Endrit Dokle është liruar nga policia e Tiranës, pasi u shoqërua mbrëmjen e djeshme.
Dokle u ndalua teksa ishte duke lëvizur në automjet bashkë me Fatjon Muratin dhe Gentjan Reçin. Pas verifikimeve të kryera, uniformat blu kanë lënë të lirë 3 të shoqëruarit.
Fatjon Murati ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Kurbinit pasi emri i tij doli në hetimet pas masakrës së Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë tre persona, Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Ndërkohë sjellim në vëmendje se Dokle u mor në pyetje nga policia pak javë më parë pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Kjo pasi emri i Martinajt u nxor nga i penduari i Drejtësisë Nuredin Dumani i cili tha se kishte marrë një porosi nga “Mbreti” i lojërave të fatit për elimunuar Doklen kundrejt një pagese prej 500 mijë eurosh.
Dokle mohoi të ketë gisht në zhdukjen e Martinajt i cili rezulton i zhdukur prej datës 10 Gusht.
Më tej shtojmë se prej disa ditësh tashmë policia ka nisur kontrolle të shumta në disa qytete për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe zbardhjen e ngjarjeve të ndryshme kriminale.