“Të rivendosim marrëdhëniet me Shqipërinë”, kabllot sekrete amerikane në ’73: “Mehmet Shehu ndalohet në Paris”

0
Gjigandi

Në faqen e njohur WikiLeaks ka më shumë se 1.7 milionë dokumente që mbulojnë raportimet diplomatike ose të inteligjencës amerikane në çdo vend të botës.

Në dokumentet që i përkasin viteve nga 1973- 1976  përmendet dendur edhe Shqipëria. Koleksioni i këtyre dokumenteve i përket periudhës kur Henry Kissinger (në foto) ishte Sekretar i Shtetit dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, ndaj dhe quhen “Kissinger Cables”.

Shumë nga raportimet janë shkruar nga ai, ose i janë dërguar atij. Viti 1973 ishte një vit plot të papritura. Shqipëria e asaj kohe ishte në agjendën jo vetëm të vendeve të mëdha si SHBA e BS, por dhe të Vatikanit, Italisë, Francës e Anglisë.

Ja disa nga kabllogramet konfidenciale të asaj kohe publikuar nga gazeta DITA:

Dt. 16 mars 1973 , 18:26 (e premte) ID e kabllogramit: 1973 PARIS 06642_b Klasifikimi: Konfidencial

RonaTyra

Zyra e Ambasadës u informua nga oficeri i çështjeve kufitare dhe nga Sekretari i Parë Sovjetik, në dy informata të ndara se Kryeministri shqiptar Mehmet Shehu ka qenë në Francë për trajtim mjekësor.

Shehu ka mbërritur në Paris më 14 mars. Gjatë një kontrolli rrugor atë ditë, atasheu detar i Ambasadës na ka raportuar se u ndalua një autokolonë, e cila kishte mbrojte mjaft të rreptë. Përbëhej nga pjesëtarë të trupit diplomatik shqiptar të mbrojtur nga forcat e sigurisë franceze.

Në një nga mjetet më të blinduara, qëndronin një grua dhe një burrë, të cilët raportohet se kanë qenë kryeministri shqiptar dhe e shoqja e tij.

La Coste tha se Shehu foli me kryeministrin francez Chaban Delmas vitin e shkuar, pas një trajtimi të ngjashëm shëndetësor (7 prill 1972). Burime nga Ambasada Shqiptare, thanë se Shehu nuk ka ndërmend që të kryejë bisedime zyrtare me anëtarë të qeverisë franceze, para se të përfundojë trajtimin e tij të plotë shëndetësor.

—–

Dt. 29 mars 1973, 14:41 (e enjte) ID e kabllogramit: 1973 STATE 057812_b Klasifikimi: Konfidencial

Zërat se Shqipëria dhe SHBA-të kanë nisur së fundmi bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, nuk janë të bazuara në fakte reale. Ndryshe nga qeveria greke, qeveritë e Italisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë treguar mjaft interes në zgjidhjen e çështjeve shqiptare gjatë 25 vjetëve të fundit. Por një rol ndërmjetësues i marrë nga ndonjë nga këto shtete, rrezikon keqinterpretim jo vetëm nga Tirana por edhe nga kryeqytetet e tjera.

——

Dt. 6 prill 1973, 13:30 (e premte) ID e Kabllogramit: 1973 NATO 01718_b Klasifikimi: Përdorim i kufizuar

Ka komente në shtypin e ditës, por Departamenti ka qenë i painformuar lidhur me raportimet se qeveria shqiptare është e shqetësuar lidhur me miratimin e Rezolutës për Vorio Epirin. Departamenti kërkon që të dekurajojë çdo spekulim, por duket se qeveria greke e sheh me mjaft interes këtë ide, ashtu siç u duk qartë nga deklarata e Kavalieratosit në Nikosia të Qipros më 1 nëntor të vitit 1972. Janë ngritur që tani pikëpyetje lidhur me synimet amerikane në rajon. Në përgjigje të këtyre zërave, ne do të mirëprisnim çdo informacion sfondi në Departament, i cili mund të na sjellë informacione lidhur me reagimet që ka pasur Tirana, nëse vërtet ka pasur ndonjë të tillë. Do të na interesonte shumë se cilat janë pikëpamjet shqiptare lidhur me interesat e SHBA-ve në rajon dhe nëse ka ndonjë dëshirë për të përmirësuar marrëdhëniet.

——

Dt. 11 prill 1973, 13:41 ID e Kabllogrami:1973 PRAGUE 00747_b Klasifikimi: Konfidencial

Korrespondenti për Evropën Lindore, Strobe Talbott, i ka thënë Departamentit se kur po përgatitej të largohej nga Beogradi, takoi ambasadorin shqiptar, i cili si gjithmonë i refuzoi atij vizën.

Talbott tha se ai kritikoi rëndë fjalimin e zëvendëssekretarit Rush për Shqipërinë më 4 prill në Annapolis, duke thënë se, nëse amerikanët do të donin marrëdhënie me Shqipërinë, nuk duhet të veprojnë në këtë mënyrë. Ambasadori shqiptar shtoi se i takon amerikanëve që të marrin iniciativën për ndonjë fillim bisedimesh. Sherer. Konfidencial.

—– 

Dt. 11 prill, 21:29 ID e Kabllogramit: 1973 STATE 067462_b Klasifikimi: Përdorim të kufizuar

Fjalimi i sekretarit të parë Rush në Annapolis duhet të shihet si një shenjë dhe përpjekje për të nxitur ndërtimin e marrëdhënieve me përfitim të ndërsjellët në çdo moment që të jetë e mundur. Fjalimi përmbante një paragraf ku flitej për Shqipërinë, në të cilin zëvendëssekretari theksonte se me Shqipërinë nuk kishte pasur asnjë progres për përmirësimin e marrëdhënieve dhe nëse Shqipëria do të donte që diçka të ndryshonte për mirë, SHBA-të do të ishin gjithmonë të gatshme për t’u përgjigjur.

Kjo deklaratë ka qenë në përputhje të plotë me politikat tona në Evropën Lindore, duke përfshirë Shqipërinë. Në të gjitha raportet e bëra nga zyrtarë të politikës së jashtme dhe ato të bëra nga Presidenti të paraqitura tashmë në Kongres, ne e kemi bërë të qartë se kërkojmë normalizimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet e rajonit.

Në përgjigje të zërave se Shqipëria dhe SHBA-të kanë nisur bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ju mund të thoni se këto nuk janë të bazuara në fakte reale. Nuk ka asnjë bisedim SHBA-Shqipëri për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ne duam të shmangim çdo përpjekje false për të krijuar një ide të tillë. Ne nuk i frikësohemi ndonjë reagimi të Shqipërisë lidhur me deklaratat e Rush.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu