Grafite kërcënuese janë shënuar në muret e ndërtesave në qendër të Beogradit, ku kërkohet vdekja e ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill.
Sipas mediave serbe, grafiti “Vdekje për Chripher Hillin” është shkruar në objektin që ndodhet në cep të Bulevardit despoti Stefan dhe Rrugës “Cetinjska”.
Ky nuk është rasti i vetëm i kërcënimeve që i drejtohen ambasadorit amerikan. Kujtojmë se, dy ditë më parë një person është ndaluar nga Beogradi për mesazhe kërcënimi ndaj ambasadorit Hill.
I arrestuari, siç dyshohet, ka shkruar në rrjetin social “Facebook”, ndër të tjera, “Koha për një goditje të re të Gavrilo Principit direkt në kokën e okupatorit Christopher Hill”.
Ndërsa, tre ditë më parë (12 tetor), ambasadori i SHBA në Serbi, Christopher Hill gjatë fjalës së tij në Konferencën e Sigurisë së Beogradit, tha se do të donte që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, por sipas tij problemi është më kompleks se kaq.
j.l./ ABC24.AL