Të huajve që duan të qëndrojnë në Shqipëri do t’u njihet statusi i investitorit nëse ata investojnë mbi 100 mijë dollarë në një aktivitet ekonomik në vendin tonë. Vlera minimale e investimit prej 10 milionë lekësh është përcaktuar përmes një Udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe asaj të Brendshme.
“Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të pikës 6, të nenit 69, të ligjit nr. 79/2021, “Për të huajt”, UDHËZOJMË: Vlera e investimit për aktivitetin ekonomik, për të huajin që pajiset me leje unike si investitor, të jetë jo më pak se 10.000.000 (dhjetë milionë) lekë”, përcakton dokumenti qeveritar, i cili ngarkon Departamentin për Kufirin dhe Migracionin si dhe Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e tij.
Leja Unike është miratuar me Ligjin e ri për të huajt që nga viti i shkuar, dhe shërben si leje qëndrimi dhe pune. Ligji i ri lehtësoi procedurat për miratimin e lejeve, ashtu si dhe kostot monetare. Aplikimi i mëparshëm, kur kryhej për herë të parë, përmbante leje njëvjeçare qëndrimi e pune në Shqipëri, ndërkohë që me ligjin e ri, vlefshmëria e dokumentit u shtri në pesë vite.
Punonjësit lëvizës, ose të njohur si “Digjitalët Nomadë”, përftojnë për të parën herë nga këto ndryshime. Këtu, përfshihen shtetasit, të cilët kanë parametrat për të punuar nga distanca.
Pensionistët e huaj janë tanimë përftues, falë ligjit të ri. Ata mund të jetojnë në Shqipëri, duke aplikuar për një leje të veçantë qëndrimi për pensionistë. Më parë, këta shtetas detyroheshin të blinin një shtëpi të përhershme në Shqipëri, ose të ishin të regjistruar pranë një organizate të derdhjes së kontributeve. Kjo nuk është më e nevojshme.
Të huajt, të cilët gëzojnë pasuri të paluajtshme në Shqipëri, janë një kategori tjetër që përfitojnë nga ligji i ri për të huajt./Scan
a.m/dita