Të paktën 29 persona kanë mbetur të vrarë në shtetin meksikan të Sinaloas, si pasojë e luftimeve që shpërthyen pas arrestimit të Ovidio Guzman, djali i trafikantit të drogës “El Chapo”.
Lajmin e konfirmuan autoritetet lokale, sipas të cilave viktimat janë 19 anëtarë të bandave kriminale dhe 10 anëtarë të forcave të armatosura.
Ndërkohë, janë publikuar pamjet e para pas arrestimit të të shumëkërkuarit e kartelit “Sinaloa”, 32-vjeçari Ovidio Guzman, djali i Joaquin “El Chapo” Guzman, ky i fundit i ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2017.
Arrestimi i djalit të “El Chapos” u realizua nga forcat e sigurisë meksikane të mërkurën në mbrëmje, gjë që shkaktoi një valë të madhe dhune në të gjithë shtetin e Sinaloas, duke përfshirë edhe një aeroport ku shokët e Ovidios goditën me plumba tre avionë, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve dhe stafit.
Videot dhe fotot e shpërndara në internet nga gazetarët meksikanë treguan se trashëgimtari i kartelit dukej i tronditur në paraburgim.
I veshur me një jelek portokalli me ngjyrë burgu, ai shikon me sy të trembur, ndërsa merret në pyetje nga oficerët. Një foto e dytë e tregon atë duke u futur në një helikopter.
a.m/dita