Nga DHIMITËR SHTËMBARI*
1.
Kur isha i vogël, pesë – gjashtë vjeç në fshatin Mashkullorë, shokët më pyesnin me një lloj naiviteti.
– Po ti, Sevo, ke baba?!
Mbasi mendohesha pak se si t’ua jepja përgjigjen, ua ktheja me dhimbje:
– Si nuk kam! Edhe unë kam baba. Ai është larg – larg, por do të vij. Ne po e presim.
Ditën tjetër, një javë më vonë, një muaj më pas, sërish i njëjti avaz:
– Sevo, të erdhi babaj?!
Sevos i mbusheshin sytë me lot. Ai i shikonte moshatarët dhe moshataret e tij me baballarët e tyre, ndërsa ai… ai as që e përfytyronte dot të atin se si do të mund të ishte si fytyrë.
Se i ati, Jano, ishte larguar për në Argjentinë si emigrant ekonomik. Djalin e kishte lënë në bark të bashkëshortes së vet.
– Pse punon vet me bel?! Ti je i vogël… Ne na punojnë prindërit, babai e nëna, po ty përse nuk të vjen në punë babai?!- flisnin me naivitet të tjerë.
Herë – herë ndërhynte me shumë takt e me fjalë të ngrohta e ëma, Savo, që i “sqaronte” moshatarët e të voglit Sevo:
– Edhe ju duhet të punoni nga pak si Sevo, se nuk ju bën keq. Edhe ju duhet t’i ndihmoni prindërit, sepse ca punë mund t’i bëni edhe ju.
Dhe të vegjlit largoheshin, duke marrë një mesazh që do të mund t’u shërbente.
2.
Në moshën e adoleshencës, ka pas treguar Sevo Tarifa, ndodhesha në Tiranë. Kuptohet, për të fituar ndonjë lloj zanati për t’i bërë ballë jetës. Rasti e solli që të shërbeja edhe në shtëpinë e Haki Stërmillit. E shikoja që Hakiu shkruante me një makinë daktilografike. Një ditë i drejtohet:
– Zoti Haki, a mund t’ma mësosh edhe mua këtë zanat?
Shkrimtari e kishte shikuar me një lloj habie. Dhe, aty për aty, ia kishte kthyer:
– Po përse dëshiron ta mësosh këtë zanat, mor bir? Ke ndërmend të bëhesh shkrimtar?
Nuk po dinte se si t’i përgjigjej Sevoja i ri. Detyra e tij deri në ato çaste ishte të bënte pazarin e zakonshëm të familjes, si dhe punën e një farë korrieri. Gjithsesi, i ishte përgjigjur:
– Shkrimtar si ju nuk bëhem dot, por një shkrues i zakonshëm edhe mund të bëhem…
Hakiu qe ngritur në këmbë, e pat vështruar në sy gjirokastritin adoleshent dhe i qe përgjigjur:
– Dakort jam. Kur makina të jetë e lirë, vazhdo të shkruash.
Dhe Sevoja iu fut kësaj valleje. E mësoi shumë mirë detyrën e të shtypurit me makinë daktilografike.
Mbas çlirimit të Atdheut Sevo Tarifa do t’i vinte rasti të punonte daktilografist në Komitetin Qarkor të Partisë së Gjirokastrës dhe në Komitetin Ekzekutiv të po këtij qarku.
3.
Kur qe ndezur lufta çlirimtare gjithandej, Sevoja i ri vendosi të kthehej në vendlindje, por jo për të qëndruar aty, por për të dalë malit me shokët.
– Ku do të shkosh, mor çun! – i pat thënë zotnia ku shërbente në ato çaste në Tiranë. – Nuk të hahet buka jonë, apo do të shkosh t’u bëhesh shokë morracakëve!
Kaq iu desh Sevos që të vendoste përfundimisht. Mori ato pesë lekë që i dha zotnia për punën që kishte bërë dhe… vrap në Mashkullorë te e ëma.
Nënë Savoja po priste t’i dorëzonte ndonjë lekë, por i biri i kishte prishur: kishte blerë një pushkë të gjatë italiane.
– Erdha nga Tirana, ndërsa tani do të shkoj…
E kishte shikuar në sy të ëmën dhe nuk kishte folur më tej. E ëma e kishte kuptuar. Nuk kishte dashur t’i flitej më tej. Edhe të tjerë moshatarë të Sevos ishin nisur për në luftë. Kur i biri priste bekimin e së ëmës, nënë Savo i ishte drejtuar:
– Shko bir, por kujdes. Të kam djalë të vetëm. Yt atë nuk dihet ku është. Unë të kam ty dhe perëndinë.
Nënë Savo e pat puthur fort dhe e pat shoqëruar tutje fshatit.
I përfshirë në radhët e Brigadës VI Sulmuese Partizane, Sevoja së bashku me shokët do të marshonte e do të luftonte në çdo përpjekje kundër pushtuesve nazistë gjermanë.
Për ca kohë ka qenë korrier në shtabin e Divizionit II Partizan.
Çlirimi i atdheut e gjeti në Shkodër, ku mori pjesë edhe në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, të parat zgjedhje që krijuan Asamblenë Kushtetuese.
4.
Siç shkruajnë në gazetën “Dita” fabulistët e njohur Izet Çulli e Kastriot Hadëri, pas çlirimit Sevo Tarifa e nisi jetën me lopatë në Rruga – Ura, për të vazhduar, mandej, si sekretar teknik në Këshillin Sindikal, ofiqar në Gjendjen Civile në Këlcyrë, daktilografist në Komitetin Qarkor të Partisë dhe me po këtë punë edhe në Komitetin Ekzekutiv të Qarkut.
Në vazhdim – drejtor i Radio Gjirokastrës, sekretar i Komitetit të Rinisë të qytetit deri edhe Sekretar i Parë i Komitetit të Rinisë të rrethit të Gjirokastrës.
Kohë më pas u zgjodh Sekretar i Parë i Komitetit të Rinisë të qarkut të Elbasanit, ku mbulonte pesë rrethe.
Ka pas treguar Sevoja:
Ndërsa isha deri natën vonë në një fshat të rrethit të Librazhdit, sekretari i organizatës – bazë të partisë të fshatit na fton për darkë. Shkojmë. Gjatë darkës shikojmë të lëvizin dy shoqe, një grua rreth të pesëdhjetave dhe një tjetër poshtë të tridhjetave.
– Po këtë ç’e ke; nusen e djalit? – i drejtohem mikut që na kishte ftuar për darkë.
Mikut iu duk pyetje e habitshme, prandaj nuk foli. Por heshtjen e theu pesëdhjetëvjeçarja:
– Shoku Sevo; kjo është nusja e natës, ndërsa unë jam nusja e ditës!!!
Mbeta pa frymë. Ndodhesha para një fakti tepër të rëndë. Ne sapo kishim ardhur nga një mbledhje, ku kishim bërë fjalë pikërisht për zhdukjen e mbeturinave të së kaluarës. E pash më të udhës të mos flisja. Ishim mysafir tek dikush që na kishte hapur derën si mik.
Të nesërmen mikpritësi u thirr në mbledhjen urgjente të organizatës – bazë të partisë dhe iu kërkua të reflektonte.
5.
Ndërsa ishte Sekretar i Parë i Komitetit të Rinisë të rrethit të Tiranës Sevo Tarifa merrej jo thjesht në fushën e propagandës, por edhe me veprimtari konkrete.
Me orientim të Komitetit Qendror të Partisë, Komitetit Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit iu shtrua detyra që të krijonte një park të madh mu në zemër të kryeqytetit.
– Ju, si rini, çfarë merrni përsipër të kryeni për parkun që mendohet të krijohet? – i qe drejtuar pyetja Sevos në mbledhjen e zgjeruar të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit.
– Marrim përsipër gjithçka – i qe përgjigjur Sevoja.
– Si gjithçka?! – pat nxituar të thoshte dikush.
– Parkun ta krijojmë natën, që kur të ngrihen në mëngjes banorët e kryeqytetit të befasohen nga pylli i pishave në këtë park…
– Ashtu?!
– Po, i kemi menduar të gjitha. Madje i kemi marr edhe masat konkrete.
Dhe vërtet ndodhi ajo që pat menduar Sevoja: Rinia atdhetare e Tiranës për tërë natën hapi gropat e drurëve që do të mbilleshin, të tjerë sollën nga larg fidanët e pishave, të tjerë krijuan rrugicat brenda parkut, të tjerë mbollën lule…
Dhe në mëngjes banorët e Tiranës u befasuan nga parku që u kishte mbirë nga dheu aty përballë Hotel “Dajti”.
Dhe që nga ai çast, edhe pse jo i konfirmuar zyrtarisht, ai park u quajt Parku “Rinia”
6.
Erdhi një kohë që Komiteti i Partisë i ish rrethit të Gjirokastrës e zgjodhi Sevo Tarifën sekretar të atij Komiteti për propagandën.
– Më falni! – qe hedhur dikush nga ata të plenumit të Komitetit të Partisë të rrethit. – Ne vërtet po zgjedhim sekretar shokun Sevo, por.. . a e njohim mirë këtë kuadër?! E kam fjalën kush është dhe nga vjen?
Të gjithë i kishin drejtuar sytë nga ai, pale se ç’do të thoshte më shumë.
– Përderisa na është sjellë kandidatura e tij për sekretar Komiteti, natyrisht që është i pastër politikisht, – sqaroi ai që drejtonte mbledhjen.
– Po sa i pastër është?! Atij pardje i erdhi i ati nga Argjentina! Tridhjete e ca vjet andej nga Argjentina…
U munduan disa që ta qetësojnë atë që kishte ngritur pikëpyetjen, duke i thënë se Jano Tarifa ishte thjesht një emigrant ekonomik e se edhe atje ku kishte qenë ishte anëtar aktiv në rrethet atdhetare të shqiptarëve të mërguar.
Ca ditë më vonë Sevoja ishte parë duke pirë kafe me atë që kishte shfaqur hije dyshime për të atin e Sevos.
– More Sevo, si ore pije kafe me atë… armikun tënd?! – i qe drejtuar sekretarit të sapozgjedhur të Komitetit të Partisë të rrethit.
– Me cilin armik e ke fjalën?
– Me atë, mo, që nuk donte të zgjidheshe ti Sekretar Komiteti për shkak të babait tënd “armik”.
– Jo, more shoku im; ai nuk bëri gabim. Tha ndershmërisht atë që ndjente.
Sevoja ishte tepër i kthjelltë në ndërgjegje.
– Dhimitër, nesër na vjen një mik i përbashkët; Sabri Sevrani. Takohemi te klubi “Veterani”.
Kështu më thotë Sevoja në një mbrëmje të vonë me anë të telefonit.
Të nesërmen në mëngjes veterani i mirënjohur i LANÇ Sabri Sevrani na priste. Kishte ardhur më herët se ne. Pas përshëndetjeve të rastit, e merr fjalën miku ynë i ardhur nga Durrësi:
– Kam një libër me kujtime, dua të ma shikoni me kujdes. Ku të shikoni se e kam tepruar me ndonjë lëvdatë, i hiqni vizë. Vizë të trashë. Se nuk dua të ketë lustër libri im. Se ndryshe do të na qeshin…
E dëgjonim tërë sy e vesh atë burrë të nderuar dhe na vinte çudi se si ai kërkonte vetëm shkurtim të materialit. Shkurtim dhe ku? Atje ku ai tregonte, sinqerisht, unin e tij të vërtetë.
– Këtë dorëshkrim po e mbaj unë sot, kështu që nesër do ta keni ju në dorë, – më drejtohet Sevoja.
Duke e parë materialin me shumë faqe, i drejtohem paksa i habitur.
– Do ta mbani vetëm sot?!
– Po, po, sot; nesër do ta keni ju në dorë.
Dhe vërtet të nesërmen që në mëngjes Sevoja erdhi në klubin “Veterani” dhe më solli librin shoqëruar edhe me shumë fletë me shënime, ku bënte sugjerime tepër profesionale.
– Si, more, arritët ta lexonit e të mbanit shënime për një libër shmëfaqesh vetëm për një ditë?! – i drejtohem.
Miku im përballë vuri buzën në gaz dhe ma pat me të parën:
– Nuk qe vetëm një ditë. Ishte një ditë dhe një natë. Unë punoj edhe natën…
Kishte të drejtë: Sevo Tarifa ishte i palodhur.
8.
Gjatë tri dekadave të fundit konferencat kombëtare të veteranëve të LANÇ Sevo Tarifën e patën zgjedhur anëtar të Komitetit Kombëtar, ndërsa ky i fundit, në mjaft vite, e pat zgjedhur anëtar të Kryesisë së këtij Komiteti.
Dhe Sevoja ishte nga ata veteranë të LANÇ që detyrën e kuptonte jo thjesht vlerësim dhe nder, por edhe detyrë e përgjegjësi.
Ndërsa bisedonim një ditë, kohë më parë, ashtu duke pirë kafe, më drejtohet miqësisht:
– Lexoj gazetën “Kushtrim brezash” dhe, kuptohet, më pëlqen, sepse shkruan për luftën e shokëve të mi, mirëpo…
Qëndroi një çast dhe vazhdoi:
– Të rinjtë e të rejat, që nuk e kanë njohur luftën, që nuk kanë ç’të kujtojnë, sepse nuk kanë qenë në rreshtat partizane, dëshirojnë të lexojnë shkrime të stilit letrar. Pra, i përcillni kujtimet edhe me letërsi. E kam fjalën të shtoni bashkëpunëtorë nga radhët e shkrimtarëve, por edhe vet të vini dorë në shkrime për t’i përmirësuar nga ana letrare…
Kishte të drejtë Sevo Tarifa: Brezi i ri i lexuesve ka më shumë pretendime lidhur me nivelin publicistik dhe letrar të shkrimeve.
* * *
Gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit Sevo Tarifa nuk iu nda kompjuterit. Punoi pareshtur. Në librat e tij të shumtë, mbi 100 të tillë, ai futi njeriun e thjeshtë atdhetar; ish partizanin e kohës së LANÇ, dëshmorin e Atdheut, njerëzit e thjeshtë të popullit që hapnin dyert e shtëpive të tyre për të pritur e fshehur ilegalët trima.
Shkrimtari i madh Dritero Agolli e ka konsideruar Sevo Tarifën sociolog, sepse shihte te ky njëri i letrave intelektualin e shquar që interpretonte karaktere njerëzish dhe dukuri shoqërore.
Sevo Tarifa u largua nga kjo jetë, por mbeti në libra dhe në shkrimet e ndryshme të botuara në organe të shumta shtypi.
* Nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”