Grosistët e miellit kontrollojnë tregun si kartel duke fiksuar çmimet dhe duke mos ndjekur rregullat e konkurrencës. Për këtë arsye 4 kompanitë e mëdha duhet të paguajnë së bashku një gjobë me vlerë rreth 100 mijë dollarë.
Vendimi për të penalizuar këto kompani vjen nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili një vit më parë i toleroi për rritjen e pajustifikaur të çmimit të bukës e miellit në treg, duke u vënë kusht të mos bëjnë marrëveshje të bashkërenduara dhe të raportojnë periodikisht kostot për miellin.
Që nga shtatori 2021 deri në gusht 2022, Ndërmarrjet Agroblend, Atlas Mills, Miell Tirana dhe Bloja del që të kenë thyer këto rregulla.
Penaliteti për kompanitë është shoqëruar sërish më të njëjtën thirrje që imponon dhe ligji, me detyrimin e ndërmarrjeve që të mos bëjnë marrëveshje dhe praktika të bashkërenduara, të cilat shtrembërojnë konkurrencës në treg.
Njoftimi i plotë
Komisioni i Konkurrencës, në përfundim të procedurës së monitorimit të zbatimit të Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 839, datë 29.09.2021 nga ndërmarrjet Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK, ka vendosur:
– Gjobitjen e ndërmarrjes Agro Blend SHPK për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën I dhe II të VKK nr. 839/2021, në masën 5,774,395 Lekë
– Gjobitjen e ndërmarrjes Bloja SHA për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën I dhe II të VKK nr. 839/2021, në masën 1,468,877 Lekë
– Gjobitjen e ndërmarrjes Miell Tirana SHA për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën I të VKK nr. 839/2021, në masën 2,025,659 Lekë
– Gjobitjen e ndërmarrjes Atlas Mills SHPK për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën I të VKK nr. 839/2021, në masën 1,324,390 Lekë.
– Detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit të mos bëjnë marrëveshje dhe/ose praktikat të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg vecanërisht:
a) të caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;
b) të kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
c) të ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
ç) në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
d) të kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.
Komisioni i Konkurrencës mori këtë Vendim në përfundim të periudhës 1 (një) vjeçare të monitorimit të sjelljeve të ndërmarrjeve AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të mielli, për të vlerësuar zbatimin e detyrimeve të vendosura në VKK nr. 839/2021, ku konstatoi se:
– Ndërmarrjet Agroblend SHPK, Atlas Mills SHPK, Miell Tirana SHA dhe Bloja SHA kanë aplikuar në vazhdimësi çmime të njëjta shitje edhe në periudhën shtator 2021 – gusht 2022, duke mos zbatuar detyrimin e dhënë në pikën I të VKK nr. 839/2021.
– Ndërmarrjet Agroblend SHPK dhe Bloja SHA, nuk kanë zbatuar detyrimin e dhënë sipas pikës II të VKK nr. 839/2021 lidhur me raportimet tre mujore mbi kostot e produktit miell.
a.m/dita