Zbulimi Ushtarak Shqiptar

0
Gjigandi

Hilë Lushaku

 

Pak ditë më parë në muzeun Historik Kombëtar u promovua libri “Zbulimi Ushtarak Shqiptar” (përvoja e personazhe), i kolonel Mehmet Musajit. Ky promovim ishte i veçantë, mbasi autori, u largua fizikisht papritmas nga kjo jetë, në shtator 2020.

Për lexuesin mund të jetë me interes të mësojë pak gjera se si u shkrua ky libër. Mbi dy vjet autori punoi intensivisht duke mbledhur të dhëna nga kuadrot e zbulimit si dhe duke hulumtuar në arkiva dhe libra historigrafik, prej nga skendoi të dhëna dhe informacione të vlefshme për të vijuar shkrimin e librit sipas skicë-idesë së tij, e cila është pasqyruar në fillim të librit origjinal sikur ai e kishte shkruar. Pas vdekjes së tij, nga ish-kolegët Vladimir Ndreja e Nazmi Çela, mësova se libri kishte mbetur në dorëshkrim dhe mora ftesë prej tyre për t’u bashkuar të përfundojmë librin e ish-drejtorit të Drejtorisë së Zbulimit. Ishte një nismë e vështirë, por njerëzore dhe mirënjohëse. Pranova ftesën e tyre dhe djemve të autorit, Endriti e Genti, të cilët na dorëzuan të gjitha materialet e grumbulluara. Ndërkohë u përfshinë në nismën tonë edhe një grup i madh zbuluesish e radiozbuluesish, duke u angazhuar së bashku për të realizuar synimin e autorit, për përfundimin e librit, si dhe duke respektuar e përmbushur, për aq sa ne kishim dijeni, idetë e tij. Vlerësoj të evidentohet se kontribuan në përfundimin e librit: Vangjel Qirici, Ajet Begolli, Mark Kuli, Rushit Kuçi, Theodhori Lako, Ilmi Qazimi, Gani Elezi, Bardhyl Hazizaj, Esat Lushaj, Thoma Kromidha, Sokol Sheti, Qani Abazi, Hasan Hoxha, Xhelal Hasalla, Kanan Cenodemaj, Seit Taullahu, Abdulla Dervishi, Hysen Cekodhima, Zef Rradaçi, Memo Çela, Zef Laska, Filo Dhima, Kujtim Topollaj, Arif Duli, Hysni Bedo, Murat Dardha, të cilët meritojnë falenderime të përzemërta.

Autori, kolonel Mehmet Musaj, u lind më 10 janar 1945, në Selimaj, Geg-Hysen, Tropojë. Kreu arsimin 7-vjeçar në vendlindje, më pas (1958-1962) kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, në vijim kreu studimet ushtarake dhe u titullua oficer i shërbimit inteligjent. Filloi karrierën në vitin 1964, në njësinë ushtarake në ishullin e Sazanit, në vitin 1968 fitoi të drejtën për studime në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm. Mbarimi i Akademisë solli emërimin e tij në detyrën e komandantit të shërbimit të repartit të radiozbulimit, në Tarabosh, ku shërbeu në periudhën 1970-1973. I vlerësuar për aftësitë ushtarake u transferua në Tiranë dhe iu besua detyra e komandantit të repartit nr.2908, i njohur si reparti bazë dhe më i rëndësishmi në atë shërbim, të cilin e drejtoi në periudhën 1973-1974. Situata e krijuar në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 1974, ndikoi në emërimin e tij për emërimin në Ministrinë e Mbrojtjes, caktuar në detyrë për të ndjekur veprimtarinë e shteteve objekt zbulimi. Në vitin 1975 iu besua posti i lartë zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Zbulimit, me fokus kryesor përgjegjësia për drejtimin e zbulimit me trupa, ku bashkëpunoi ngushtë me pionerët e atij shërbimi në detashmentin e zbulimit në Zallher, të mirënjohurit Tigër Godo e Hysen Ymeri. Në vitin 1981, Mehmet Musaj caktohet drejtor i Drejtorisë së Zbulimit Ushtarak, detyrë të cilën e përmbushi me faqe të bardhë. Fillimi i proceseve demokratike solli lëvizjen nga detyra të kolonelit të shquar, Mehmet Musaj dhe angazhimin e tij në procesin mësimor akademik, ku fitoi edhe gradën shkencore “Doktor”. Situata anarkike, krijuar në vend në vitin 1997, diktoi nevojën e thithjes së ajkës së ushtarakëve të aftë, ndërmjet tyre edhe zbuluesin Musaj, i cili u emërua në detyrën “zëvendësshef” i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, më pas, në vitin 2001, emërohet “këshilltar” i ministrit të Mbrojtjes. Në përmbushjen me nder të detyrës ai ishte i përkushtuar edhe për thellimin e studimeve e kualifikimeve ushtarake, ndër të cilët përmendim specializimin në Qendrën “Marshall”, në Garmish-Gjermani, Shkollën Navale Pasuniversitare në Monterei (Kaliforni)-USA, në Komandën e Forcave Ajrore Amerikane në Shtugard-Gjermani, për marrëdhëniet civile-ushtarake me ekspertë amerikanë, në Tiranë, për planifikimin, programimin e buxhetimin e mbrojtjes, pjesëmarrës në shumë stërvitje të përbashkëta të NATO-s në Shqipëri, Itali, Bullgari, SHBA, referues në disa konferenca e simpoziume ndërkombëtare.

RonaTyra

Mehmet Musaj është i njohur në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura si ushtarak dinjitoz, drejtues e profesionist i talentuar, i ditur, i ndershëm, korrekt në detyrë, ndërkohë edhe një bashkëshort e prind shembullor, i cili sakrifikoi çdo gjë në përmbushjen me nder të detyrës në funksionet e larta, Drejtor i Drejtorisë së Zbulimit Ushtarak, këshilltar i ministrit të Mbrojtjes dhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjishëm të FA. Në këtë libër ai lartësoi më tej vlerat e tij si zbulues inteligjent, ndërkohë që i shtoi vlerat edhe krahinës së Malësisë së Gjakovës, prej nga ishte i prejardhur.

Të gjithë që e kanë njohur në punë të përbashkët kanë vlerësuar tek ai përgjegjshmërinë e lartë, njohuritë profesionale, besnikërinë ndaj betimit ushtarak, dinjitetin e devotshmërinë në përmbushje të detyrave, ndjenjën e atdhetarisë dhe ndaj detyrës delikate si zbulues me inteligjencë të spikatur, pa fshehur ndjenjën e kërkesës së llogarisë dhe guximit për të kërkuar ndaj vartësve si dhe etikën në marrëdhëniet me kolegët e vartësit. Këtu gjendet edhe një ndër mesazhet e shumta, njerëzorja apo humanizmi, respekti për vartësit, të cilët ka synuar t’i shënojë në libër emër për emër sipas strukturave.

Nisma e guximi për të shkruar këtë libër, ku ai shkriu jetën, duhet kuptuar si vlerësim e kontribut i tij për të mbajtur gjallë vlerat dhe rolin e zbulimit ushtarak. Në gjykimin tim ai ka ngritur një përmendore të florinjtë, ku rreshtohen përvojat e zbulimit shqiptar në shekuj dhe respektohen personazhet, ngjallen të ikurit, nderohen të gjallët e përjetësohen të gjithë që ngulen themelet e lartësuan lavdinë e zbulimit ushtarak.

Libri, i shkruar në dy pjesë, është fokusuar me krerë të posaçëm në evidentimin e prezantimin e përvojave historike në rrugëtimin e zbulimit ushtarak, nga Skënderbeu e deri në ditët e sotme.

Është thelbësore të theksohet se në libër janë sintetizuar mendimi e vlerësimi i saktë i autorit për zbulimin ushtarak nëpërmjet gjetjes, grumbullimit e pasqyrimit realist të figurave të gjalla, dokumenteve e burimeve historiografike dhe arkivore. Kjo i shton vlerat librit dhe autorit, e bën më të besueshëm, të vlefshëm dhe më tërheqës e më të bukur. Për ata që kanë pasion leximin dhe ata që shkruajnë është i njohur fakti se bukuria e shkrimeve qëndron në pasqyrimin e realitetit, sidomos kur përcjell të vërteta të përshkruara me ndjenjë e sinqeritet, duke përcjellë drejtpërdrejt apo tërthorazi mesazhe të vlefshme për lexuesit. Pa mëdyshje ky libër historiografik, me përvoja e personazhe, e ka në palcë të vërtetën historike.

Libri kapërcen kornizën e një punimi letrar, është mirëfilli punim historiografik i strukturar në fushën e historisë ushtarake. Referencat e shumta, plot 511, skeduar nga burime të panumërta historiografike, pasqyrojnë hulumtimet e kërkimet e burimeve përkatëse për të mbledhur ajkën e përvojës e skeduar personazhet. Këmbëngulja, serioziteti, vizioni dhe synimet për realizimin e qëllimit në shkrimin e librit mundësuan arritjen e qëllimit. Si bleta që kërkon lule më lule për të mbledhur nektarin, edhe drejtor Mehmeti ka shfletuar mijëra faqe, ku përzgjodhi, skedoi e sistemoi në libër ajkën e përvojës së zbulimit ushtarak shqiptar, hartoi organigrama e struktura, përshkroi ecurinë e zbulimit me trupa e radiozbulimit, pasqyroi rrethanat dhe domosdoshmërinë e krijimit të strukturës së kriptologjisë për përpunimin shkencor të të dhënave, evidentoi e përjetësoi vendvendosjet e elementeve të zbulimit, drejtuesit, punonjësit etj. Ilustrimi me foto i disa ngjarjeve në rrugëtimin e zbulimit ushtarak si dhe prezantimi i shkurtër i jetëshkrimeve të disa drejtorëve të zbulimit pasuron më tej rubrikën e personazheve të zbulimit.

Libri përcjell mesazhe të shumta. Pa dyshim përparësor është evidentimi i domosdoshmërisë së zbulimit për sigurinë kombëtare, për funksionimin normal të shtetit dhe garantimin e rendit kushtetues, për të patur zbulim funksional dhe të mirëorganizuar në kohë paqe e në kohë lufte, brenda vendit dhe më larg. Nisur nga kjo shpreh bindjen se u vlen qeveritarëve të shtetit shqiptar për të kuptuar këtë domosdoshmëri, u vlen Forcave të Armatosura, u vlen të gjithëve si udhërrëfyes përvojash për sigurinë kombëtare, për njohjen e kundërshtarëve dhe për përzgjedhjen e inteligjenteve në shërbimin e zbulimit.

Mesazh i rëndësishëm është përcjellë në libër teksa evidenton se informacioni ka kosto të lartë, por që sjell leverdi ushtarake të madhe, sepse shmang befasinë. Përvoja skënderbegiane tregoi se zbulimi nuk mund të kuptohet pa vrojtimin-patrullimin-agjenturën-rrjetin informativ-spiunët-kamuflimin e mashtrimin-rekrutimin e blerjen e personave brenda sulltanatit-pyetjen e robërve-rrëmbimin apo “vjedhjen” e dokumenteve-rolin e diplomatëve etj. Kjo e ndihmoi Skënderbeun gjatë 25 viteve që të mësojë në kohë: qëllimet e sulltanatit, synimet ndershkuese të ekspeditave ushtarake, sasinë e forcave, rrugët e lëvizjes, planet e përdorimit të forcave, cilësinë e tyre, komandantët dhe kohën e veprimeve, e mbi këtë bazë të planifikojë veprimet në përballje me forca në raporte superiore.

Po kështu, autori ka përgjithësuar se krerët e pashallëqeve shqiptare arritën sukses falë aftësive të tyre si drejtues ushtarak të aftë për grumbullimin e të dhënave nga rojet e kufirit-mbështetja në informacionet popullore-bashkëpunimi me tregëtarët-përzgjedhja e lajmëtarëve të besuar-kontrolli i fshehtë i postës që solli në shumë raste zbulimin e komploteve-korruptimi i miqve në oborrin e sulltanatit dhe shfrytëzimi i tyre për sigurimin e të dhënave-rekrutimin e ushtarakëve në radhët e fuqive kundërshtare-përdorimin e grave për kurthimin e kapjen e ushtarakëve të lartë-bashkëpunimin e lojërat dhelpërake sipas situatave dhe shkëmbimi me leverdi reciproke i të dhënave sipas gjendjes e interesave të palëve, me fuqi kundërshtare kur e diktonin situatat-veprimet dinamike të agjentëve-shfrytëzimin e shërbimeve diplomatike etj. Përvoja e tyre me agjentë sekretë brenda Portës së Lartë, në Vllahi, Thrakë, Maqedoni, Mal të Zi, Dalmaci, Bosnjë, Maltë, Trieste, Raguzë, Kotor, Istria, Vienë, Napoli, Livorno, Sardenjë, Korfuz, Moskë, Odesë, Kadikis, Londër, në zemër të Anglisë, Francës, Rusisë, Gjermanisë, me marrëdhënie me Napolon Bonapartin, perandorin e Austrisë Josefi II, careshën ruse Katerina II  etj. E gjithë kjo ndihmoi në hartimin e politikave sunduese të tyre në pashallëqet përkatëse, ndërtimin e strategjive të leverdisshme për marrëdhëniet diplomatike, përcaktimin e prioriteteve në fushën ushtarake, planifikimin e ndërmarrjeve ushtarake dhe përballjen e susksesshme me ekspedetitat ndëshkimore pushtuese etj.

Pasqyrimi i strategjive të Skënderbeut, Kara Mahmud Pashës e Ali Pashë Tepelenës, për shërbimin e zbulimit, taktikat e teknikat e përdorura, mënyrat e metodat e aplikuara dëshmojnë se ata kanë qenë të suksesshëm sepse kanë shfrytëzuar maksimalisht potencialet njerëzore e financiare dhe kanë përzgjedhur personat e duhur për të mbledhur e raportuar në kohë të dhënat për qëllimet, planet e forcat që do të përdornin kundër tyre në ofrnsivat pushtuese, ndaj kanë qenë të suksesshëm. Duket e çuditshme se sa të zhdërvjelltë kanë qenë ata në përcaktimin e strategjive ushtarake, në lojërat diplomatike, në përcaktimin e politikave shtetërore me Rusinë, Austrinë, Portën e Lartë, Bosnjën, Venedikun, Francën, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, religjionet fetare, krahinat e ndryshme shqiptare.

Dokumenti që sjell autori për caktimin e zbuluesit Selman Blloshmi, nga komuna e Qukësit, Elbasan dhe analiza e atij dokumenti nga ana e tij, vlejnë për të reflektuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria Shqiptare në caktimin e ditës së zbulimit ushtarak, në shtetin e ri shqiptar. E konsideroj një datë historike dhe një dokument thelbësor atë dokument të datës 15 qershor 1913, që kryeministri i parë i qeverisë së shtetit të ri shqiptar, Ismail Qemali, nxori për përcaktimin e qëllimit të shërbimit informativ të zbulimit, për objektin e fushës së veprimit, për detyrat që duhet të përmbushë, për karakterin e tij si shërbim inteligjent, për domosdoshmërinë e transmetimit të informacionit, për vlerësimin, analizimin, përpunimin e tij si dhe për cilësitë që duhet të karakterizojnë zbuluesit, sipas vlerësimit të kryetarit të parë të shtetit të ri shqiptar.

