Pak ditë pas takimit me kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë Christine Hohmann, shprehu bindje për ashpërsimin e luftës ndaj pandëshkueshmërisë.
Në intervistën e saj për emisionin “Now”, ambasadorja e BE tha se askush nuk duhet të jetë jashtë sistemit gjyqësor.
“Nuk ka rëndësi rangu apo pozita e personit. Nëse kryen krimin e korrupsionit, duhet të përgjigjesh në gjykatë. Kjo është e rëndësishme. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Ky është parimi bazë i drejtësisë në sistemin tone”, tha ambasadorja Hohmann.
Lidhur me ngjarjet më të fundit dhe thirrjet e disa figurave të larta politike në SPAK, ambasadorja e BE në Tiranë thotë se partnerët ndërkombëtarë po bashkëpunojnë ngushtësisht me investigimin dhe e ndihmojmë SPAK-un të ndërtojë kapacitetet investigative dhe të përmirësojë punën, pasi është një strukturë e ndërtuar rishtas.
“ Kjo ka të bëjë, siç e thashë më parë, edhe me krijimin e historikut. Kemi pasur disa çështje të bujshme që janë hapur, por duhet të sigurohemi që nuk mbaron këtu. Pra, sërish duhet të përqendrohemi te problemi i korrupsionit, te trafiku i influences dhe jo të gjykojmë nëse është një figurë e lartë politike apo jo aq i rëndësishëm sa duhet. Korrupsioni është krim dhe duhet çrrënjosur. Prandaj na duhet SPAK-u dhe gjyqësori në tërësi për ta luftuar”, u shpreh ambasadorja Hohmann.
E pyetur për një vlerësim që mund të kishte për punën e SPAK, ajo kërkoi më shumë efikasitet dhe këtu presim që të forcohen dhe të përmirësojnë krijimin e historikut duke bërë më shumë”, nënvizoi Hohmann.