këtë ceremoni të rivarrimit ishin figura të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, pastaj përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, Faton Klinaku, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përfaqësues të autoriteteve qendrore e lokale, si dhe qytetarë të shumtë nga i gjithë vendi.
Në këtë ceremoni të rivarrimit, në këtë ditë të rëndësishme për Malishevën dhe jo vetëm, në një fjalë rasti, ish komandanti i Brigadës 121, Fatmir Limaj, tha se rivarrimi i dëshmorit të kombit, Brahim Ismal Morina, nënkupton vendosjen pranë shokëve të tij dëshmorë, të cilët u flijuan për lirinë e atdheut.
Gjithashtu, Limaj tha se,Baca Brahë është rritur në një familje që historikisht ka kultivuar traditë të pasur shqiptare dhe dashuri për atdheun.
“Nuk ka krenari më të madhe se sa të nderosh e respektosh dëshmorët e kombit dhe gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës”,
ka thënë Limaj.
Gjithashtu, një fjalë rasti ka mbajtur edhe Ramush Haradinaj, i cili tha se dashuria për atdheun e tokën shqiptare e ka dërguar deri në flijim dëshmorin e kombit, Brahim Morina.
Pas ceremonisë së rivarrimit, në 23 vjetorin e rënies së dëshmorit Brahim Morina, është mbajtur edhe një Akademi Përkujtimore në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë.
Në këtë akademi përkujtimore, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, në një fjalë rasti para të pranishmëve tha se, dëshmori Brahim Morina, ishte një veprimtar i madh, që u lind, u rrit dhe u flijua me nder e krenari, ashtu siç ndër breza këto vlera i kultivonte familja me traditë të pastër kombëtare e patriotike, familja Morina nga Drenoci i Malishevës.
“Ne duhet të jemi të lumtur e krenar, që Baca Brahë, tashmë është krah shokëve të tij të luftës, krah gjithë atyre që i ka bashkuar një mision i madh e gjithë popullor për çlirim e liri, krah bashkëluftëtarëve të tij, krah miqve më të mirë që dhanë jetën për atdhe”
, tha gjatë fjalës së tij, i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
Këtë ngjarje të rëndësishme e kanë përshëndetur me nga një fjalë rasti edhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe anëtarë të familjes së dëshmorit Brahim Morina.
Në fund të kësaj Akademie Përkujtimore, është shfaqur edhe një dokumentar kushtuar dëshmorit Brahim (Islam) Morina.