Të urtë e të thjeshtë, deri në madhështi

0
Gjigandi

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

 

Në veprimtarinë gjysmëshekullore si publicist, mjaft shënime na kanë mbetur në fletët e zverdhura të gazetarit. Teksa i lexojmë, na pushton malli dhe respekti për ata njerëz të thjeshtë, që, vërtet nuk ishin të presidiumeve, por ishin të punës së ndershme.

Fisnikë siç ishin, ata kanë qenë dhe kanë mbetur në kujtesën popullore të urtë e të thjeshtë deri në madhështi.

Edhe pse nuk kanë marrë tituj të lartë nderi, apo edhe pse për ta nuk është folur apo nuk flitet nëpër salla me publik të zgjedhur, megjithatë ata përmenden me shumë nderim nëpër bisedat e zakonshme të njerëzve të thjeshtë.

RonaTyra

Shkrimtari i madh amerikan Mark Tuen ka pas thënë: Vlerat e virtytit të vërtetë i ruajnë njerëzit e varfër, sepse të pasurit tentojnë t’i blejnë me para.

 

 

1.

– Mos është Aqif Kajrani ai që po zbret nga makina? – pyesim shokun pranë.

– Po, ai është. E keni harruar?!

– Ç’e lidh me të ndjerin Uani Billo?

– Aqifi njeh pjesën më të madhe të banorëve të Lushnjes. Dhe nuk u mungon në gëzime e në hidhërime…

Po cili është Aqifi?

Është fotograf që prej shumë dekadash. Para aparatit të tij kanë kaluar mijëra e mijëra njerëz. Fëmijë e deri të moshuar.

Profesionist si fotograf, fisnik si njëri.

Shfletojmë bllokun e vjetër të gazetarit dhe lexojmë:

– Më duhet një fotografi për passaportë, prandaj…

– Ulu këtu dhe… prit sa t’ju rregulloj pak jakën e këmishës, – i kthehet mjeshtri. – Pa vishe edhe këtë pallto, sepse do të dukeni më serioz. Se fotografia do të vendoset në dokumentin më të rëndësishëm shtetëror.

Tjetri bindet, vepron siç i thuhet dhe e falënderon fotografin.

Ndërkohë vjen një djalë e një vajzë. Si duket, ato ditë ishin martuar.

– Dëshirojmë një fotografi që ta kemi kujtim…

– Së pari, jetë të lumtur dhe të trashëgoheni!

Dhe ashtu, qetë – qetë, fotografi i ul në studio.

– Besoj se do t’ju pëlqente të vinit edhe një kollare. Sa mirë ju shkon edhe me këmishën që keni veshur!

Në çast paraqitet një i tretë.

– Më jepni fotografinë e vajzës së vogël.

– Posi, urdhëroni!

Dhe ia dorëzon.

– Më falni, – i drejtohet qytetarit, – a më lejon që një kopje të kësaj fotografie ta ekspozoj në vitrinë?

– Me shumë dëshirë…

Ja, ky është mjeshtri i fotografisë në Lushnje, zoti Aqif Kajrani.

Tanimë në Lushnje ai është një “Marubi” modest.

 

2.

Në Lushnje ka pasur shumë rrobaqepës të mirë. Ustallarë të vërtetë. Qytetarët e kishin vështirë të zgjidhnin rrobaqepësin që do t’u përgatiste kostumin. Se nuk ishte lehtë të zgjidhje mes Kom Papës e Kol Kolës, Naun Priftit dhe Kujtim Sefës, Todi Pukës e Jovan Laskës.

Personazhi i skicës sonë do të jetë Kom Papa, ish rrobaqepës specialist.

Miku im, Aristiri, në atë korrik të nxehtë të vitit 1977 i shkoi në lokalin ku punonte.

– Në fund të muajit martohem, prandaj dëshiroj që kostumin e dhëndërrisë t’ma qepni ju.

Komi i pat hedhur një vështrim prej të habituri.

– Si shumë vonë e paske lënë këtë punë! Ne jemi të mbytur me punë dhe nuk po ia dalim dot, – i drejtohet Aristirit.

Ashtu me zë të ulët, i porsaardhuri i afrohet dhe i thotë:

– Merre copën dhe qepe në shtëpi!

– Në shtëpi?! Privatisht?! Kurrën e kurrës!

Pat qëndruar një çast dhe Komi i qe drejtuar:

– Ma sill copën dhe do bëjmë si do bëjmë. Do të kërkojmë të punojmë edhe jashtë orarit…

Aristiri nuk po dinte si t’i përgjigjej.

– Edhe copën nuk e kam blerë. Kam menduar t’ma zgjedhësh ti, se mua nuk më mbushet mëndja për asnjë lloj stofi.

– Me këtë mëndje që paske ti, shyqyr që paske vendosur të martohesh, – bëri humor Komi.

E lanë të takoheshin mbas orës gjashtëmbëdhjetë për t’u paraqitur te Shega Gjeloshi, një shitëse me shumë edukatë qytetare.

I ndjeri Kom Papa ishte jo thjesht një rrobaqepës i aftë, por ishte një artist i vërtetë i veshjeve.

 

3.

Një miku im nga Krutja e Sipërme më lutej ta shoqëroja për te Ibrahim Gega, ose Bimi, siç i thërrisnin shkurt specialistit që merrej me rregullimin e televizorëve të prishur.

– Shkojmë bashkë, sepse kam dëgjuar që ai bën edhe shumë shakara dhe unë nuk di si t’ia kthej.

– Epo, shkojmë.

Me televizorin në krah futemi në lokalin e Bimit.

– Bimi, ky shoku im ka sjellë këtë televizor…

– Lere të flasë vet! Pse nuk ka gojë ky?!

Miku im iu afrua Bimit dhe nxitoi t’i thotë:

– Duke ndjekur një emision, u shua dhe nuk deshi të ndizej më…

– Po ju nuk i bërtitët kur nuk donte të ndizej?!

Shoku im u kthye nga unë sikur donte të më thoshte:”Ja, për këtë shkak nuk doja të vija i vetëm”.

Sakaq Bimi e zbërtheu, e kontrolloi nga brenda aparatin dhe…

– Qënka ftohur fare.

– Si është ftohur.., – shqiptoi nëpër dhëmb miku im.

– Është ftohur në tajare. Unë do ta mbaj ca ditë këtu, sa të na vijnë ca pjesë këmbimi…

– Po unë, si t’ia bëj! Është Viti i Ri dhe më vjen vajza me gjithë dhëndërr nga Tirana. Pa televizor, sikur … nuk kalohet mbrëmja e Vitit të Ri.

Bimi e zhvendosi mënjanë televizorin dhe iu drejtua:

– Dëgjo këtu, miku im. Unë do të jap një televizor tjetër që sapo e kam rregulluar dhe ti t’i kalosh gëzuar me të nja tri – katër ditë…

– Me televizorin e botës?!

– Mos kij qeder! Është televizori i një mikut tim, i cili këto ditët e Vitit të Ri do t’i kalojë familjarisht në Korçë.

Shumë herë nuk flasin njëlloj goja dhe zemra.

Bimi dinte se si t’u vinte në ndihmë njerëzve.

 

Fatmir Galanxhi vazhdonte të fliste me zë të lartë aty para zyrës së Financës të Ndërmarrjes Komunale të rrethit të Lushnjes.

– Moj shoqe, si nuk po arrin të më kuptoni shqip? – ngrinte zërin agronomi i lulishteve të qytetit.

Tjetra, një zonjë grua, pa u mërzitur, vazhdonte në të tijën:

– More shok, unë të kuptoj dhe të besoj se keni qenë në Përmet, se keni marrë fidanë dhe farëra lulesh, se keni fjetur në hotelin e Përmetit, se keni udhëtuar me makinë, por unë… unë dua fatura, unë dua bileta… Nuk jap lekë në mirëbesim.

Teksa e shikojmë ashtu tepër të nervozuar, e heqim mënjanë Fatmirin dhe bisedojmë për çka i kishte ndodhur. Dhe Fatmiri, tepër i lidhur me gjelbërimin e qytetit, nis e tregon:

I shikon ato lulet para Pallatit të Kulturës? Ato lulëzojnë vetëm dy javë! Dy javë dhe pastaj nuk shikon gjë më. Aty mbeten shkurre! Shkova në Përmet dhe mora lule me afat më të gjatë lulëzimi. Pa gjeta lule edhe me ngjyra të tjera. Se qytetari dëshiron të shijojë të gjitha ngjyrat. Besoj se kaloni në lulishten para Gjimnazit. Vetëm lule të kuqe! Asnjë ngjyrë tjetër.

Po para godinës së Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit ke vënë re që gjatë muajve të vjeshtës e të dimrit nuk ka lule! Solla nga Përmeti lule edhe për këto stinë.

Heshti një hop dhe…

– Po kujt ia thua? Merr vesh ajo nga lulet?!

– Nga lulet mbase nuk merr aq shumë, por nga financa është tepër adapte, – ia kthej.

Një mbrëmje e gjejmë Fatmirin teksa lëvizte me një shokun e vet.

– Po këtë ç’e keni? – e pyesim, duke i treguar një send që e kishte në xhepin prapa.

– Mendon se kam ndonjë kobure?! – hidhet hazërxhevap. – Gërshërë kam. Edhe gjatë kohës pas pune, kur shikoj se duhet ndërhyrë gjetiu, ndaloj dhe shfrytëzoj gërshërët.

Nuk harrohen lulet e Fatmir Galanxhit, pa kujtohet Fatmir Galanxhi i luleve.

 

5.

Futemi ne repartin e zdrukthëtarisë së Lushnjes, marrim djathtas, kalojmë në një korridor të ngushtë dhe futemi në një zyrë. Përballë një burrë i kërrusur mbi një tavolinë dhe diçka vijëzonte me një vizore të gjatë. Me syzet në majë të hundës ndalon punën dhe na shikon me një farë vëmendjeje, sikur të dojë të pyesë: përse keni ardhur?

– Ju jeni shoku Miti Dhami? – e pyesim.

– Po, – na përgjigjet shkurt.

Le vizorin mënjanë, na jep dorën dhe na bën shenjë t’i ulemi pranë.

– Çfarë jeni duke bërë?

– Po përgatisë një skicë që do t’ju duhet atyre të zbatimit…

Tekniku Miti Dhami fliste i kursyer, sepse, me sa dukej, nuk donte të afishohej si konstruktor mobiljesh dhe orendish të tjera shtëpiake. Kur pa të sillej kështu njeriu që kishim përballë, ndërhyri ai që na shoqëronte:

– Këtu kemi disa inxhinierë, por ata merren me detyra të tjera: dikush me organizimin, dikush me furnizimin, një i tretë me normimin, një i katërt  me kushtet e punës…

– Dhe me përmirësimin e konstruksionve të objekteve shtëpiake merret shoku Miti?

– Po,po, pikërisht ky merret. Dhomat e gjumit të Lushnjes janë të lakmuara nga shumë blerës. Ka shumë kërkesa. Vijnë nga ana e anës dhe blejnë këtu. Janë tepër funksionale dhe estetike…

Interesohemi të mësojmë diçka për kursimin e lëndës drusore, por tekniku nuk e ka të lehtë të shpjegohet. E pengon modestia.

– Ç’të them unë… më mirë pyesni drejtorin, pyesni inxhinierët… flet me zë të ulët.

– Këtu përgatiten qindramijë arka ambalazhi, – na thotë ai që na shoqëron. – Ja, ky Miti që shikon këtu ka kursyer mijëra e mijëra lekë. Po si? Ka përgatitur modele të atilla arkash, që, me sa më pak dërrasë, të lëviz shumë më tepër sasi domatesh, specash etj.

Nuk thonë kot: të gjitha diplomat vlejnë, por ajo e jetës është më e mira.

 

6.

Brisqe – krahna! Brisqe – krahna! Brisqe – krahna!

Këtë refren do të mund ta dëgjoje gjithandej në qytet. Aty para Pallatit të Kulturës, ku pritej të futeshin artdashësit në sallën e shfaqjeve. Do ta dëgjoje në sallën e pasagjerëve të trenit. Do ta dëgjoje në shkallët e stadiumit. Kudo.

Po cili ishte ky që tërhiqte vëmendjen e njerëzve për brisqe dhe për krëhra?

Ishte Isuf Gjyla nga qyteti i Lushnjes, një burrë i bëshëm dhe tepër i  fuqishëm, paksa hokatar, por i sjellshëm me cilindo që do të kishte punë.

Brisqe – krahna! Brisqe – krahna! Brisqe – krahna!

Dhe Isuf Gjyla lëvizte nëpër qytet, duke përsëritur imazhin e vet prej një mjeshtri, prej të cilit pritej edhe humor.

– Brisqe që e çan tejpërtej zemrën e shalqinit dhe krahna, që i gjen vendin çdo morri!

Ndërsa e dëgjonin të fliste kështu, njerëzit e afroheshin dhe shkëmbenin batuta humori.

I vetmi si i tillë në qytet, xha Isufi ua kishte gjetur edhe punonjësve të Policisë, që, herë – herë, i binin në qafë, duke i kujtuar se ishte duke bërë punë private!

– Nuk shes për fitim, se s’kam ndërmend të ngre saraje – iu drejtohej. – I kam thjesht dhurata.

Sendet e përgatitura nga mjeshtri Isuf Gjyla ishin sa funksionale, aq edhe estetike. Nga brirët e kafshëve ai prodhonte, edhe pse në kushte artizanale, sende me shumë vlerë përdorimi.

Nga koha në kohë Isufi vinte duke e përmirësuar cilësinë e brisqeve e të krëhërve.

Kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë e “tregtisë” së zanatçiut të talentuar Isuf Gjyla, por emri i tij nuk është harruar.

Isuf Gjyla ishte një talent i lindur, talent që i la emër të nderuar.

 

7.

Shpesh herë i tërhiqja vëmendjen një shokut tim për flokët që i mbante të gjata.

– Po s’kam ç’të bëj! Unë qethem vetëm te berber Karafil Beqo, mirëpo atje nuk gjen dot radhë, more vëlla.

Dhe ishte e vërtetë. Sa kohë që punonte në Lushnje, pikërisht tek ai kishin dëshirë të qetheshin e të rruheshin të gjithë.

Karafil Beqo, shumë simpatik dhe tepër i ëmbël në biseda, të bënte për vete.

– Rreth Karafilit mblidhen shumë njerëz edhe për faj të vet atij, – më thotë dikush.

E dëgjova dhe më erdhi disi i pashpjegueshëm ky pohim.

– Për të keqen e vet, Karafili përdor parfum shumë cilësor dhe të shtrenjtë, kështu që kanë të drejtë t’i mblidhen rrotull.

Gjatë viteve të tranzicionit Karafili erdhi me banim dhe me punë në Tiranë.

– Edhe këtu keni goxha klientelë, – i drejtohem një ditë teksa e pashë që nxitonte drejt lokalit.

– Bereqaves. Ia bëj hyzmetin punës. Se nuk të vjen tjetri po nuk pa shërbim të kulturuar.

– Do të bëheni berber me emër në qoftë se lokalin tuaj do ta frekuentojnë deputetë, apo ministra, – bëra shaka me të një ditë.

Qeshi dhe ma ktheu:

– Edhe kjo mund të arrihet. Se diku do të shkojnë edhe ata të qethen.

Sa herë që e takoja, i drejtohesha: “Deri ku keni arritur?” “Deri te drejtor drejtorish” ma kthente duke qeshur.

Por Karafil Beqo nuk vazhdoi më gjatë, sepse një sëmundje e keqe i mori jetën! Isha i sigurt, se një ditë te ai do të mund të merrnin shërbim ministra e më lartë.

Sepse Karafil Beqos i këndonte puna në duar.

 

8.

E quanin Hysen Kiptiu, por shkurt e thërrisnin Cen. Tepër kavalier në sjellje. Nuk kishte shkollë, por e kompensonte me edukatë.

Ceni ishte bojatisës këpucësh. Kur kaloje pranë tij, së pari sytë ai do t’i hidhte nga këpucët.

– Kam një pyetje, – i drejtohet dikujt në një rast. – Si është më mirë; me pantallona të hekurosura dhe me këpucë të pista, apo me pantallona të pahekurosura, por me këpucë lustrafine?

Pyetja kërkonte të mendoheshe. Duke mos e lënë të mendohej gjatë, Ceni ndërhyri:

– Tjetri në fillim të shikon nga këpucët. Apo nuk është kështu?

Ndërsa bisedonim pikërisht për çështje këpucësh, dikush i afrohet dhe…

– Cen, a mundesh të m’i lyesh këpucët me këtë lloj ngjyre?

Lustraçiu artist nuk e shikoi nga këpucët, por nga fytyra.

– Dhe pyet?! – iu drejtua. – Nga unë nuk rastis të largohet njëri i pakënaqur.

Atypëraty, në sytë e qytetarit Ceni bëri një përzierje kompjuterike bojërash të ndryshme dhe në çast doli ngjyra që kërkonte i porsaardhuri.

– Ju pëlqen?

– Vazhdo! Shumë e gjetur!

Edhe pse me sytë te këmbët e qytetarët, Ceni vështron dikë që nxitonte drejt zyrës së vet.

– Afromu dhe më thuaj “mirëmëngjes!”, – i drejtohet nëpunësit që nxitonte.

Duke i afruar një furçë të madhe, nga ato që pastronte edhe baltërat, i thotë:

– Pastroji me kujdes dhe… vrap! Kështu shkohet në zyrë

 

9.

Sa shumë vite kanë kaluar, por Fero Beqirin, librashitësen e qytetit të Lushnjes e kujtojnë me shumë respekt të gjithë ata që e kanë pas njohur nga afër.

Nuk kishte ditë që të mos paraqiteshim në librarin e qytetit. Para se të shkonim në zyrë, na ishte bërë zakon të ktheheshim në librari.

– Këto ditë presim disa libra të rinj, – na thotë në një rast.

Grua e brishtë, e veshur me shumë sqimë, me një të ecur të ngadaltë dhe me një të folur të avashtë, Feroja të vinte pranë dhe të fliste fare shkurt edhe për subjektin e ndonjë libri që ajo mendonte se duhej ta blije.

– Si është e mundur që kjo të jep një lloj përgjigje për librat e rinj? – i drejtohem shokut pranë, një dashamirës i hershëm i librit.

– Lexon shumë. Lexon gazetën “Drita”, revistën “Nëntori” dhe kudo ku flitet për librat që botohen rishtas.

Dhe në vijim të sqarimit, vazhdon:

– Se mos edhe ky i shoqi, Fejzo Beqiri, është më i paktë. Edhe ky, një ish mësues në Çamëri, lexon shumë. Dhe informacionet që marrin nga leximet i venë në shërbim të detyrës.

– Shikoj disa intelektualë që hyjnë e dalin nga kjo librari pa blerë sikur edhe një libër të vetme! – na shprehet Feroja në një bisedë të rastit.

Nuk përmendi emra intelektualësh të tillë, por një lloj shqetësimi të brendshëm e shfaqi:

– Jetova një çast të trishtuar pardje: erdhi një zonjë grua këtu dhe nuk i bleu vajzës së vogël një libër për të cilën fëmija i lutej! “Me këto lekë unë mund të blej dy kilogram mollë” i tha të voglës.

Fero Beqiri (Sejko), sikundër edhe e motra e paharruar, Shaqire Demi, nuk tregtonin libra; ato shpërndanin kulturë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu