Ky është momenti i arrestimit të Artan Tafanit, 39-vjeçari i cili me deklarimet e tij çoi policinë në zbardhjen e 18 ngjarjeve kriminale, 6 prej të cilave vrasje të bujshme. 2 nga këto vrasje janë regjistruar në Greqi dhe 4 në Elbasan, Korçë, Lushnje e Tepelenë.
Në pamje tregohet momenti kur Tafani neutralizohet nga forcat e policisë. Siç duket në këto pamje, ai u gjet i fshehur poshtë shtratit në një hotel në autostradën Lushnjë-Fier. Me vete iu gjet pistoletë, para e dokumente false.
I arrestuar pak ditë më parë nga policia e Tiranës, pasi akuzohet si autor i grabitjes me dhunë i një pike të këmbimit valutor në zonën e Astirit në muajin qershor të këtij viti, Tafani shfaqi pendesë dhe rrëfeu krimet e kryera gjatë viteve 2021-2023, duke implikuar 15 persona të tjerë.
11 prej tyre u vunë në pranga mes të cilave dhe një vajzë, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim.
Mes personave për të cilin u lëshua një urdhër arresti, është dhe Laert Haxhiu, një emër i njohur i botës së krimit, që aktualisht ndodhet në burg në Greqi, pasi është dënuar me 18 vjet burg.
31-vjeçari sipas deklarimeve të Artan Tafanit, ka patur rolin e organizatorit kryesor, por edhe si pjesëmarrës në ngjarjet kriminale të zbërthyera.
Lojtës Videosh