Në vijim të operacioneve në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Prush dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Korridori”, ku në dalje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi J. K., 38 vjeç, banues në Gjakovë, pasi nga kontrolli në automjetin tip “Peugeot” që drejtonte ky shtetas, u gjetën rreth 32.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Sasia e lëndës narkotike, e ndarë në disa pako, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 38-vjeçarit.
Nga hetimet rezultoi se shtetasit J. K., automjetin së bashku me lëndën narkotike, ia kishin dhënë në Morinë, shtetasit G. M., nga Kosova, dhe A. A., nga Maqedonia e Veriut. Shtetasi J. K., kundrejt pagesës, do ta kalonte lëndën narkotike, në Kosovë, nëpërmjet PKK Qafë Prush.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe koordinimit me Policinë e Kosovës, u bë e mundur kapja në Kosovë, e shtetasve G. M. dhe A. A.
Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se në këtë rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, janë të përfshirë dhe 1 shtetas maqedonas dhe 2 shtetas serbë. Në bashkëpunim me policitë homologe, vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
p.k\dita