“Vriteni letërprurësin nëse…” Udhëtoi me letrën e vrasjes së tij pa e hapur. E mësoi çfarë shkruhej 60 vjet më pas

0
Gjigandi

Qemal Poçi është një emër i njohur si toksikolog, dhe si i tillë është prononcuar herë pas here në gazetën DITA. Ai ka qenë, veç të tjerave, edhe shok lufte i historianit Kristo Frashëri.

Në 2016, kur profesor Frashëri u nda nga jeta, z.Poçi solli në redaksi foton e mëposhtme. Ajo është shkrepur një vit pas mbarimit të luftës, në nëntor 1945 në Kukës.

Personat me uniforma ushtarake që shfaqen në foto janë drejtuesit e Brigadës XI Sulmuese. Në rreshtin e parë, nga e majta: Minir Dema, komisar batalioni, Dilaver Radeshi, komandant batalioni, Dilaver Poçi, zv.komisar brigade, Halil Pulaj, komisar brigade, Xhevat Ahmataj, komisar batalioni, Sul Domi, operativ i brigadës, Haki Driza, shefi i armatimit

Rreshti i dytë sipër, nga e majta:

Jano Andoni, komisar i kompanisë së shtabit, Fajko Zajmi, intendenti i brigadës, Shefqet Kruja, oficeri informativ i brigadës, Kristo Frashëri, agitpropi, Poshtë ulur, Qemal Poçi, korrier i shtabit të brigadës.

RonaTyra

Fatet e këtij grupi shokësh kanë qenë nga më të ndryshmet. Kristo Frashëri u bë nga historianët më konsistent, më prodhimtar dhe njëherësh ndër më të respektuarit e fushës, që edhe në moshë të shtyrë vijoi punën, duke përfunduar dhe sjellë për publikun disa nga punimet e tij më serioze.

Por historia mund të kishte qenë krejt tjetër për Kristo Frashërin. I përjashtuar nga partia që në vitin 1942, Frashëri u dërgua për riedukim në çetën e Pezës me një zarf në dorë, që i ishte dhënë nga vetë Enver Hoxha, brenda të cilit ishte një letër për komisarin e Pezës.

Sipas urdhërit të Hoxhës, Frashëri duhej ta dorëzonte letrën të pahapur. Ai zbatoi urdhërin dhe e dorëzoi letrën pa e prekur. 60 vjet më pas e kërkoi atë letër dhe e gjeti në Arkivin Qendror të Shtetit.

Letra kishte këtë përmbajtje: “Person i rrezikshëm, mbajeni nën kontroll, po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe. Enver!”

Me fjalë të tjera, ndryshe nga shoku i tij i ngushtë i Grupit të të Rinjve, Anastas Lula, Kristo Frashëri shpëtoi nga zemërgjerësia e atyre që u drejtohej letra, ose nga një instikt i brendshëm që e shtyri të punonte andej e tutje për luftën pa u përzier në përplasjet politike.

Frashëri kishte ardhur në Tiranë në vitin 1927 nga Stambolli, ku kishte lindur, dhe deri në momentin e shkrepjes së kësaj fotoje në 1945, ku ai cilësohet punonjës i agitpropit (agjitacion propagandës), kishte kaluar shumë dallgë.

Po emrat e tjerë në foto?

Dilaver Radeshi, kolonel i njohur, do të kritikonte veprimin e heqjes së gradave nga regjimi komunist në vitin 1966 dhe për këtë do të burgosej. 22 vjet pas kësaj fotoje, Radeshi do të shquhej si grevist urie në Spaç për kushtet e këqija në burg.

Dilaver Poçi, gjeneral dhe drejtor politik i ushtrisë, u internua e pastaj u burgos për ‘mungesë vigjilence’ pas dënimit të Beqir Ballukut. Edhe Sul Domi u godit në të njëjtën periudhë.

Personi që ka ruajtur foton, Dr.As.Prof. Qemal Poçi përfundoi studimet e larta për Veterinari Ushtarake dhe u dërgua për specializim në Bashkimin Sovjetik. Ai iu kushtua shkencës ndërsa ka mbajtur detyra të rëndësishme në mjekësinë ushtarake.

Rikthimi tek një foto e 75 viteve më parë, është jo vetëm një formë homazhi modest për Kristo Frashërin, por edhe një ftesë për të mos e harruar njerëzit dhe historinë e këtij vendi.

a.c./dita

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu