Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka do të jenë sërish makthi i serbëve edhe në eliminatoret e Europianit të 2024-ës. Kjo pasi, UEFA, ka vendosur që Bjellorusia të luajë ndeshjet e saj si pritëse në Novi Sad të Serbisë, për shkak se bjellorusët kanë mbështetur sulmet ruse ndaj pushtimit të Ukrainës.
Në këtë mënyrë lojtarët shqiptarë të Zvicrës do të luajnë në Serbi ndeshjen kundër Bjellorusisë, takim që do të luhet më 25 mars të vitit 2023. Kujtojmë se përveç Bjellorusisë, Zvicra në Grupin I luan edhe me Kosovën, Rumaninë, Izraelin e Andorrën.
Ndërsa për sa i përket Xhakës dhe Shaqirit, dy futbollistët me origjinë shqiptare janë bërë makthi i serbëve në dy Botërorë rresht, pasi janë pikërisht lojtarët shqiptarë ata që ia kanë dalë të dërgojnë në shtëpi kombëtaren serbe, pasi i kanë eliminuar nga ky kompeticion në “Rusi 2018” dhe së fundmi në “Katar 2022”.
Gjasat janë të mëdha që në ndeshjen ndaj Zvicrës, stadium të jetë i tejbushur, ku tifozët serbë pritet të mbështesin Bjellorusinë kundër Xhakës, Shaqirit & CO.
a.m/dita