Po kështu, të dhënat që sjell autori për grupin e parë të zbulimit, të cilët kaluan në territorin grek dhe realizuan kapjen e fshehtë të robërve për qëllime zbulimi meritojnë të rivlerësohen jo vetëm si akt heroik, i guximshëm e atdhetar por edhe të konsiderohen, respektohen e shënohen në historikun e FA e të nderohen për sa kanë sakrifikuar. Shumë pak kanë dëgjuar emrat e zbuluesve Hamit Rehova, Demo Liço, Neshet Abili e Xhelal Novosela të cilët janë shënuar në historikun e zbulimit si nëngrupi i parë që depërtuan me fshehtësi në tokën greke dhe nëpërmjet metodës së zbulimit me kërkim kapën robër, dokumente e materiale luftarake në provokacionet e 2 gushtit 1949.

Krahas kësaj, kemi të dhëna për pionerët e radiozbulimit, të palodhurit që mundën me aparatura të rrëmbyera pushtuesve gjermanë arritën të siguronin informacione nëpërmjet përgjimit dhe ndihmonin Shtabin e Përgjithshëm me të dhëna për lëvizjen e përdorimin e forcave në provokacionet e 2 gushtit 1949. Këtu mund të evidentohen pionerët e shërbimit të radiozbulimit: Izet Zaçe, Sotir Tiko, Zenel Koshaj, Bajram Sinani, Riza Ramadani, Niko Papa, Harri Noti, Vasil Llakana, Llambi Papakosta,Thanas Bozhavi, Dhimitër Burzi, Vasil Liço, Jorgo Pando,  Jorgo Bejo, Qemal Stërmasi, Hajdar Naska, Haki Veleshnja, Ferdi Malo, Kamber Veçani, Halil Kolluku, Etem Bogdani, Hasan Pinci, Kristo Kareco, Andrea Paguna, Kiço Shqevi, Vasil Peçi, Sotir Sotiriu, Servet Liço,  Koço Koka, Sokrat Sallamani, Ismet Feimi, Dhimitër Mici, Ali Kallaku, Idriz Rrumbullaku, Nesti Bulka, Gaqo Papadhopulli, Teli Shuke, Nevzat Agolli, Hiqmet Tapia, Haki Hysa, Zeqir Arifi, Voço Kaçi, të cilët në vitet 1952-1953 mundësuan konsolidimin e njësive të “Puntëve” (vrojtime) në Shkodër, Peshkopi, Korçë e Gjirokastër si dhe riorganizimin e “Dega e Radiozbulimit”. Në vitin 1956 radiozbulimi thithi ajkën e disa oficerëve që shërbyen në detashmentin e zbulimit detar në Sazan dhe ai tokësor në Dhërmi. Në vitet në vijim radiozbuluesit, ata që “punojnë në marrje e shumë pak në dhënie”, shërbyen me devotshmëri në malet e Shishtavecit-Kukës, Tarabosh-Shkodër, Shtoi i Ri-Shkodër, Kaptinë-Martanesh, Çardhak, mali i Moravës, mali i Postenanit, Mali i Buretos, Dhërmi, Shëngjin, Synej-Kavajë, Finiq-Sarandë, Maliq-Korçë, Kaninë, Farkë-Tiranë.

Autori i ka kushtuar në libër një trajtesë të posaçme kriptoanalizës, i njohur si reparti “Sulmit”, organizuar fillimisht me ndihmën e specialistëve kinezë, të cilët trajnuan një numër të konsiderueshëm personash të përzgjedhur nga shumë specialitete ushtarake, përfshirë edhe të sapodiplomuar në matematikë, fizikë, gjuhë të huaja, inxhinieri, të cilët nëpërmjet deshifrimit u dhanë vlerë shumë informacioneve të radiozbulimit dhe rritën dukshëm eficencën e atij shërbimi, vlerësuar parësor.

Autori nuk ka hezituar të publikojë edhe objektin e shërbimit të radiozbulimit nga krijimi deri në kohën që ai ishte drejtor, duke theksuar: punë e pandërprerë në foni e telegrafi për marrjen e informacioneve në valë të shkurtëra, të transmetuara në radiorrjetet dhe radiodrejtimet e shtabit të përgjithshëm të shteteve objekt zbulimi, të paktit të NATO-s e Traktatit të Varshavës, me komandat e shtabet e Forcave Detare, Forcave Ajrore e Forcave Tokësore dhe midis tyre dhe sipas drejtimeve edhe radiokomunikimet e komandave të Forcave Toësore me komandat e shtabet e korpuseve, divizioneve, brigadave deri në batalion, komunikimet e FA me komandat e MKA-së, brigadat, regjimentet dhe të regjimenteve të aviacionit luftarak me avionët në stërvitje apo misione luftarake. Po kështu janë ndjekur edhe radiokomunikimet e FUD me BUD, komunikimet e këtyre të fundit me anijet luftarake në detin e Zi, detin Egje, detin Mesdhe, detin Tirren, detin Adriatik. Për Traktatin e Varshavës kanë qenë në fokus përgjimet e komunikimeve të komandës e shtabit në Varshavë me atë në Sevastopul etj.

Sa shumë burime njerëzore, sa shumë energji dhe sa shumë shpenzime financiare janë dashur për të mbledhur të dhëna, analizuar, vlerësuar, përpunuar dhe konkluduar për të përgatitur në kohë informacione, raporte, buletine informative. Repartet e radiozbulimit, kriptologjia, zyra e informacionit në drejtori punonin intensivisht, sips drejtimeve të shteteve objekt zbulimi për çdo sinjal të ndryshimit të situatës, ndërkohë që vijimisht punohej për të mësuar apo saktësuar përbërjen, organizimin, vendndodhjen, veprimtaritë apo dinamikën e ushtrive të shteteve objekt zbulimi. Ahere ishim përballë NATO-s e Traktatit të Varshavës dhe vlerësonim kundërshtarë të gjitha shtetet fqinje. Prania e tyre në detin Mesdhe me anije luftarake të shumta, me kryqëzorë e helikoptermbajtëse, fregata, nëndetëse, anije desante detare dhe trupa të shumta të specializura desantuese nga ajri e nga deti, përbënin shqetësim të pareshtur dhe kërkonin gatishmëri të përhershme. Përballë nesh ishte një potencial i jashtëzakonshëm njerëzor dhe teknik luftarak, një raport i shumëfishtë në forca e mjete. Çdo lëvizje ndiqej me situatë alert. Mehmet Musaj, në librin e tij “Zbulimim Ushtarak Shqiptar” i ka futur në histori të gjithë kontribuesit e shërbimit të radiozbulimit.

Një kre të veçantë ai i ka kushtuar edhe shërbimit të zbulimit me trupa, duke evidentuar se ai shërbim filloi përsosjen me krijimin e kompanisë apo sikurse u thirr më pas “detashmenti i zbulimit me trupa”, dislokuar në Zallherr, krijuar njëherazi me detashmentet e radizbulimit në Sazan e Dhërmi. Në aftësimin e efektivit të atij reparti solli ndikime edhe përvoja që morën në periudhën 6 korrik-4 tetor 1966, drejtpërdrejt në luftimet në Vietnam, zbuluesit Spiro Adhami, Aristidh Ndini, Besim Mema, Feim Xhebro, Kujtim Lumani, Novruz Zejnati, Sali Qazimi, Viktor Dhroso, Zyk Zykaj, kimistët Arif Gjokata, e Moisi/Besim Murra si dhe xhenieri Ramiz Feçorri.

