Lëvizja “e varrimit të gjelbër” nuk është vetëm gjetja e mënyrave për të reduktuar ndikimin mjedisor të funeraleve, por gjetja e mënyrave që njerëzit të kenë një ndikim pozitiv pas vdekjes. Ideja e fundit, që së shpejti do të shpërndahet në Shtetet e Bashkuara nga startup-i në Nju Jork, Transcend, do t’u ofrojë njerëzve mundësinë të “bëhen” pemë pasi të vdesin.
Transcend e përshkruan procesin si më poshtë: Konsumatorët zgjedhin një specie pemësh të përshtatshme për vendin e tyre të preferuar të varrimit, në tokë në pronësi të kompanisë. Kur klienti vdes, trupi i tij përgatitet dhe varroset i rrethuar nga një përzierje e copëzave të drurit, dheut lokal dhe kërpudhave për të lehtësuar kompostimin. Mbjellë mbi trup është një pemë dy deri në katër vjeçare. Vendi është shënuar me një memorial dhe pema lihet të rritet.
Transcend thotë se nuk e ka konfirmuar ende vendndodhjen e varrimeve të para por synon që ato të jenë jo më larg se dy orë nga një qytet i madh. Toka po përzgjidhet në partneritet me një organizatë jofitimprurëse One Tree Planted.
Kompania u themelua nga sipërmarrësi Matthew Kochmann.
Kochmann u frymëzua nga “Capsula Mundi”, një arkivol i biodegradueshëm në formë veze, i projektuar nga italianët Raoul Bretzel dhe Anna Citelli, mbi të cilin mund të mbillet një pemë. Ndërsa dyshja lëshoi një version të përshtatshëm për hirin e djegur, një model për një trup nuk u vu kurrë në prodhim.
“Deri në fund të vitit 2023, ne shpresojmë të kemi disa zona të kemi varrosur disa njerëz dhe për pasojë të jenë të mbjellë dhe disa pemë”, por sigurisht që do të merret aprovimi i personave dhe pjesë e këtij projekti do jenë vetëm personat që pranojnë të jenë.
Çdo vit, varrimet tradicionale në SHBA dhe botë përdorin miliona dru, miliona ton beton, sipas Këshillit të Varrimit të Gjelbër në SHBA. Shumica e amerikanëve tani zgjedhin djegien, dhe megjithëse nuk zë tokë në të njëjtën mënyrë si një varrim tradicional, ai prodhon 1.74 miliardë ton emetime CO2 çdo vit, si dhe çliron disa metale të rënda, duke përfshirë merkurin, në Atmosferë.
“Nuk ishte gjithmonë kështu”, thotë Jimmy Olson, nga Olson Funeral Home and Cremation Service në Sheboygan, Wisconsin.
Praktika e balsamimit u fut gjatë Luftës Civile në SHBA, shpjegon ai, dhe mbyllja e arkivoleve në beton u prezantua pas Luftës së Dytë Botërore për të parandaluar shembjen e varreve kur pajisjet e rënda të gërmimit dhe kositësit e barit u bënë të zakonshme në varreza.
“Gjithçka që po bëjmë këtu është të kthehemi në mënyrën se si i kemi bërë gjërat 100 vjet më parë”, thotë ai për varrimet natyrore në livadhe dhe zona të pyllëzuara.
Caitlyn Hauke, presidentja e mëparshme e Këshillit Ndërkombëtar të Varrimit të Gjelbër, thotë se “shumë njerëz priren të mendojnë për varrimin tradicional dhe djegien si zgjedhjet e tyre të vetme, por sapo të mësojnë rreth varrimit të gjelbër (dhe alternativa të tjera), ata do e rimendojnë”.
Transcend është “në një mision për të ripyllëzuar botën”, thotë Kochmann, dhe çdo varrim pemësh i blerë do të paguajë për 1000 pemë që do të mbillen nga One Tree Planted, që do të thotë se klientët mund të kenë ndikim edhe para vdekjes.
Transcend ka marrë mbështetje edhe nga regjisori i nominuar për Oscar, Darren Aronofsky, i cili shërben në bordin këshillues të kompanisë së bashku me Jennifer DeBruyn, biologe në Universitetin e Tenesit.
“Është një detyrë e vështirë për t’i bërë njerëzit të mendojnë për vdekjen drejtpërsëdrejti por njerëzit janë shumë të angazhuar në historinë e mjedisit”, tha Aronofsky.
Sipas një sondazhi të vitit 2017 në SHBA, vetëm 21% e njerëzve kishin diskutuar planet e tyre për funeralin me familjen, edhe pse gati dy të tretat e pranuan rëndësinë e një gjëje të tillë.
Me çmim 8500 dollarë, paketa funerale e Transcend është më e lartë se kostoja mesatare e një funerali me varrim (7,848 dollarë) ose djegie (6,971 dollarë) në 2021.
Themeluesi nuk pranoi të jepte një shifër se sa klientë duhej të regjistroheshin për ta bërë biznesin të qëndrueshëm në afat të gjatë.
Megjithatë, Kochmann thotë se është optimist që kompania do të kryejë varrimin e saj të parë në pranverë ose verë të këtij viti dhe aktualisht është duke pritur që vendet e para të varrimit të konfirmohen.
Edhe para se të kryhen varrimet e para në SHBA, Kochmann tashmë po mendon ndërkombëtarisht dhe po kryen udhëtime kërkimore jashtë vendit, i vendosur në besimin e tij se “varrimi me pemë” mund të gjejë pranim në të gjithë kulturat dhe fetë.
Burimi: CNN