Një ngjarje si ajo e vrasjes së 61-vjeçarit, Menduh Kurdteda, e ndodhur më shumë se 5 vite më parë, ishte një sfidë më vetë për autoritetet hetimore por përparimi teknologjik në këtë rast kanë qenë arma më e rëndësishme. Detaji, se 61-vjeçari kishte protezë dhëmbësh, ndihmuan hetuesit që me zhvarrosjen e eshtrave pa identitet 5 vite më pas, edhe me avancimin e teknologjisë dhe laboratorëve shkencorë, të zbulojnë se kufoma e gjetur e djegur që u gjet rastësisht nga një bari në vitin 2017 në malin e Dajtit, ishte e Kurdedës. Një provë e rëndësishme për hetuesit është edhe një USB që u gjet në Kodër Shupalë e dëmtuar nga zjarri, për të cilën hetuesit 5 vite më parë nuk kishin aparaturat e duhura për ta kontrolluar dhe vënë në funksion.
Me konfirmimin edhe me analiza të ADN-së se kufoma ishte e Menduh Kurtdedës, hetuesit u përqendruar të marrin në pyetje personat që kanë pasur lidhje me dibranin në Tiranë. Njëri prej dëshmitarëve nxori në dritë borxhin 1 milionë lekë që 61-vjeçari i kishte Marjeta Karajt, që plotësuar me deklarime të tjera, u ngrit dyshime se ishte pikërisht 56-vjeçarja që kishte urdhër djalin e saj, Besmirin dhe shokun e tij, Gazmir Ngota, ta vrisnin.
Djali është ende në arrati, dhe hetuesit dyshojnë se ndodhet në Itali, por me Marjeta Karajn në pranga dhe Ngotën që u lanë në masë arresti me burg nga gjykata, hetuesit kanë rindërtuar të gjithë skemën e krimit të rëndë. Për këtë i ka ndihmuar dëshmia e gjatë e Gazmir Ngotës, i cili nga sa tregon, duket të jetë i rastësishëm në këtë krim, por që për vite të tëra, siç ka rrëfyer, e ka lënë pa gjumë.
“Sapo isha kthyer nga Italia dhe kisha para, që shërbyen që Besmiri t’më afrohej. Ditën e ngjarjes pasi u ndava me Besmirin shkova të blija cigare rreth orës 01:00 pas mesnate pranë Varrit të Bamit dhe aty erdhi sërish Besmiri dhe më ftoi për një shëtitje me makinë. Në lëvizje, në zonën e “Xhamllikut”, Besmiri pa një burrë, të cilin e futi në makinë për krahu, por që unë nuk e njihte, por që ishte i dehur. Besmiri nisi t’i bënte presion dhe mori në telefon Marjetën, nënën e tij. Nga aty shkuam në një parking pranë një karburanti në Allias dhe sapo e nxorëm Besmiri nisi ta qëllojë me shpulla, ta shajë e ofendojë”, ka thënë Gazmir Ngota.
Më tej, ai shprehet se pasi erdhi Marjeta Karaj, kuptoi se e gjitha lidhej me borxhin e pashlyer. Kurt-Deda qeshte, për shkak se ishte i dehur. Kjo sjellje acaroi nënë e bir, të cilët në një moment u shkëputën dhe diskutuan veç. Më pas Marjeta na tha të dyve “hiqeni qafe, sepse nuk i bie njeriu mendja për këtë”. Marjeta iku në shtëpi, ndërsa ne e morën dhe u nisëm në Dajt.
Por siç Gazmir Ngota rrëfen, urdhrin e Marjetës e kishte menduar vetëm për t’i bërë presion 61-vjeçarit, derisa pranë ‘kafes së Rremës’ Besmir Karaj i dha para për të blerë dy bidona benzinë dhe vijuan drejt Shkallës së Tujanit.
“Kur arritëm në Kodër Shupal, e nxorëm nga makina dhe e lidhëm me zinxhirë për peme. Besmiri e spërkati me benzinë dhe i vuri flakën”. Më pas u nisëm drejt Tiranës dhe i shqetësuar i thash Besit “çfarë bëre kështu, unë jam familjar, do më lesh fëmijët rrugës”, por Besi ma ktheu “mos u bëj merak, se do e mbaj unë përsipër fajin që kam bërë”, dëshmon i arrestuari.
Në ditët në vijim siç dëshmon para hetuesve, Gazmiri thotë se ka nisur të pi gjithnjë e më shumë alkool. Situata u rëndua më shumë sidomos kur në 2017-ën u bë publike në media gjetje e eshtrave, madje sipas Ndotës, Besmir Karaj i kishte thënë se Kurt-Deda i dilte në ëndërr. Rrëfimin e tij Gazmir Ngota e mbyll me tentativat për t’u vetëdorëzuar disa herë dhe shkëputjes së komunikimit me Marjetën dhe Besmirin.