Banorët e lagjeve “5 Maji” e Paskuqan kanë dalë sërish në rrugë për të protestuar kundër shembjes së banesave të tyre.
Ata kanë paralajmëruar se më datë 22 shkurt, ditë kur edhe rinis aksioni për shembjen e banesave të tyre do të mblidhen të gjithë bashkë për të protestuar
Një qytetar tha se do të kishte qenë shumë mirë që në fillim, kur kanë ndërtuar, shteti t’i kishte ndaluar dhe të mos i kishte lejuar të ndërtonin.
“Ne jemi popull, ne jemi të pashkollë, shteti prandaj është. Të kishte ardhur dhe të na kishte thënë mos ndërton. Tani vjen e na vë kazmën, na shemb shtëpinë që e kemi bërë me gjak. Do bëhemi rrafsh me tokën, s’e lirojmë, deri në vdekje,”- tha ai.
E pranishme në protestë ishte edhe Laureta Nikolli, e cila u gjobit me afro 13 milionë lekë të vjetra për ndërtim pa leje një ditë më parë. Nikolli tha se gjoba i është vendosur për hakmarrje pasi ka dalë në shumë media se nuk do të tërhiqet nga protesta kundër shembjes së banesave të saj e të shumë qytetarëve të tjerë.
“Më është vënë vetëm për hakmarrje,”- tha ajo.