Këtë të premte zhvillohet gara për kreun e ri të SPAK.
Të tre kandidatët, pavarësisht opinioneve që qarkullojnë për varësinë e njërit apo tjetrit, janë prokurorë nga më të mirët e vendit. Dhe nga më kurajozët, përderisa kanë treguar gatishmërinë për të marrë përsipër një përgjegjësi të tillë. Por cilido prej tyre që do marrë votat e duhura, sfidën e vërtetë nuk e ka nesër me dy kolegët. E ka në vazhdim, gjatë ushtrimit të detyrës.
Pritshmëritë e opinionit publik ndaj SPAK janë tashmë të ditura. Aty është investuar shpresa për barazi para ligjit, çka do të thotë para së gjithash që shqiptarët presin nga SPAK që kreu dhe anëtarët të kenë të njëjtin këndvështrim dhe qëndrim me opinionin publik, sa i përket ndëshkimit të munguar të politikanëve e zyrtarëve të lartë.
Janë goditur deri tani edhe ministra, pra nuk është e vërtetë që SPAK ka goditur vetëm “peshqit e vegjël”. Por le të mos fshihemi pas gishtit. E dinë të gjithë që kampioni i grupit të sipërpërmendur është ish-presidenti e ish-kryeministri Berisha. Nuk ka qetësi në Shqipëri pa u ndëshkuar krimineli më i madh politik i 30 viteve të fundit.
DITA e ka theksuar këtë nevojë të ethshme të shoqërisë shqiptare që në themelimin e saj. Përballë ka patur pas 2013 një linjë qëndrimesh, që erdhi duke u bë më e zëshme, – sa më e largët bëhej dita kur S.Berisha u largua nga karrigia e kryeministrit. Sipas këtyre, kërkimi i drejtësisë për bëmat e Saliut ishte demode, mbante era naftalinë; “akoma ju me Doktorin, tani ai nuk është në pushtet, merruni me qeverinë, nuk e shikoni që ekonomia po lëngon, Saliu e hëngri çairin e vet” etj etj.
Këto lloj artikulimesh shkonin deri aty sa jepnin mesazhin “ç’u bë u bë, të shohim drejt së ardhmes, rëndësi ka këtej e tutje”. Ishte njëfarë ftese për amnisti “publike” për njeriun dhe politikanin që në agun e epokës më fatlume të vendit, u bë fatkeqësia më e madhe e tij. Kjo epokë ishte viti ’90, mbërritja në këtë vend, e një flladi mundësish të pafundme për prosperitet, drejtësi, liri fjale dhe sipërmarrjeje, shtet ligjor dhe të së drejtës, thënë ndryshe gjithë ato tipare që e bëjnë një vend demokratik dhe një popull të lirë të përpiqet në paqe për begatinë dhe përparimin e vet.
Berisha, përgjatë viteve dha shembuj të njëpasnjëshëm se ishte e kundërta e të gjitha këtyre elementeve. Rezymeja e bëmave dhe gjëmave të tij është formuluar mjaft herë tek DITA; por nëse sot e kësaj dite ky vend përpëlitet mes progresit dhe regresit, duke ecur përpara me milimetra kur duhej të kishte përparuar me kilometra, emëruesi i përbashkët i shumë vuajtjeve shqiptare të 30 viteve të fundit, mban logon Berisha.
Duhet qartësuar diçka: Ka një dallim të stërmadh mes një qeveritari e qeverisjes së keqe të tij, që në çdo vend demokratik largohet me votë; dhe etapës tjetër, asaj kriminale në të cilën zhytet ky qeveritar. Në rastin tonë, ka fakte të panumërta se personazhi që (fatkeqësisht) i ka dhënë tonin viteve post-diktatoriale por jo pak autoritariste shqiptare, ka kryer ose urdhëruar krime. Qofshin ato të natyrës penale, apo të natyrës ekonomike. Qofshin të profilit korruptiv, apo të masakrimit të cilësisë së një demokracie. Pa harruar një tentativë që dikur vetëm Ahmet Zogu ja kishte arritur: Dhurimin e një sipërfaqeje të territorit kombëtar një shteti tjetër.
Ndërkaq, dora-dorës dhe vit pas viti, Berisha kreu dhe aktin tjetër gjymtues që po e vuajmë sot e gjithë ditës, zhbërjen e drejtësisë si nocion dhe si sistem. Dhe i pari që vazhdon përfiton edhe tani që po flasim nga kjo, është pikërisht ai.
Na ftonin pra, paqtorët e mësipërm, për një amnistim final, të madh, të fundit për këtë “burrë shteti”. Si amnistitë që ai i ktheu në modus operandi kur falte toka e prona që s’ishin të tijat, duke bërë një lëmsh pronash që futi në dhé (në kuptimin e parë të fjalës) shumë shqiptarë; kur falte çdo vit a çdo dy vjet drita e ujë të papaguar, tatime të paderdhura, evazione fiskale të akumuluara, e pse jo, kur amnistonte dhjetra kriminelë nga burgjet se i duheshin për planin e radhës.
Të merresh ende me Berishën është dogmatizëm, është mungesë fantazie, është t’i mbash sytë nga e shkuara sepse nuk dëshiron të shohësh të tashmen – thonë langot e tij.
Do ishte një lumturi e madhe të ishte kështu, dhe do t’i pranonim me qejf të gjithë epitetet e “paqtorëve”. Por realiteti është paksa ndryshe. Le ta argumentojmë.
Së pari, DITA, kjo “ekstremiste që i kishte mbetur ora tek Berisha”, e ka treguar përmes faqeve të saj se nuk ka ngurruar të kritikojë qeverinë për shumë gjëra që nuk shkojnë mirë, e në vijën e parë të problematikës është ekonomia. Nëse ka dhe deri ku shkojnë pasojat që la qeverisja e mëparshme, kjo padyshim që u përket ekspertëve ta saktësojnë, por ky kabinet prej shumë kohësh nuk mundet më që për këtë sektor të fajësojë paraardhësit.
Por jo më pak e rëndësishme është drejtësia, e cila ishte para reformës një kartel i vërtetë pushteti që prodhonte e ofronte gjithçka, veç drejtësisë. Dhe “produktet” e të cilit i shtrinë ndikimet e veta në çdo fushë tjetër.
Është pra ky sistem (pa)drejtësie që merrte urdhra nga Berisha, që ne sbpresojmë se ka rënë me Reformën. Të bësh reformë në drejtësi do të thotë para së gjithash që nëse ke vjedhur miliarda, nëse ke dhënë urdhër për krime, nëse refuzon të bashkëpunosh me drejtësinë e madje prish provat (shembujt konkretë le t’i rreshtojë kushdo nga lexuesit), duhet të përgjigjesh. Siç, mirë apo keq, është përgjigjur për akuza krejt të tjera Berluskoni, Shirak, e deri tek Helmut Kohl. Për të mos zbritur në shembuj të freskët ballkanikë, nga Kroacia e Greqia, në Rumani e Bullgari.
DITA, për saktësim termi, nuk e shan por e akuzon Berishën. Dhe, vini re, këtë nuk e bëjmë në emër të së shkuarës, por të së ardhmes.
Është e qartë se “paqtorët” jashtë dhe brenda kësaj mazhorance, kanë tjetër gjë në mendje. Nuk ka komoditet më të madh sesa pakti i poshtër i mossulmimit; sesa motoja “s’më ngave, s’të ngas”, ku qeveritë dhe kabinetet rrotullohen njëra pas tjetrës, ti vodhe, unë vrave, të gjithë vodhëm e vramë; vërtetë u shamë ca, por jeta vazhdon sepse çfarë nuk i ra në kurriz këtij qerratai popull dhe nuk e mbajti. Apo nuk është ky një popull me kujtesë të shkurtër, që nuk ka memorie të largët pikërisht sepse e kemi lënë të përpëlitet për bukën e sotme. Shkurt hesapi, turmë…
Me fjalë të tjera, “dosja Berisha” (dhe fjala nuk është për një person, por të gjithë ata që kanë abuzuar në emër dhe nën urdhrat e tij) nuk është e djeshmja, por e ardhmja e këtij vendi.
E keqja që nuk ndëshkohet, u jep alibi dhe mundësi qeveritarëve të sotëm e të nesërm të shijnë si të duan. Më pakta, u heq barrën e rëndë të përpjekjes për të mirëqeverisur, qoftë dhe nën justifikimin “s’kemi faj ju, doni kthimin e Berishës prapë, që ta kuptoni sa të mirë jemi ne?!”.
Ja pse ka të drejtë “e fiksuara” Dita dhe pse zgjedhja e sotme në SPAK, para së gjithash lidhet me pyetjen: Prangosni këdo të djeshëm e të sotëm që abuzon me pushtetin, po cili nga këta tre burra do prangosë Saliun?
Dita