Tirana vend kandidat për organizimin e botërorit të peshëngritjes në 2024, Veliaj pret Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës

0
Gjigandi

Tirana është kandidate për të qenë vendi organizator i Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti ditën e sotme Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Botërore të Peshëngritjes, Antonio Urso, i cili dha edhe lajmin e mirë për vendin tonë.

Kryebashkiaku vlerësoi angazhimin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, e cila fill pas kampionatit të të rinjve, që do të zhvillohet në mars të këtij viti në Durrës, po shqyrton edhe mundësinë e zhvillimit të kampionatit të të rriturve vitin e ardhshëm në Tiranë.

“Një kandidaturë e Shqipërisë për të qenë mikpritëse e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes në vitin 2024, do të ishte diçka që do të mbështetet padyshim nga unë, por jam i sigurt Kryeministri, Komiteti Olimpik, Ministria e Arsimit dhe gjithë komuniteti. Unë besoj fort se shansi na është dhënë në të gjitha sportet, por kemi treguar se jemi më të mirë në disa sporte, siç ka qenë peshëngritja dhe atletika. Prandaj, dua të stimulojmë edhe aktivitetet ndërkombëtare rreth atyre sporteve, ku ne kemi treguar edhe me medalje, edhe me rezultat, se kemi më shumë prirje. Për ne do ishte privilegj i madh dhe mundësi e jashtëzakonshme që ta mirëprisnim kampionatin, siç po bëjmë edhe me të rinjtë, ashtu të bëjmë edhe me të rriturit në vitin 2024. E vlerësoj angazhimin tuaj,” u shpreh Veliaj.

Ai e vuri theksin edhe në faktin se në gjithë këto vite, por sidomos gjatë 2023-shit, ku Tirana është dhe Qyteti Europian i Sportit, fokusi te sporti është maksimal, me synimin kryesor te angazhimi i sa më shumë të rinjve në një jetë të shëndetshme dhe aktivitet fizik.

“Jemi në një situatë kur të gjithë palestrat e Tiranës janë të hapura për komunitetin. Nuk ka rëndësi sa para ke, i kujt je, apo nëse vjen nga një familje sportive, shansi i jepet të gjithëve në basketboll, volejboll, xhudo, ping-pong, të përfshihen në aktivitete fizike. Kjo është një thirrje për prindërit, të mendojnë që fëmijët e tyre fillimisht nga ana fizike duhet të jenë mirë. Ne kemi qenë gjenerata e atyre që u rritën me tollona. Nuk mund të jemi sot gjenerata e atyre që obezitetin e kanë problemin numër një dhe janë pacientet e ardhshëm të spitaleve me sëmundjet kardiake dhe sëmundjet e frymëmarrjes. Duam të jemi shoqëri e shëndetshme nga ana fizike dhe një shoqëri e shëndetshme nga ana e karakterit,” nënvizoi Veliaj.

RonaTyra

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Botërore të Peshëngritjes, Antonio Urso, vlerësoi pritjen e kryebashkiakut Veliaj, teksa tha se Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një vend potencial për aktivitete të mëdha sportive. “Faleminderit për ftesën, faleminderit për mundësinë që më dhatë për të vlerësuar Tiranën, ndryshimet që kanë ndodhur këtu dhe do të doja t’ju përgëzoja për këtë hov të ri. Është një qytet i jashtëzakonshëm. E vlerësojmë shumë atë që bëni, jo vetëm për Qytetin, por edhe për sportin, për mënyrën se si peshëngritja në Shqipëri po rritet në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Erdhëm këtu për të bërë një vizitë teknike për kampionatin e ardhshëm të të rinjve, i cili do të zhvillohet në muajin mars në Durrës. Përgjatë diskutimeve që kemi pasur këto ditë, i drejtuam një ftesë kreut të Federatës Shqiptare, që të kandidojë Shqipërinë në 2024, për kampionatet e ardhshme botërore për të rritur që do jetë një ngjarje e jashtëzakonshme, menjëherë pas Lojërave Olimpike të Parisit, ndaj shpresojmë të jemi sërish këtu në 2024,” deklaroi Urso.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu