Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani gjatë adresimit të saj të përvitshëm ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës ka tërhequr vëmendjen pasi është shfaqur me një uniformë ushtarake.
Kjo dalje e Osmanit vjen në një kohë kur tensionet në veri të vendit vijojnë të jenë një çështje e nxehtë dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje mes palëve.
Osmani deklaroi gjatë fjalës së saj para trupave kosovare se më shumë se kurrë nevojitet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim.
“Viti që po lëmë pas u përcoll me sfida jo vetëm për ne, por edhe për botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet autoritare hegjemoniste. Prandaj, më shumë se kurrë na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t’i bëhemi gardianë.
Kjo gatishmëri e juaja për ta mbrojtur vendin nga çdo rrezik na bën krenar secilin… është nder e privilegj sa herë jam në mesin tuaj. Mbi të gjitha djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për të mbajtur integritetin territorial e sovranitetin e shtetit tonë… Ju shqyheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinë e përkushtim ndaj ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. Kjo na bën krenar ne si shtet”, u shpreh ajo.
o.j/dita