Veliaj inspekton punimet në Rrugën e Thesarit: “Rruga e re rrit vlerën e pronës, rregullon trafikun; terminali lindor gati”

0
Gjigandi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet në Rrugën e Thesarit në kryeqytet. Gjatë inspektimit, Veliaj tha se janari ka nisur mbarë për Njësinë 1 dhe 2, pasi kjo rrugë është nyja që lidh zonën e Qytetit Studenti me gjithë zonën e Thesarit.

“Janari ka nisur shumë mirë dhe mbarë për Njësinë 1 dhe 2. Këtu jemi në nyjen që lidh dy rrugët ku zënë fill dy nga njësitë më të mëdha të Tiranës, ku edhe krijohet një fluks i jashtëzakonshëm me Qytetin Studenti. Pas ndërtimeve kaotike të viteve ’90, të dyja rrugët kanë qenë pa trotuare, si rrugica të sajuara, por sot jemi në një situatë krejt tjetër. Duke e bërë rrugën me një kalim kemi fituar dy trotuare të bollshëm për këmbësorët. Një qytet i mirë duhet të ketë vend për makina, por s’mund të ketë vend vetëm për to. Duhet të ketë vend edhe për këmbësorët. Kur kemi dy trotuare, trotuarit i rrisim vlerën, ato krijojnë jetë në nivelin zero sepse punon një parukeri, një dyqan i lagjes, një kafe apo një dyqan tjetër. Kështu, rigjallërohet e gjithë zona. Pa trotuare, për njerëzit është e rrezikshme të kalojnë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se do të ketë një ndryshim të sensit të qarkullimit; pra, nga Shkolla e Baletit për të dalë te dega e Thesarit, do të jetë vetëm me një kalim, për t’i dhënë më shumë hapësirë lëvizjes, sidomos në kohën e pikut, në 08:00 të mëngjesit dhe 16:00-17:00 mbasdite.

Nga ana tjetër, kreu i Bashkisë tha se ky vit do jetë viti i vendimeve të rëndësishme, teksa rreshtoi disa nga investimet që do prekin Tiranën.

“Siç kemi premtuar, një nga terminalet e autobusëve, ai në Lundër, ka mbaruar dhe po vendosim sinjalistikën. I gjithë trafiku i autobusëve dhe mikrobusëve që vjen nga Shqipëria Lindore dhe Juglindore, do të ndalojnë tek ai terminal, ndaj një pjesë e madhe e trafikut që shkaktohet në segmentin nga Dëshmorët e Kombit deri te rreth rrotullimi i Fakultetit Ekonomik, që është kryesisht për efekt të terminalit të përkohshëm që kemi në Qytetin Studenti, do të vendoset në Lundër. Qyteti Studenti vetë do të kthehet në një kantier për Kampusin e ri Universitar. Por vetëm heqja e trafikut të autobusëve dhe mikrobusëve lehtëson ndjeshëm trafikun në Tiranë. Si në çdo qytet, nuk vihet me autobusë deri në qendër të Tiranës. Do të fillojmë punë, po këtë muaj, edhe për terminalin tjetër, atë perëndimor, ku kryesisht do vijnë autobusët nga autostrada e Durrësit, duke përfshirë veriun dhe jugun e Shqipërisë. Do të punojmë me dy faza: fillimisht në njërën pjesën të terminalit, aty ku nuk kemi autobusët, pastaj do ndërtojmë vendet, pra pa i lëvizur si destinacion, për të përfituar më në fund atë lirim të trafikut që na krijuar rrethrrotullimi i Shqiponjës dhe gjithë Unaza e Madhe”, shpjegoi Veliaj.

RonaTyra

Ndërkaq, ai preku edhe situatën me parkingjet nëpër lagje. “Po ta shohësh, këto janë pallate të vjetra, për të cilat ne vërtet mund të bëjmë nivelin zero nga e para, por nuk mund të bëjmë nëntokën e pallateve që janë ndërtuar në vakt. Kjo do të thotë se teksa shumë prej banorëve, prej mirëqenies, kanë marrë nga 1-2 makina, do të duhet që të përdorin maksimalisht parkingun që kemi tek ‘7 Xhuxhat’. Është një zonë për të cilën pati shumë debate. E morëm zonën nga privati, ia kthyem shtetit, lart ndërtuam këndin e lodrave, kurse nëntokë kemi dy kate parkim. Ajo që propozojmë është: Të njëjtat çmime, në mos edhe më lirë, fare mirë mund të përdorim parkingun e bashkisë. Për të gjithë ata që frekuentojnë zonën e Thesarit, që vijnë për procedura ose transaksione te Thesarit të Shtetit, i lus të përdorin parkingun nëntokësor, si në çdo vend të botës. Poshtë makinat, njerëzit lart”, tha ai.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve sepse vetëm kështu mund të funksionojë edhe institucioni shtetëror, por nuk pengohen nga banorët që jetojnë në këtë lagje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu