Miliona përdorues të Twitter-it i kanë kërkuar Elon Musk-ut të largohet nga posti i kreut të Twitter-it. Ky ishte rezultati i një sondazhi që vetë miliarderi zhvilloi në këtë platformë, e që premtoi se do t’i përmbahej.
Më shumë se gjysma e 17.5 milionë të anketuarve, ose 57.5% e tyre votuan për largimin e zotit Musk nga drejtimi i kompanisë së medias sociale, 42.5% votuan në mbështetje të tij.
Shkak për sondazhin u bë një politikë e fundit e vetë zotit Musk, pasi pranoi se kishte bërë një gabim duke ndaluar përmendjen në Twitter të platformave rivale të medias sociale. Sondazhi u mbyll të hënën, por megjithatë vijon të mbetet e paqartë nëse në krye të platformës së medias sociale do të vendoset tashmë një drejtues i ri.
Ky është zhvillimi më i fundit mes disa ngjarjesh kaotike e të paqarta, që kanë përfshirë Twitter-in nën drejtimin e zotit Musk, si rezultat i politikave të tij që ndryshojnë me shpejtësi, të cilat më pas, ose ndryshohen sërish, ose tërhiqen plotësisht.
Miliarderi Musk, që është edhe drejtuesi ekzekutiv i Tesla-s e hapi sondazhin të dielën ndërsa ndodhej në Katar për të ndjekur finalen e Kupës së Botës në futboll. Sondazhi u mbyll 12 orë më pas, por ende nuk ka asnjë njoftim nga Twitter-i ose vetë zoti Musk, që mendohet se mund të jetë rrugës për në kthim në SHBA.
Ky nuk është sondazhi i parë që zoti Musk zhvillon në Twitter për çështje thelbësore me të cilat përballet platforma e medias sociale. Ai pyeti përdoruesit e platformës nëse duheshin rikthyer gazetarët që ai i kishte pezulluar nga Twitter-i, një vendim që u kritikua gjerësisht si brenda dhe jashtë qarqeve mediatike.
Sondazhet e kanë lënë potencialisht drejtimin e kompanisë në duart e përdoruesve të saj, duke u dhënë edhe më shumë zë paqartësive e rrëmujës së krijuar në Twitter që prej tetorit, kur kompania u ble nga zoti Musk për 44 miliardë dollarë.
Mes përdoruesve ka nga ata që janë rikthyer së fundmi në platformë, të ndaluar më parë për postime raciste dhe me gjuhë urrejtje, apo përhapje dezinformatash.
Që kur e bleu Twitter-it, zoti Musk ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh që kanë krijuar paqartësi, kanë nervozuar reklamuesit, si dhe kanë detyruar disa përdorues të largohen nga platforma. Ai ka pushuar gjysmën e fuqisë punëtore, ka larguar personelin, që moderonte përmbajtjenn dhe ka shpërndarë atë që njihej si këshilli i besimit dhe sigurisë. Po kështu zoti Musk ka hequr dorë nga zbatimi i rregullave për të mos botuar dezinformata lidhur me COVID-19 dhe ka bërë thirrje për akuza penale kundër doktor Anthony Fauci-t, ekspertit më të lartë në vend për sëmundjet infektive, një nga drejtuesit kryesorë të përgjigjes së qeverisë ndaj pandemisë.
Së fundmi Twitter-i njoftoi se përdoruesit nuk do të ishin më në gjendje të lidheshin me Facebook-un, Instagram-in, Mastodon-in dhe platforma të tjera, që kompania i cilësoi si “të ndaluara”.
Ky vendim u prit menjeherë me reagime negative. Më pas zoti Musk premtoi se nuk do të bënte më ndryshime të mëdha të politikave në Twitter pa pyetur më parë përdoruesit, duke shtuar gjithashtu edhe pyetjen se kush duhet ta drejtojë kompaninë. Platformat e ndaluara përfshinin faqet kryesore të internetit si Facebook dhe Instagram, si dhe rivalët e rinj, Mastodon, Tribel, Nostr, Post dhe Truth Social një platformë e që përdoret nga ish-presidenti Donald Trump.
Një numër në rritje përdoruesish të Twitter-it janë larguar nga platforma që kur drejtimin e saj e mori zoti Musk, ose kanë krijuar llogari në Mastodon, Tribel, Nostr ose Post, dhe i kanë përfshirë ato në profilet e tyre në Twitter. Twitter-i nuk ka dhënë asnjë shpjegim se përse në ‘listën e zezë’ të mediave sociale përfshiheshin disa faqe interneti, por jo të tjera, sikurse Parler, TikTok-u ose LinkedIn-i.
Javën e kaluar zoti Musk mbylli një llogari në Twitter që tha se po gjurmonte fluturimet e avionit të tij privat./VOA