Bankat dhanë 360 milionë euro kredi për shtëpi gjatë 2021

0
Bankat dhanë 360 milionë euro kredi për shtëpi gjatë 2021
Gjigandi

Vlera e kredisë së re për shtëpi shënoi një vlerë rekord prej pothuajse 360 milionë eurosh vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat disbursuan 43.4 miliardë lekë kredi me qëllim financimin e blerjes së banesave nga individët.

Vlera e kredisë së re u rrit me 64% krahasuar me një vit më parë. Shifrat e bankës qendrore tregojnë se kredia e re ka prekur nivelet më të larta në të paktën gjashtë vitet e fundit, por me shumë të ngjarë kjo është edhe vlera më e lartë vjetore e shënuar ndonjëherë. Në fund të vitit 2021, portofoli i kredisë bankare për blerje banesash i matur si tepricë kredie arriti vlerën e 146 miliardë lekëve ose rreth 1.2 miliardë eurove. Në një vit, portofoli i kredisë për shtëpi është rritur me 14.6%.

Kredia për shtëpi është e përqendruar kryesisht në qarkun e Tiranës, por ritme të larta të rritjes vitin e kaluar shënuan edhe qarqet e Vlorës dhe Lezhës, çka tregon një shtim të investimit në prona pranë zonave bregdetare.

Kredia për shtëpi është produkti që ka udhëhequr rimëkëmbjen e kreditimit të ekonomisë në vitet e fundit. Oferta e bankave për këtë produkt ka qenë mjaft e lartë, sepse përgjithësisht me qëllim blerjen e banesave dhe të siguruara me një kolateral në formën e pronës rezidenciale kanë raportet më të ulëta të kredive me probleme. Kredia për shtëpi është gjithashtu një produkt që mundëson rritje të qëndrueshme të portofolit të kredisë, për shkak të afateve të gjata të maturimit, por edhe një shpërndarje të mirë të rrezikut, duke ulur përqendrimin e lartë tek kreditë e mëdha në sektorin e biznesit.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu