Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviç, e lidh vrasjen e Oliver Ivanoviçit me të njëjtin grup që kreu sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës.
Bogdanoviç thotë se informacioni që ka marrë provon implikimin direkt të Beogradit në vrasjen e liderit të Iniciativës qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), në vitin 2018.
“Sapo mora informacion tronditës, në formacionin terrorist nën komandën e terroristit ndërkombëtar Milan Radoiçiç në sulmin në veri të Kosovës ishte edhe vrasësi i Oliver Ivanoviç. Tani gjithçka është plotësisht e qartë, Oliveri u vra me mbështetje politike nga Beogradi”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.
Oliver Ivanoviç është vrarë më 16 janar 2018, para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. SDP, që ai drejtonte, subjekti kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut.
Për vrasjen e Ivanoviçit u hapën hetime në Prishtinë dhe Beograd, por nuk është arritur te autori i krimit.
Në hetimet e kryera nga prokuroria e Kosovës përmendet edhe emri i Milan Radoiçiç (nënkryetar i Listës Serbe), si njëri prej dy “udhëheqësve të grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen. Urdhërarresti për Millan Radoiçiçin është tërhequr në mars të vitit 2021, pa asnjë sqarim.
Ndërkohë, në Beograd, Prokuroria Speciale nuk ka mbyllur ende hetimet paraprake.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar në vitin 2019 se Beogradi e ka një emër për vrasjen e Ivanoviçit, por ai nuk është Radoiçiçi.
a.c./dita