Sfida mes Leo Messit dhe Kylian Mbappé në aktin e fundit të “Katar 2022” nuk zhgënjeu askënd. Ajo mes “10” të Argjentinës dhe Francës ishte një shfaqje në kuadër të finales spektakolare në stadiumin “Lusail”.
“La Pulce” shënoi dy herë, më në fund fitoi titullin më të lakmuar dhe e pasuroi me rekordin historik prej 26 ndeshjesh të luajtura në Kupën e Botës. Sulmuesi transalpin shënon sërish, pas golit të tij në finalen e “Rusia 2018”, madje realizoi “hat-trick”, por kthehet në shtëpi pa kupë, pas një ndeshjeje që të linte pa frymë. Ja disa detaje nga sfida mes dy kampionëve.
Leo Messi: vlerësimi 8.5
Kapiteni i Argjentinës e nisi i paracaktuar, nën shenjën e Diego Maradonës, përpara se të kthehej në… Tokë. Në minutën e 23-të ai e shndërroi penalltinë me gjakftohtësi të lakmueshme (1-0). Messi e pa Llorisin në sy, duke e mposhtur me një “shaka”. Më pas ndriçoi lojën, veçanërisht në aksionin madhështor të dyfishimit të rezultatit, të zbukuruar me prekjen e tij të lezetshme në krahun e majtë.
Megjithatë, në pjesën e dytë, ishte bashkëpunëtor në narcizmin bosh të Argjentinës, e cila e ngadalësoi ritmin e bindur se tani e kishte fituar kupën. Disa nga lojërat e tij janë në të vërtetë magjepsëse, megjithatë është pikërisht nga një nga gabimet e tij (në goditjen me Coman), që solli barazimin 2-2. Më pas Lloris ia mohoi golin e fitores pak para kohës shtesë.
“La Pulce” shpagoi skuadrën e tij duke shënuar për 3-2, aq më tepër me këmbën e djathtë, në minutën e 109-të dhe nuk humbi penalltinë në serinë vendimtare. Në fund festoi titullin e tij të parë botëror në moshën 35-vjeçare si kulmi i një karriere të jashtëzakonshme.
Kylian Mbappé: vlerësimi 8.5
Djaloshi i artë i “Les Bleus” e nisi në të majtë dhe më pas kaloi në qendër të sulmit në minutën e 41-të, me një rezultat në dukje të komprometuar, kur Deschamps ndryshoi modulin duke futur Marcus Thuram në vend të Giroud dhe Kolo Muani për Dembele. Në pjesën e parë nuk gjeti rrugëdalje apo zgjidhje efektive, pavarësisht se shfaqi dëshirë.
Gjuajtja është aty, por e gjithë iniciativa e tij është shuar në hapësirën prej disa metrash. Ngacmimi i tij i parë erdhi pas 70 minutash lojë, kur hoqi qafe disa kundërshtarë dhe lëshoi një “raketë” jashtë objektivit. Më pas, siç ndodh me kampionët e mëdhenj, ai papritmas ndizet me dy gola në pak më shumë se një minutë.
Në minutën e 80-të konvertoi në gol penalltinë që rihapi ndeshjen dhe në minutën e 81-të barazoi 2-2 me një goditje spektakolare, me këmbën e djathtë. Ai dëshmoi nerva të forta dhe klas si lider, kur në minutën e 118-të kompletoi “hat-trick”, duke barazuar 3-3.
Ylli i PSG shënoi edhe te penalltitë, i pari për të tijtë. Ecuria prej ylli, megjithatë, nuk i mjaftoi për të përsëritur titullin e “Rusia 2018”. Ai ngushëllon veten me kurorën e kryegolashënuesit të “Katar 2022”.
Statistikat e finales
Ato e pasurojnë duelin mes dy numrave 10. Messi shënoi dygolësh, Mbappé në vend të tij shënoi tre. Ka 4-3 goditje në portë në avantazh të argjentinasit, ndërsa goditjet jashtë janë nga një. Francezi u kap dy herë në pozicion jashtë loje, ndërsa “Pleshti” në vetëm një rast.
3-0 janë shanset totale të ndeshjes për Messin, i cili fitoi 54 me 21 në duelin e pasimeve të bëra si dhe atë të saktësisë në pasime (87% me 76%). Messi fitoi 5 duele dhe humbi 10, Mbappé fitoi 4 dhe humbi 7. Së fundi, për sa iu përket faulleve, “La Pulce” shkaktoi 2 dhe pësoi po aq, ndërsa sulmuesi i PSG shkaktoi 2 faulle pa vuajtur asnjë të tillë.