Partia Demokratike e ka quajtur procesin zgjedhor në Akademinë e Shkencave, si votime komuniste për pasojë ka njoftuar se do të dërgojë ligjin që i dha mundësinë Skënder Gjinurit të rizgjidhet, në Gjykatën Kushtetuese.
Me anë të një reagimi nga ana e deputetes demokratike, Ina Zhupa, ajo se çfarë ndodhi sot, quajtur një tragjikomedi. Për Zhupën, Akademia e Shkencave do duhet të përfaqësonte model elitar të zgjedhjeve, por nuk ishte gjë tjetër veçse një turp. Për këtë arsye, demokratja njofton se këtë betejë kundër asaj që e quan “uzurpim të karriges së një institucioni”, do e çojë deri në fund.
“Ligji me porosi çoi në farsën dhe uzurpimin e sotëm të karriges së kryetarit nga Gjinushi, me votimet në Akademinë e Shkencave. Skënder Gjinushi veshi kostumin me porosi që i qepi paligjshmëria e deputetëve socialist.
Një tragjikomedi në Akademinë e Shkencave, ku zgjedhje nuk pati po veç votime komuniste, dhe ku kalbëzimi shtoi rrënjë për të bllokuar lirinë dhe veprimin brenda këtij institucioni. Kjo ishte prova që ndodhi ajo që kishim paralajmëruar, ligji shkatërronte zgjedhjet, shkatërronte akademinë dhe paracaktonte Gjinushin përsëri në krye.
Me dyer të mbyllura dhe larg syrit të mediave dhe të publikut është emëruar “me zgjedhje” kryetari i vjetër dhe i ri Skënder Gjinushi. Ndërkohë që mandati i ka mbaruar me 18 Korrik, vendosi zgjedhje kur donte edhe si donte, duke përfituar nga ligji me porosi që u bë vetëm për ambiciet e tij në shkelje të kushtetuese.
Pa garë, pa fushatë, pa korpus të saktë votuesisht, pa platformë, pa ligj ai ka dalë fitues me 98% të votave. Zili do e kishte edhe Enver Hoxha për këtë rezultat mbresëlënës.
Akademia e Shkencave duhet përfaqësonte model elitar të zgjedhjeve, të procedurave, të modelit demokratik, të barazisë dhe konkurencës, si garës së ideve. Fatkeqësisht ngeli në moçal, si rezultat i futjes brutale të Kuvendit në një proces zgjedhor për ta kthyer në farsë dhe turp.
Ligji që prodhoi këtë farsë sot po punohet dhe do dërgohet në ditët në vijim në Gjykatën Kushtetuese. Beteja kundër uzurpimeve vazhdon”, shkruan Zhupa.
Skënder Gjinushi është rizgjedhur për një mandat tjetër në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pas numërimit të votave, Skënder Gjinushi kishte marrë 51 të preferencave nga 54 anëtarë që morën pjesë në një proces ku nuk kishte kandidatë të tjerë, kjo për shkak të tërheqjes së Artan Fugës. Procesi i votimit është shoqëruar me disa kundërshti, pasi mediat nuk janë lejuar që të marrin pjesë.