Efektivat e zbulimit me trupa, të përhapur sipas drejtimeve strategjike e operative të mbrojtjes së vendit, realizuan detyra zbulimi nga piramidat e në thellësi dhe u stërvitën intensivisht edhe për kryerjen e detyrave diversioniste duke goditur në befasi organe drejtimi (vendkomanda, qendra komunikimi, vende vrojtimi), elementë të rëndësishëm të infrastrukturës (kazerma, ura, depo furnizimi, depo karburanti, aerodrome e fushëulje, pikëmbështetje të fortifikuara), mjete e teknikë luftarake (artileri e mortaja, tanke, raketa). Përvetësimi i taktikave të maskimit, lëvizjeve e depërtimeve të fshehta, zbulimit në mënyra e metoda të larmishme, të kurtheve, grackave, pritave, diversioneve, atentateve, rrëmbimit të personave etj., doli prioritare.  Realizimi i këtyre veprimeve kërkonte stërvitje deri në raskapitje për lëvizje të shpejta dhe me temp të lartë, marshime në dëborë, kalim pengesash malore apo ujore, mbijetesë në kushte të vështira (jetesë në guva, kasolle, pyje), aftësim fizik për ndeshje në sambo, luftim trup me trup, stërvitje alpinizmi, hedhje me parashutë, not, qitje me precizion të lartë. Detashmenti i zbulimit u shndërrua në laborator i aftësimit të efektivave të zbulimit me trupa, duke krijuar një përvojë që u përvetësua dhe aplikua gjerësisht në të gjithë repartet e zbulimit. Autori ka vlerësuar në këtë fushë kontributin e oficerëve: Dhimitër Duka, Fran Doda, Refik Kuca, Viktor Dhroso, Qani Abazi, Arseni Stroka, Xhelal Banaj, Muhamet Ormenaj, Muhamet Hoxha, Ilmi Qazimi, Agim Seiti, Tigër Godo, Hysen Ymeri, Gani Elezi, Besnik Xheraj, Hysen Sharra, Azem Hyka, Osman Bilbili, Adem Copani, Agim Doci, Bashkim Kamberi, Bajram Zeneli, Behar Zhurda, Birçe Mataj, Dilaver Buzhali, Fiqiri Doda, Flamur Hida, Guximtar Godo, Gjin Lleshi, Hariz Vora, Kapllan Subashi, Kapllan Vani, Ilirjan Balla, Kutel Çino, mjeku Lutfi Balili, Pjetër Përçuni, Qamil Bina, Rustem Toro, Simon Simoni, Spiro Nakuçi, Shahin Lela, Sheme Kosova, Taqo Kovaçi, Thimi Buçko, Xhevat Koçia, Xhevat Lame,  Ymer Hyka, Zeno Jahaj etj.

Në libër autori ka listuar të gjithë kontribuesit në zbulimin me trupa, shefat e zbulimit të korpuseve e divizioneve, drejtuesit në çdo strukturë, rajonet e vendvendosjes, vendet e stërvitjeve, vendet e vrojtimit pamor-optik.

Nga një vështrim i listës së zbuluesve me kontribute nga viti 1990 e në vijim, prezantuar në librin “Zbulimi Ushtarak Shqiptar”, evidentova një të dhënë me vlerë, dëshmi e kujdesit në përzgjedhjen e zbuluesve. Aty gjej emrat e 5 shefave të shtabit të Përgjithshëm, 4 zëvendës shefa të shtabit të përgjithshëm, 23 zbulues në shërbimin diplomatik, 2 zbulues në funksionin e drejtorit të PPSH, disa drejtues të lartë në strukturat e MPB, disa drejtues e gjeneralë në strukturat e FA, 2 deputetë, 4 komandantë në FA dhe 13 gjeneralë.

Kujdes të shtuar ka treguar autori në libër për të përjetësuar kontribuesit në funksionin e drejtorit, duke e plotësuar atë kre me jetëshkrimet e drejtorëve Hamit Keçi, Teme Sejko, Vehbi Hoxha, Andon Sheti, Eqerem Osmani, Mehmet Musaj, Kujtim Jaho. Po kështu, ai i ka shtuar vlerat librit edhe me evidentimin e të dhënave për zbuluesit që kontribuan me inteligjencë, ndermjet tyre: Ilo Furxhi, Xhemil Çela, Skënder Çela, Spiro Adhami, Kasëm Kurti, Xhelal Martini, Skënder Backa, Novruz Bejleri, Ksenofon Nushi, Ylvi Demiri, Pandi Opari, Llazi Jakova, Sheme Beqiri, Spiro Stoja, Selam Hodaj etj etj.

Libri është pasurim i vyer i historisë së zbulimit ushtarak shqiptar dhe njëherazi një meritë e kolonelit Mehmet Musaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu