Policia e Kurbinit ka parandaluar një ngjarje kriminale dhe ka vënë në pranga një 41-vjeçar.
Rasim Mihana qëlloi në drejtim të banesës së një 60-vjeçari, për shkak të një konflikti të çastit, duke iu rrezikuar seriozisht jetën familjarëve dhe kur pa që po mbërrinte Policia, u largua në pyll.
“Pas kërkimeve dhe ndjekjes intensive, të kryera gjatë natës, në territorin e fshatit Malbardhë, nga Policia e Kurbinit, Forcat Operacionale dhe Shqiponjat e DVP Lezhë, Forcat e Sigurisë Kombëtare dhe forcat speciale “RENEA” u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 41-vjeçarit që qëlloi me armë zjarri, drejt banesës së 60-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu në këtë zonë shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit pushkë me të cilën qëlloi i arrestuari.
Rasim Mihana, rreth mesnatës, është konfliktuar për motive të dobëta, në ambientet e një lokali, me shtetasin C. H., 60 vjeç. Më pas Mihana, ka marrë armën e zjarrit, në banesën e tij, ka qëlluar me të, në drejtim të banesës së 60-vjeçarit, me pasojë vetëm dëme materiale, dhe është larguar në zonën e pyllëzuar të fshatit Malbardhë, Kurbin, për t’u fshehur.
41-vjexçari i arrestuar akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Pas arrestimit ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili përgëzoi Forcat e Sigurisë Kombëtare, Forcat “RENEA” dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
“Përgëzoj Forcat e Sigurisë Kombëtare, Forcat “RENEA” dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë për reagimin në kohë për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, si dhe për kapjen dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorit të ngjarjes. Parandalimi dhe reagimi në kohë janë elemente kryesore të rritjes së parametrave të sigurisë”, tha Balla.
p.k\dita