Shqipëria duhet të ndihet krenare me artistë të tillë! ‘Ditari’ i Pianodrom Festival Ndërkombëtar 2022

0
Gjigandi

Hyrje e Redaksisë: Ilirjana Dema prej 33 vitesh është pedagoge në Akademinë e Arteve, Fakulteti i Muzikës, Tiranë. Ka fituar gradën “Doktor” dhe mban titullin “Profesore e Asociuar”. Prej vitesh angazhohet në shtypin periodik si muzikologe. Është autore e librit “Metodologjia e edukimit ritmik”. “Gjergj Antoniu – Një jetë me violinçel” është libri i saj i dytë.

Muzikologia Ilirjana Dema ka tashmë një jetë të tërë që qëndron pranë instrumentistëve, ua dëgjon me vëmendje që të gjitha koncertet, shkruan portrete dhe impresione për ta, gjykon vlerat dhe evolucionin e tyre me peshoren e profesionistes dhe adhurimin për kolegët e talentuar.

 

 

Nga Ilirjana Dema

RonaTyra

Botuar në DITA

 

26 nëntor 2022 – Nata e parë e Pianodrom Festival

Nuk ishte e rastësishme ftesa e violinistit virtuoz Elvin Hoxha Ganiyev, për të hapur Pianodrom Festivalin në dhjetëvjetorin e jetës së tij. Një tjetër kërkim nga kompozitori Aleksandër Peçi, për të sjellë përpara publikut shqiptar një instrumentist që tashmë është bërë i njohur në mjediset e skenave botërore me interpretime të shkëlqyera e të mirëpritura nga kritika.

Patëm kënaqësinë të dëgjonim në recitalin e tij pesë sonata, nga të cilat Sonata nr. 3, për violinë solo, e A. Peçit, premierë botërore, u kompozua enkas për të, si dhuratë për 25-vjetorin. Koncerti filloi me Sonatën nr. 3 në d moll, (baladë) të kompozitorit Eugene Isaye (1858 – 1931). Kompozitor, violinist, dirigjent belg, ai u shqua veçanërisht për krijimtarinë në këtë instrument.

Gjashtë sonatat për violinë solo zënë një vend të rëndësishëm në repertorin e violinistëve, jo vetëm për pasurinë e ideve artistike e pasurinë emocionale, por edhe për konfirmimin e arritjeve superiore teknike në kapërcimin e vështirësive interpretative.

Padyshim, violinisti na mbërtheu emocionalisht që në notat e para të veprës, ku ruajti në harmoni e ekuilibër akademizmin profesional, temperamentin emocional me intelektin, tipare të individualitetit interpretativ. Qëndrimi i mbajtur tregoi qartazi përjetimin e thellë të violinistit në shërbim të përçimit në publik, tërësinë e ideve artistike.

Duke ruajtur karakterin e baladës, ai u tregua i matur në fillim, për të shpërthyer gjatë saj me kulminacione virtuoze. Në rrjedhshmërinë e tingujve me lehtësi natyrale, me dopio akordet e vështira, por të ardhura pastër, instrumentisti luajti me nuancat timbrike e dinamike jo vetëm mes frazave muzikore, por edhe brenda një tingulli, jo si qëllim në vetvete, por gjithmonë në shërbim të emocionit të thellë.

Vepra e dytë ishte përsëri Sonatë për violinë solo nr. 6 në E Dur, e të njëjtit kompozitor. Këtu Ganiyev tregoi me një pasion të veçantë e fantazi të pasur tërë potencialin e tij interpretativ. Me një tingull të plotë “gjithë tul”, instrumentisti ruajti gjatë gjithë veprës, në mënyrë të ekuilibruar, intensitetin dramatik dhe emocioni erdhi bukur artistikisht drejt kulminacioneve.

Krejt ndryshe ndodhi në interpretimin e Sonatës së Peçit, “Epiphise”. Karakteri i së cilës, krahas nënvizimit të melosit koloristik e gjithë sharm peçian, e lë të lirë fantazinë dhe intelektin e instrumentistit në shpalosjen e gjendjeve të forta e kontraste emocionale.

Si e gjithë krijimtaria e kompozitorit, edhe kjo sonatë shpreh prirjen dhe realizimin e tij në kërkim të një gjuhe e mjeteve shprehëse bashkëkohore moderniste e racionale. Prandaj instrumentisti realizoi një lojë sa të frymëzuar po aq edhe të racionalizuar, duke shpalosur me një teknikë virtuoze e tempe të frikshme shpejtësie, në shërbim të përjetimit individual.

Pjesa e dytë e recitalit nisi me kohën e dytë të Sonatës nr. 2 për violinë e piano, “Homazh për një shqiponjë të plagosur”, përsëri e kompozitorit A. Peçi, në piano Kleida Tare. Të dy interpretuesit, në harmoni të plotë me njëri-tjetrin, realizuan me nota elegjiake karakterin e veprës, duke pasur kujdes nënvizimin e saj me kontraste të buta.

Koncerti u mbyll me Sonatën për violinë e piano në g moll, të kompozitorit Klod Debussy. Të tjera kërkesa timbrike, tjetër qëndrim emocional e të tjera mjete shprehëse interpretative vumë re në qëndrimin e të dy instrumentistëve, pasojë e karakteristikave të stilit impresionist në përgjithësi e në veçanti të stilit specifik në shprehjen e tingullit karakteristik të Debussy-së, në të tria kohët e sonatës.

Në shërbim të vërtetësisë interpretative, violinisti dhe pianistja, një duo mjaft mirë e unifikuar, realizuan bukur, me frymëzim e emocion, tërësinë e ideve muzikore që përmban vepra.

Falënderojmë violinistin, pianisten dhe Pianodromin për kënaqësinë e përftuar.

27 nëntor 2022 – Koncerti i dytë i Pianodrom Festival

Si rritet një filiz e merr formën e pemës, këtë kënaqësi ndjeva nga pianistja Rejsi Prosi, në koncertin e saj recital.

Pianiste karakteri do ta cilësoja lojën e saj. Tipar që e vura re tri vite më parë, në sallën e Akademisë së Shkencave, vetëm në interpretimin e një vepre të Feim Ibrahimit, kur ishte ende maturante, në realizimin e koncertit të parë recital. Mund të ishte rastësi, por jo, koncerti i sotëm ma përforcoi mendimin se tashmë kjo cilësi, veç të tjerave, u konfirmua gjatë të gjitha veprave të interpretuara.

Drejtuesi i festivalit, Aleksandër Peçi, çdo vit bën realitet një nga strategjitë e këtij festivali: konfirmimin në rritje të talenteve të reja shqiptare. Një kontribut i vlertë për perspektivën e tyre në jetën koncertale.

Publiku pati kënaqësinë të përftonte e përjetonte emocione nga një program i pasur, me vepra të Periudhës Romantike, për të vijuar me ato të shekullit XX e XXI, me autorë shqiptarë e të huaj.

Koncerti filloi me Sonatë në a moll të kompozitorit Franz Schubert, gati e panjohur në auditoret arsimore e skenat tona të koncerteve. Me një strukturë kompozicionale të çliruar nga skemat formale klasike, veçanërisht koha e parë dhe e vështirë për t’u konceptuar, pianistja diti bukur të tërheqë vëmendjen e spektatorëve në nënvizimin e karaktereve, duke zbuluar me ndjeshmëri kontrastet e theksuara emocionale nga koha në kohë.

Schubert njihet në historinë e muzikës si krijuesi i Liederit vjenez (këngës qytetare), ndikimi i së cilës u vu re në kohën e dytë. Pikërisht këtu pianistja me thjeshtësi këndoi ëmbël e bukur, në kontrast me idetë artistike të mëparshme.

Aftësitë komplekse interpretative të saj në të gjithë komponentët u vunë re në veprën e dytë “Variationes Serieuses” në d moll, të kompozitorit Feliks Mendelssohn, pianist, kompozitor, dirigjent gjerman. Të cilësuara nga kritika si variacione virtuoze, kjo vepër bën pjesë në repertorin e pianistëve me famë botërore, si V. Horowit, S. Richter, A. Larrocha e të tjerë. Tema dhe 17 variacionet që mbyllen me një kodë u luajtën pa ndërprerje nga Prosi, duke e konceptuar veprën si një të tërë, që ruan principet e strukturës së variacioneve strikte, ku tema këngë merr pamje e figura të ndryshme emocionale mbi parimin e kontrastit.

Pikërisht këtij kujdesi i shërbeu loja plot frymëzim e fantazi e pianistes. Herë këndoi e përmbajtur me një tingull të bukur delikat e herë shpërtheu e vrullshme me pasazhe të luajtura saktësisht në temp shumë të shpejtë, ku manifestoi një teknikë virtuoze drejt kulminacioneve të organizuara bukur artistikisht. Prandaj dhe publiku i emocionuar e duartrokiti gjatë.

Pjesa e dytë vijoi me 3 miniatura të kompozitorit Çesk Zadeja, Improvizim – Prelud – Toccata. Në secilën vepër pianistja kish ndjerë thellë dhe konceptuar drejt karakteret e secilës. Nëse tek Improvizimi nxori në pah karakterin epik, aq karakteristik për kompozitorin, shprehur me cilësinë e një tingulli të thellë e të rëndë, gërshetuar bukur me seksionin skercoz në midis, Preludi na përfshiu në një atmosferë lirike meditative me frazime tepër të ndjera, për të kaluar te loja e gëzuar plot dritë e Toccatës. Një lojë jo vetëm me emocion, por dhe inteligjente, që e përfshiu publikun.

Krejt ndryshe ndodhi në interpretimin e dy kohëve, Liriada dhe Dasma, nga Sonata nr. 3 “Skënderbeu”, e kompozitorit A. Peçi, vepër e krijuar në këtë shekull, me pretendime dramatike dhe gjuhë muzikore moderne. Vendosjen e dy veprave shqiptare në program e konsideroj jo vetëm respekt për krijuesit, por, më shumë se kaq, edhe një krahasim sesi ka evoluar kompozicioni.

Ndonëse në tri veprat e Zadesë, që duhet t’i përkasin periudhës së fundit krijuese, stili tregon përpjekje për një gjuhë kompozicionale më të avancuar shprehjeje, gjithsesi ai mbetet tradicional në tingëllimin kombëtar.

Ndërsa Sonata e Peçit i takon periudhës që kompozitori shkëputet tërësisht si koncept dhe gjuhë nga tradicionalizmi kombëtar, në kërkim të një estetike bashkëkohore moderne, ku dizonanca fiton të drejtën e “qytetarisë”, e konsonanca ndihet “e ndrojtur”. Po edhe këtu Rejsi Prosi diti t’i sjellë bukur e plotësuar me emocion idetë e veprës.

Veçanërisht me virtuozitet ajo mundësoi ta përfshinte me emocione të forta publikun, në kohën e tretë “Dasma”, duke nënvizuar karakterin e një gëzimi e kërcimi burrëror verior. Pritja e ngrohtë nga publiku dhe duartrokitjet e gjata e risollën përsëri në skenë pianisten, për kënaqësinë e të cilit ajo luajti për bis Clair de Lune – K. Debussi. Interpretimi ishte “qershia mbi tortë”. Me një tingull të stilizuar e shumë fantazi, pianistja na përfshiu në atmosferën impresioniste të një parafytyrimi magjik.

Faleminderit Rejsi Prosi, faleminderit Pianodrom!

Ilirjana Dema

5 dhjetor 2022 – Koncerti i tretë i Pianodrom Festival

Sonte, nga drejtuesi i Festivalit, kompozitori Aleksandër Peçi, programi ishte ideuar të “fliste shqip”, shprehje e shpeshpërdorur vitet e fundit prej tij. Koncert përshëndetës dhe mirënjohjeje do ta konsideroja, pasi e tërë mbrëmja iu besua interpretimit të dhjetë instrumentistëve studentë.

Fakt i rëndësishëm jo vetëm për simbolikën numerike, por më shumë se kaq si prioritetet strategjik i kahershëm zbatuar që në edicionet e para, nxitës e stimulues për çdo student instrumentist që ëndërron e dëshiron të ngjitet në skenë, për të shprehur mundësinë e talentit të tij interpretativ.

Po kështu me të njëjtin prioritet strategjik do ta konsideroja edhe përmbajtjen e programit, vetëm me vepra të kompozitorëve shqiptarë. Si shenjë respekti dhe në shërbim të ruajtjes së kujtesës historike, ku një vend të konsiderueshëm në përbërjen e programit zunë kompozitorët e traditës, që hodhën themele të forta në zhvillimin e artit muzikor profesionist shqiptar, bazë në të cilën vijuan kompozitorët e mëvonshëm.

Por krahas tyre edhe veprat e kompozitorëve të rinj, me prirjen e tyre gjithmonë në kërkim për shprehjen e ideve e koncepteve të reja krijuese, drejt një gjuhe më bashkëkohore e avanguarde shprehëse muzikore.

Përurimi i veprave premierë, si pikësynimi fillestar i këtij festivali, ka kontribuar, duke ndihmuar konkretisht për t’i dhënë krijuesve mundësinë e komunikimit me publikun, ndërkohë që aktualisht veprimtari të këtij lloji në mos të munguara janë të kufizuara.

Padyshim në këto dhjetë edicione kjo përfshirje jo gjithmonë ka ruajtur koherencën e një raporti të drejtë, ndërmjet kompozitorëve traditë-bashkëkohorë. Por ata kanë qenë përherë prezent, herë më shumë e herë më pak në aspektin numerik e përfaqësues.

Madje në edicionin e vjetshëm, krahas koncertit me vepra të studentëve dhe të atyre të diplomuar, krahas koncerteve recitale, të debutuesve, në programin e të cilëve alternoheshin vepra të kompozitorëve të huaj, por edhe shqiptarë, ishte ideuar veçmas një natë koncerti me 12 vepra të kompozitorëve me vendbanim në diasporë, Europë e përtej oqeanit. Ishte një koncert me mjaft interes, jo vetëm në aspektin e kuriozitetit njohës, por dhe me interpretimin exelent të pianistes Ina Petrollari Laço.

Si në “paradë” parakaluan sisteme të ndryshme krijuese, tonale, atonale, modale, të bashkëvepruara, minimaliste, shkolla formimi të ndryshme, larmi konceptesh dhe ide kompozicionale nxitur nga fantazi të ndryshme individuale. Konkretisht atë natë u interpretuan vepra premierë për publikun tonë, të kompozitorëve K. Aliçkaj, V. Beqiri, L. Jupolli, I. Mehmetaj, B. Shehu, D. Zyberi, E. Bejo, dy vepra, Th. Simaku, dy vepra, R. Rudi.

Këto janë fakte dhe fakti është kokëfortë, duam apo s’duam ta pranojmë.

Dhe ja koncerti i tretë i këtij edicioni filloi me “Temë me variacione”, Ç. Zadeja, në piano Sibora Agasi, pjesë e mbështetur në një nga temat e muzikës së filmit Skënderbeu. Ende në proces formimi, Agasi u mundua, në gjashtë variacionet, të nxirrte në pah me kontraste të buta emocionale situatat e ndryshme muzikore që merrte tema, duke e rritur intensitetin drejt kulminacionit në variacionin e fundit me karakter marshi.

Për një konceptim poetik e sensibilitet tingulli u veçua pianistja Sindi Zdrava në realizimin e “Nokturn” të Rauf Dhomit.

Koncerti vijoi me “Balada” për violinë e piano, Pjetër Gaci, luajtur nga violinistja Stela Bello, në piano Hepi Kajca. Është kjo një vepër simbol, që ka njohur interpretimin e pothuajse të gjithë violinistëve të gjeneratave të ndryshme, duke krijuar modele të bukura artistike individuale. Duke dëgjuar, kisha kërshërinë sesi do ta përjetonte ky brez, por nuk ndjeva një qëndrim impenjativ të posaçëm.

Më pas dy vepra të Endri Sinës: “Nokturn” për piano, luajtur nga Shila Bedini, dhe “Mimoza”, luajtur nga Hepi Kajca. Të dyja veprat karakterizohen nga një lirizëm i thellë meditativ, për konceptimin e së cilave kërkohet pjekuri artistike, e cila nuk u manifestua te Bedini, ndërsa te Kajca pashë një përpjekje pozitive drejt një qëndrimi më të thelluar.

Loja e pianistit Jorgo Papa ishte më e gjallë e jetësore në veprën “Motiv nga filmi Dora e ngrohtë”- Hajk Zaharjan. Me kontraste të bukura dinamike Papa krijoi emocion dhe tërhoqi vëmendjen e publikut.

Koncerti erdhi në ngritje nga interpretimet e Megi Gjurës e Oneila Llanajt, përkatësisht në veprat “Spacio” dhe “Udhëkryq”, për piano, të kompozitorëve të gjeneratës se re, Enis Mullaj dhe Auluon Naçi. Vepra pretenduese e të vështira për stadin e studentëve, si në konceptimin estetik të së tërës po ashtu edhe në realizimin teknik. Të dyja pianistet reflektuan me lojën e tyre thellësi mendimi, intuitë mjaft të mirë orientimi, pasion dhe dukuri individualiteti.

Në mbyllje, dy vepra: “Stakato brilante” mbi motivet e filmit “Në shtëpinë tonë” dhe “Valle brilante çame” – A. Peçi. E para për dy piano, luajtur nga duo Zdrava e Gjura dhe e dyta luajtur nga Armando Nunka. Të tre instrumentistët realizuan artistikisht bukur, duke nënvizuar me elegancë herë karakteret skercoze, herë të vrullshme sipas sekuencave muzikore, me ndjeshmëri e kontraste lirike.

URIME studentëve dhe kompozitorëve!

Në fund, me dëshirën e mirë, ju studentëve dua t’ju them: Duajeni skenën. Ajo është e shenjtë, dhe si e tillë kërkoni maksimumin ndaj vetes. Kërkoni të bëni muzikë në të gjithë kuptimin e saj, duke mbajtur qëndrimin tuaj, në kombinim të mendimit dhe shpirtit. Vetëm kështu do të kënaqni veten e për pasojë edhe publikun.

Faleminderit!

12 dhjetor 2022 – Nata e katërt Gala koncert e Pianodrom Festival

Një mbrëmje muzikore, me amplitude plot kontraste ulje ngritje emocionale. Publiku i shumtë i pranishëm në sallën e hollit të Operas dhe Baletit mori kënaqësinë e njohjes dhe përjetimit të 15 veprave, pesë nga të cilat ishin premierë botërore, interpretuar nga 10 instrumentistë.

Atmosferë të ngrohtë miqësore, energji pozitive, dashamirësi dhe vlerësim reciprok, emocion dhe art dhuruan disa nga elita e instrumentistëve me karrierë të gjatë interpretative, por dhe të rinjtë që sapo e kanë filluar këtë rrugëtim.

Me dëshirë e pasion iu përgjigjën ftesës së drejtuesit A. Peçi për të përshëndetur jubileun e Pianodrom Festival. Ky bashkëpunim i kahershëm në edicionet e mëparshme, gradualisht për dhjetë vjet, i dha këtij festivali vlerën e merituar të një institucioni të rëndësishëm: si skenë, por jo vetëm për këtë – një veçanti tjetër shumë e konsiderueshme mbetet përurimi i veprave të reja avanguarde muzikore premierë.

Në dëshirën e përzgjedhjes individuale, programi ofroi një larushi veprash, nga më të admirueshmet e të preferuara pianistike e violinistike, përfaqësuese të Periudhës Romantike dhe deri në shekullin XXI, duke u kombinuar bukur me nëntë vepra të kompozitorëve shqiptarë.

Koncerti filloi me interpretimin e pianistes Ina Petrollari Laço, që nga cikli “Stinët e vitit” – P. I. Tchaikovsky, ajo na ofroi “Dimrin”. Janë këto 12 tablo të shkurtra, delikate e të thella në portretizimin mjeshtëror të shpirtit popullor rus e përshkrimit të mjedisit gjeografik. Unike në literaturën botërore pianistike, loja kërkon një sërë aftësish interpretimi e përvojë skenike, që Petrollari, me një sens estetik, i vuri në shërbim të ekuilibrit emocional me gjininë.

Duoja me violinistin e ri Dejon Bendaj, i sapodiplomuar në Itali, në bashkëpunim me Petrollarin në piano, vijuan me tri vepra. E para “Skerzo” për violinë e piano – Feim Ibrahimi, e vetmja vepër për violinë e tij, interpretuar për herë të parë nga Ibrahim Madhi në Esen Gjermani, pas viteve 1990. Ndonëse e krijuar në periudhën e hershme, konkretisht në vitin 1970, që këtu del në pah karakteristika individuale e krijuesit: qasja serioze e muzikës në përkatësinë me gjininë dhe prirja tekniciste për një shprehje gjuhësore ndryshe si përjetim personal, veçanërisht e dallueshme në shprehjen kombëtare.

Me kontraste të gjetura dhe një qëndrim racional profesional, idetë e veprës u zbuluan gradualisht përgjatë lojës nga instrumentistët. “Gjashtë vallet rumune”, për violinë e piano, nga Bela Bartok, të krijuara në vitin 1915 mbi motive popullore të Transilvanisë, për orkestër të vogël, u transkriptuan për violinë nga muzikanti Zoltan Szekely dhe menjëherë u bënë shumë të dashura në repertorin e violinistëve. Në përshtatje me gjendjet e ndryshme emocionale të konceptuara nga Bendaj e Petrollari si një e tërë, herë me temperament e herë me elegancë përcollën në publik pasurinë e karaktereve.

Ndërsa në veprën “The Kids Scherzo”, A. Peçi, mbi motivet nga baleti “Kecat e ujku”, premiera e të cilit u bë në TOB në vitin 1979, violinisti Bendo pasqyroi mundësitë e zhvilluara teknike në zbulimin plot sharm të karakterit skercoz.

Koncerti vijoi me dy interpretime të violonçelistes Dorina Laro, që u pritën me duartrokitje të zgjatura nga publiku. “Ad – libitum” për violonçel solo, Dorian Çene, premierë botërore, dhe “Le Grand Tango” për violonçel e piano. Vepra e Çenes tërhoqi vëmendjen për raportin e drejtë midis racionalitetit dhe emocionalitetit me sens mase në trajtimin psikologjik e shpirtëror kombëtar.

Me një konceptim intelektual e shumë të rafinuar në kërkimin e mjeteve shprehëse të gjuhës muzikore, veçanërisht në filtrimin individual të kuintesencës së muzikës folklorike të Jugut, ajo u interpretua me shumë frymëzim, pasion e mendim të thellë nga Laro.

Po kështu me kontraste të thella u trajtua edhe “Grand Tango” nga duoja Laro dhe Petrollari. Astor Piazzola është vlerësuar nga kritika si reformator i tangos tradicionale me stilin e quajtur “Neuvo Tango”, duke i trajtuar elementet e xhazit nën këndvështrimin klasik. Stephen Holden, kritik amerikan i muzikës, e ka cilësuar “si kompozitorin më të shquar botëror të zhanrit tango muzikë”.

Nën trysninë e përgjegjësisë, duoja Laro – Petrollari tërhoqën publikun me një interpretim plot pasion, vital, por dhe fin e sensual, duke përcjelle me sharm situatat emocionale.

Një interpretim të shkëlqyer do vlerësoja atë të pianistes së re Megi Gjura, në veprën “Tasti që lëshon xixa”, A. Peçi.  Me disa realizime, njëri më i bukur se tjetri, nga pianistë në Shqipëri por edhe në botë, vepra tashmë e ka kaluar sprovën, duke hyrë me dinjitet në repertorin pianistik. Gjura nuk ndoqi modelet, përkundrazi ajo pasqyroi qëndrimin e saj individual në konceptim e realizim, duke shpalosur jo vetëm aftësi teknike virtuoze, profesionalizëm në organizimin tërësor, por dhe mendim e ndjeshmëri të thellë.

Pas saj vijuan përsëri dy pianistë të rinj, që sapo kanë filluar karrierën koncertore. Laura Lila dhe Igli Rapaj. Lila ekzekutoi pjesët për piano “Humoreska”, Ç. Zadeja, dhe “Pa de deux” nga baleti “Arrëthyesi”, P. I. Tchaikovsky. Lexuesi i vëmendshëm dallon zëvendësimin prej meje të termit të përdorur, nga interpretim në ekzekutim, pasi loja e arrirë veç paraqitjes së partiturës me saktësi kërkon dhe qëndrim të thelluar artistik e përjetim ideo-emocional individual.

Këtë s’e gjeta as te Humoreska, që njeh modele të shumta interpretative e aq më shumë te Tchaikovsky. Në edicionin e vjetshëm të Pianodromit e përgëzova me entuziazëm pikërisht për arritjet e saj, që sonte s’i vura re.

Po të njëjtin mendim ndaj edhe për Igli Rapajn, pianist i talentuar, punëtor e i mençur, me mundësi për t’u shprehur bukur. Por s’i gjeta këto cilësi në lojën e tij ndaj veprës “Poloneze Brilante”, F. Chopin.

“The best sound track” për dy violonçela, A. Peçi, edhe kjo premierë botërore, vijoi me interpretimin nga D. Laro dhe A. Selita. Ishte një kolazh mbi motivet e filmave të kompozitorit, ku gërshetohej sensibiliteti i mrekullueshëm melodik peçian me teknikat moderne dhe linjat kontrapunktike. Vepra u trajtua me finesë në një plan emocional meditativ. Kalimi nga njëri motiv te tjetri u realizua me pauza të shkurtra, për të bërë dallimin e strukturës.

Koncerti kulmoi me interpretimin e pianistes Rudina Ciko, që kishte përzgjedhur Etydin nr. 8, “Wilde Jagd”, nga 12 Etydet Transchedental të F. Liszt, të klasifikuara në literaturën pianistike si krijime që sfidojnë aftësitë interpretative jo vetëm për nga vështirësia virtuoze teknike, por më shumë se kaq për thellësinë e mendimit filozofik. Madje, edhe në seksionet kontrastuese lirike vështirësia fshihet në këndimin e kantilenave melodike që udhëheqin orientimin ideor muzikor.

Me një impenjim maksimal, pianistja krijoi tërheqje magnetike të publikut, me pjekurinë artistike, profesionalizmin e përkorë dhe qartësinë orientuese. Duartrokitjet e gjata të publikut dhe thirrjet entuziaste bravooo ishin shpërblim i merituar.

E cilësuam që në krye të herës shumësinë e veprave dhe pjesëmarrjen e interpretëve të fushave të ndryshme në këtë mbrëmje jubilare. Kështu, klarinetisti Fatos Qerimaj i shoqëruar në piano nga Ciko realizuan me shumë cilësi “Lakrimosa”, të A. Peçit, premierë botërore.

Vepra u ideua si Homazh për Mjeshtrin virtuoz Ethem Qerimaj, që të gjithë jetën ia përkushtoi kabasë violinistike. Unik në llojin e tij dhe i papërsëritshëm. Krijim dhe interpretim perfekt, që na drithëroi. Një portretizim muzikor, ku nuancoheshin të gjithë karakteristikat e tij si muzikant.

Po kaq interesante dhe surprizuese u paraqit dhe sopranoja lirike Ulpiana Aliaj, me “Vals i Mjellmës” (këngë pa fjalë), Peçi, përsëri premierë. Pas ngarkesës së programit me instrumentistët, zëri i saj me veçoritë e diapazonit të gjerë krijoi një atmosferë të këndshme, të bukur e çlodhëse.

Së fundmi koncerti u mbyll me motivet e filmit “Në shtëpinë tonë”, për kuintet, (sopran, klarinetë, violinë, violonçel, piano), A. Peçi. Edhe kjo interpretohej për herë të parë. Realizuan: Aliaj, Ciko, Selita, Qerimaj dhe Bendo.

Koncize dhe bukur shpërndarja e linjave në instrumente, si mbështetje të këngëtares. Simbolikë e gjetur e titullit, si thirrje për shtëpinë Pianodrom.

Pas kësaj mbrëmje, të gjithë muzikantët dhe publiku përshëndetën drejtuesin e Festivalit me një gotë verë.

Faleminderit Pianodrom Festival! Faleminderit muzikantëve që kontribuan! URIME!

16 dhjetor 2022 – Koncerti i pestë i Pianodrom Festival

I ftuar në këtë mbrëmje kuarteti “Amai String”, Vjenë! Prirje e kahershme në historikun e dhjetë edicioneve të këtij festivali, Pianodromi ka ofruar për publikun shqiptar kënaqësinë e njohjes së talenteve dhe përvojës së tyre, të jo pak, por të 17 instrumentistëve të huaj karriere.

Muzikantë me reputacion të shquar solistik e të vlerësuar nga kritika muzikore europiane, por dhe jo vetëm. Nuk është rasti t’i emërojmë emër për emër, do të mjaftonte të përmendim vendet nga janë ftuar: Franca – 2 pianistë dhe flautisti me famë botërore P. Artaund. Italia – 2 pianistë. USA – 2 pianistë. Londra – 2 pianistë. Berlini – violinisti Ervin Hoxha Ganiyev, që hapi siparin e këtij edicioni me recitalin e tij. Praga – 2 pianistë dhe nga Moska 4 pianistë dhe 1 violinist. Krahas tyre, jo pak të ftuar instrumentistë shqiptarë, ndër ta edhe të diplomuar në Europë dhe Amerikë. Prurje kjo që, krahas përparësive të cilësuara në shkrimet e mëparshme, i jep të drejtën legjitime drejtuesit Aleksandër Peçit ta quajë Pianodromin “Pol i kulturës, i modernizmit të kompozicionit. Pol i gjuhës shqipe në tinguj, e i integritetit të muzikës shqiptare në peizazhin ndërkombëtar të muzikës”.

Veprat e shumta të Peçit, por dhe jo vetëm, njohën përurimin premierë botërore nga këta instrumentistë dhe u bënë pjesë e repertorit në koncerte jashtë Shqipërisë.

“Amai String Quartet”, me “moshë” fare të re, u formua në Vjenë në vitin 2021. Katër studente të Universitetit të Muzikës dhe Arteve Performuese (MDW), Janela Nini -Shqipëri, (violinë); Chiara Siciliano – Itali (violinë); Michela Kleincke (violë); e Ana Tonini-Bossi (violonçel) – Gjermani, dakordësohen të bashkojnë interesat e tyre artistike në këtë formacion. Në një mjedis të fortë konkurrence, talenti, puna e pasioni i tyre shumë shpejt shpërblehet, duke u përzgjedhur në rrjetin e ekselencës së fondacionit Yehud Menhuin – Live Music Now Vienna.

Në tetor të po këtij viti kuarteti vlerësohet me Grand Prix dhe çmimin e audiencës në edicionin e parë të “Konkorso per Quarteti d’Archi Pietro Mazzani” në Rovereto. Pas këtij suksesi ansamblit i ofrohen ftesa të shumta pjesëmarrjeje e bashkëpunimesh me artistë të njohur, duke siguruar një axhendë të ngjeshur koncertesh deri në vitin 2023, në festivale prestigjioze, në shumë qytete të Italisë (Rovereto, Firence, Torino), në Vjenë, Holandë, dhe Liège, Francë. Në tetor 2021, pas një audicioni të suksesshëm, kuarteti është zyrtarisht pjesë e Akademisë Stauffer në Cremona. Krahas jetës artistike, Amai Quartet vijon studimet nën drejtimin e Peter Matzka, koncertmaestër i Orkestrës Simfonike të Radios ORF Vjenë, dhe rregullisht merr impulse frymëzuese përmes pjesëmarrjes në masterklasse, në Oxford University, Royal College of Music.

E veçanta e këtij koncerti, krahasuar me të tjerët e Pianodrom Festival, ishte përzgjedhja e programit vetëm me kompozitorë të shekullit XX e XXI, duke na ofruar mundësinë të njihemi me koncepte e ide origjinale, të lirisë së shprehjes muzikore. Në shtatë veprat e interpretuara u gërshetuan artistikisht bashkekzistenca e teknikave, e sistemeve të ndryshme kompozicionale, herë të mbështetura në traditën folklorike modale, e herë me një gjuhë avanguarde moderne bashkëkohore.

Koncerti filloi me 5 Grek Dance for String, të kompozitorit Nikos Skalkottas. (Epirotikos – Moderato, Kretikos – Allegreto moderato, Tsamikos – Allegro moderato, Arkadikos – Moderato dhe Kleftikos – Allegro vivo.) Skalkottas u ndikua si nga repertori klasik, ashtu edhe nga tradita e folklorit grek, ndonëse ishte përfaqësues i Shkollës së dytë Vjeneze. Nga 36 Valle greke të krijuara midis viteve 1931 – 1936, këto të pesta janë më të parapëlqyera për t’u interpretuar nga orkestra e formacione të shumta të muzikës së dhomës.

Me mjeshtëri profesionale kuarteti zbuloi karakterin e secilës, herë me një lojë plot temperament e nënvizime aksentesh e herë me linja të ndjera, delikate, gjithë sharm e kolor nuancash të këndshme muzikore, si shprehje e stilit të tyre të zjarrtë, energjisë spontane dhe e origjinalitetit të krahinave përkatëse. Me kontraste të bukura, loja kulmoi emocionalisht në vallen e fundit, ku, krahas të tjerave, virtuoziteti i instrumentistëve ndihmoi në shprehjen e një gëzimi masiv.

Vepra e dytë ‘String Quartet nr. 2’, “To Kimiterio”, e kompozitorit Mikis Theodorakis, me strukturë formale njëkohëshe, u krijua në fillimet e karrierës së tij, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në Athinë. Kuarteti, në kontrast me interpretimin e valleve, realizoi këtu me tone dramatike e me një tingëllim pezant idenë e veprës. Ide që i kushtohej dhimbjes për rënien e heronjve grek. Sipas sekuencave të saj muzikore, strukturuar mbi bazë kontrasti, linjat lirike u trajtuan me kujdes e thellësi meditative nga instrumentistët.

Koncerti vijoi me “Entr’akte”, kuartet, të kompozitores amerikane Caroline Shaw (a Minuet e Trio). E njohur në botën muzikore botërore edhe si violiniste e specializuar për interpretimet e veprave moderne, krijimet e saj në shekullin XXI njohën vlerësimin e kritikës, duke u përfshirë konsiderueshën në jetën koncertore. Në vitin ajo 2013 vlerësohet me çmimin ‘Pulitzer’ për Muzikë.

Në veprën për kuartet kompozuar në vitin 2011, kompozitorja i referohet shpesh kuartetit të fundit të Joseph Haydn-it. Me tekstura qartësisht të cituara në fragmente muzikore, por me një fantazi tepër interesante, duke shfrytëzuar tërë potencialin teknik shprehës të instrumenteve. Lidhur me këtë vepër, Caroline shkruan:

“Është krijuar si një minuet – trio, bazuar në formën klasike, por duke avancuar një hap më tej, përmes një tranzicioni të çmendur, delikat dhe plot ngjyra”.

Me një interpretim të qartë, realist e të frymëzuar, instrumentistët e përcollën bukur te publiku këtë kompleks idesh, duke vënë në shërbim me efikasitet të plotë tërësinë e formave të ndryshme teknike, instrumentale.

Në pjesën e dytë të koncertit u interpretuan premierë botërore tri vepra të kompozitorit Aleksandër Peçi. “Cartezian energy and magnetism”, dedikuar këtij kuarteti, shembull tipik i krijimtarisë avanguard të tij. Vepra kombinon konceptin racional matematikor të produksionit kartezian me shprehjen muzikore bashkëkohore. Gërshetimi me ligjet e magnetizmit përdoret si metaforë për të nënvizuar individualitetin solistik të instrumenteve në bashkëveprim me lojën ansambël. Vepër e vështirë, si në aspektin teknik po aq edhe në mënyrën e konceptimit. Në interpretimin e saj muzikantët manifestuan një përgatitje dinjitoze dhe loja e tyre kaloi natyrshëm, pa të voglin sforcim, në përcjelljen e energjisë së vrullshme emocionale, por dhe intelektuale.

“Valtz of swan” (Valsi i mjellmës) ishte vepra e dytë e Peçit. Është varianti më i ri kompozicional i konceptuar për kuartet harqesh, pas disa varianteve të para për violinë, violonçel e vokal. Me interes paraqitet kombinimi i bukurisë gjithë sharm i sekuencës melodike, kaluar nga një instrument te tjetri me ngarkesat teknike kompozicionale moderne. Kuarteti e përcolli gjithë finesë e me shpirt ngrohtësinë e aromës së saj, në kontrast me ndërhyrjet e sekuencave të tjera, duke shpalosur artistikisht dimensionin shpirtëror plot kolor të veprës.

Vepra e tretë “Xixa mbi tastierë” është edhe kjo një variant i ri për kuartet harqesh, pas të parës shumë të suksesshme për piano, interpretuar e luajtur me virtuozitet nga disa pianistë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Instrumentistët krijuan një atmosferë tepër dinamike, të zjarrtë e plot shkëlqim, duke nënvizuar artistikisht mbështetjen e materialeve të sekuencave të melodive popullore e duke e orientuar e tërhequr vëmendjen e publikut në cilësitë e veprës. E menduar si një pikë kulmore e krijimtarisë së Peçit, ajo provokoi adrenalinën e publikut, i cili e priti me duartrokitje të zgjatura.

Koncerti u mbyll me “String Quartet nr. 2 in F Major, op 92” (Kabardini) me tri kohë (Allegro, sostenuto, Adagio, Allegro). Kompozitori e krijoi në vitin 1941, kur për shkak të pushtimit nazist një numër artistësh, përfshirë dhe vetë Prokofiev-in, zhvendosen në Nalchik, kryeqyteti i Kabardino – Balkarian Republik. I frymëzuar nga folklori lokal me shumësi burimore të pashfrytëzura, Prokofiev, në këtë vepër moderne për kohën, herë i citon e herë i percepton ato në mënyrë krijuese. Vepra bazohet në një bashkëveprim të shkëlqyer të ritmeve të gjalla e melodive lirike popullore me strukturën formale të një kuarteti trikohësh, ku dukshëm shfaqet më së miri karakteri dhe ndjeshmëria origjinale e individualitetit.

Me një profesionalizëm të përkorë, në shpalosjen e ideve artistike nga koha në kohë, instrumentistët me lojën e tyre të qartë, të kulturuar, pasionante gjithë temperament e në unifikim artistik me njëra-tjetrën, si në replikat e dialogë, po ashtu edhe në unison, emocionuan publikun, që i priti mjaft ngrohtë e me entuziazëm. Duartrokitjet e gjata imponuan muzikantët, të përshëndesnin publikun në prag Krishtlindjesh, me një vals vjenez, “Treni i lumturisë” – Shtraus

Ndonëse me dy vjet përvojë, ky kuartet kishte krijuar fizionominë e tij dalluese, e dukshëm karakterizuese në aftësinë intelektuale dhe artistike për perceptimin e drejtë të veprave moderne mbushur me efekte të shumta përdorimi të teknikës instrumentale, në shërbim të fantazive ekstreme krijuese.

Duke e falënderuar Amai Quartet, i urojme shumë suksese në rrugëtimin e tyre koncertor!

22 dhjetor 2022 – Pianodrom Festival i gjashtë dhe i fundit i edicionit të dhjetë

Protagonisti i mbrëmjes, i ftuar nga Vjena, i mirënjohur për talentin e tij në Shqipëri dhe në Europë, pianisti 26-vjeçar Kosti Deti. Një përzgjedhje strategjike nga presidenti i festivalit, A. Peçi, si një pikë kulmore në mbyllje të edicionit të dhjetë, pas pesë koncerteve të suksesshme. Nata finale e tij, për herë të parë në rrugëtimin e këtij eventi, u realizua në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe kjo do të shënonte një triumf të vërtetë muzikor.

I sigurt në bindjen e tij, por dhe jo vetëm, se pianisti me talentin jo të zakonshëm do të linte gjurmë të pashlyeshme e do të shenjonte në shpirt e mendje të publikut veç kënaqësisë edhe ndjenjën e krenarisë kombëtare.

Në fushën e interpretimit përcaktimet e talentit nuk kanë limite. Ka shumë instrumentistë të talentuar, madje shumë të mirë, që luajnë gjithë virtuozitet, por bëjnë diferencën ata që derdhin pasurinë e “ngjyrave” të shpirtit në tinguj dhe Kosti Deti i përket kësaj kategorie. Në botën e madhe të artit muzikor, mes instrumentistëve të pafund në konkurse prestigjioze, ku konkurrenca preson shfrenueshëm tension, pianisti shqiptar, i vetëm, me talentin e tij fiton trofetë e shumë çmimeve.

Nga CV e ngjeshur, 50 çmime kombëtare e ndërkombëtare, ku të pasqyruara konkretisht janë vetëm 9 prej tyre, bie në sy që këto të fundit janë marrë brenda kufijve të tre vjetëve. Nuk është vendi, por s’mund të mos përfshij disa prej tyre:

Medalje të artë në “Amadeus International Competition” 2022-Vienna.

Çmimi i dytë në “BTHVN International Competition” 2022- Vienna.

Grand Prix në “Valletta International Piano Competition”- Malt, 2020.

Çmimi i parë në “International Instrumental Music Competition in honore of Arthur Rubinstein”- Toronto, Kanada, 2021.

Çmimi i dytë në “Franz Liszt International Piano Competition”-Spanjë, 2021. 

Çmimi i parë në “Paris International Music Competition – 6 th Edition” Francë, 2022.

Grand Prix “London Clasical Music”, Angli, 2021.

Çmimi i dytë në “International Instrumental Moscow Music Competition”- Moskë, Rusi, 2019 etj.

Është befasuese kur pjesëmarrja në konkurse bashkëshoqërohet me një veprimtari koncertesh në të gjithë Europën e më tej, në salla po ashtu prestigjioze si: në Musikverein, Vienna, Royal Palas in Lisbon “De Foz”, National Theatre in Porto “Antonio De Malia”, National Hall in Vilnius Lithuania, University of Performing Arts Vienna, Boston Coservatory in the United State.

Kosti Deti është cilësuar nga kritika si “Vullkani shqiptar” – Kostantin Boginjo, muzikant.

Pas diplomimit në Bachelor e Master në Piano Performance në Konservatorin “Giuseppe Tartini” në Itali, nën drejtimin e prof. Tereza Trevisan, ambiciet e pianistit dhe ëndrra e tij ishte qyteti i artit, Vjena. Aktualisht vijon studimet e Masterit të dytë në Piano Performance dhe njëkohësisht Muzikë Dhome në Universitetin e Arteve dhe Muzikë-Vienna, nën drejtimin përkatësisht të profesorëve Markus Prause (piano) e Denise Benda, Evgeny Sinaisky. Në vitin 2022 përzgjidhet bashkë me katër pianistë të tjerë, konkurrentë nga e gjithë bota, në “Saline Royale Academy” në Francë, për të marrë mësime nga Dmitri Alexeev, një nga pianistët më të vlerësuar në botë.

Do të ishte e arsyeshme të nënvizohej edhe kontributi i pedagogjisë shqiptare deri në moshën e tij 20-vjeçare. Ashtu siç nëna mëkon me gji foshnjën, me të njëjtën dashuri mësuesja Anita Vezuli ia vuri duart drejt profesionalisht në piano katërvjeçarit, duke i nxitur dashurinë për muzikën dhe vullnetin për studim, deri në klasën e pestë.

Më pas shkollimi i tij vijon me Zana Ngjelën, me të cilën diplomohet në shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koço” në Korçë. Fillon studimet e larta në Universitetin e Arteve, në Tiranë, në klasën e drejtuar nga profesor Nora Çashku, që jo vetëm vlerësoi talentin, por nxiti bukur fantazinë e tij krijuese, duke i dhënë liri shprehjes së individualitetit.

Këtij background-i artistik i besoi Aleksandër Peçi, që e fton për të katërtën herë në Pianodrom Festival, duke i besuar performancat premierë të disa veprave të tij pianistike.

Nga Baroku deri në shekullin XXI shtrihet harku kohor i programit. Ne që besuam mbi bazën e njohjes, por dhe të gjithë pjesëmarrësit në sallë, na mrekulloi me aftësitë e tij virtuoze teknike, me kulturën e rafinuar, por mbi të gjitha me pasurinë shpirtërore të përjetimit individual të papërsëritshëm.

Koncerti në fillim na ofroi shijen estetike të Barokut, me Sonatë në D minor L. 108 (Moderato-Allegro)- Scarlatti. Veç të tjerave kompozitori krijoi 555 sonata për klaviçembalo, nga të cilat kjo sonatë është nga më delikatet e stilit të tij. Duhet sqaruar se koncepti sonatë, në atë periudhë kuptonte një vepër për instrument. Kuptimi i termit modern lidhet me gjininë dhe strukturën formale, që presupozon një dramaturgji të zhvilluar.

Por kjo sonatë i përket shekullit XVII, vigjilja e muzikës laike mbështetur në sistemin tonal dhe lulëzimi i muzikës omofonike koncertale, prandaj vepra estetikisht organizohet bukur në thjeshtësinë dritë-hije të rrjedhës së tingujve. Pikërisht këtu qëndron edhe vështirësia e interpretuesit për të qenë i përmbajtur emocionalisht e brenda kërkesave stilistike. Në interpretimin e saj, veçanërisht te Moderato, pianisti tregoi kujdes në ruajtjen e karakterit narrativ të veprës, duke luajtur me cilësinë e tingullit delikat dhe kontrastet e buta dinamike, por në qëndrimin e mbajtur u ndje edhe prirja për t’i dhënë një tingëllim më të afruar në kohë, përshtatur fantazisë dhe imagjinatës së tij. Allegro kaloi mjaft rrjedhshëm, ku u demonstrua teknika brilante.

Koncerti vijoi me Moment Musikal nr. 3 në F. Minor – F. Schubert. (Allegro Moderato). Të krijuara rreth viteve të fundit të jetës (1823), ato u botuan nga Leidesdorf në Vjenë, më 1828. Kompozitori u frymëzua duke u ndikuar thellë nga impromtus op 7 të Jan Vacklev Vorisck. Në krijimtarinë e Schubert-it është më pikantja e gjendjes së trishtuar shpirtërore, në këtë cikël prej gjashtë pjesësh.

Karakteristika e saj është shprehja e pastër e një ndërthurjeje mes individualitetit të kompozitorit dhe motiveve popullore të vendeve fqinje të Austrisë, por në përshtatje të shijes aristokrate vjeneze. Në interpretimin e saj Kosti Deti i la rrugë të lirë frymëzimit, duke na përfshirë emocionalisht me bukurinë e frazimit të ndjerë muzikor dhe kualitetin e tingullit në shërbim të përmbajtjes, me kontraste dinamike tepër të përkora artistike e finesë vjeneze.

Sonata nr. 2 op 14 në D minor e Sergay Prokofiev (me kohët Allegro ma non troppo, Allegro Marcato, Andante, Vivaçe) u krijua në vitin 1912 dhe u performua nga vetë kompozitori në Moskë, në vitin 1914. Është një nga kryeveprat e kompozitorit, e dedikuar mikut të tij Maksimilian Schmidthaf, i cili bëri vetëvrasje. Prandaj dhe gjatë të gjithë veprës vihet re dualizmi i tejskajshëm i gjendjes së rënduar emotive e psikike të tij, me një kompleks ndjesish jetësore plot kontraste lirike, humoristike, shprese, e deri sarkastike, të cilat përfundojnë në kolaps.

Sonata si strukturë formale dhe tematike mban lidhje me traditën romantike, por njëkohshëm dallon me qartësi qëndrimi individual, po aq edhe prirja moderne e gjuhës muzikore. Premierë në Shqipëri, Kosti Deti përcolli me interpretimin e thellë e me vërtetësi tërësinë e ideve, ku krahas lojës së frymëzuar dhe imagjinatës së pasur, qartazi u vu re dhe qëndrimi i mbajtur intelektual.

Me kontraste të forta dinamike, gati-gati shokuese, nga pianisimo deri në tre forte, me nënvizime artistike karakteresh muzikore, deri në shprehjen e revoltës e protestës së thellë nga koha në kohë e magnetizoi publikun, i cili e duartrokiti gjatë.

Krejt ndryshe u pasqyrua personaliteti i këtij talenti në Rapsodinë nr. 6 në D flat Major, nga Franz Liszt. Një nga më të famshmet, që bën pjesë në repertorin e pianistëve virtuozë, për strukturën e saj të veçantë, të ndarë në katër pjesë (Introducione – Tempo Giosto – Presto Alla Cigana – Andante – Adlibitum Friska), por edhe për shkallën e jashtëzakonshme të vështirësisë teknike.

Në interpretimin e veprës si një e tërë pianisti na rrëmbeu në mënyrë të rrufeshme me përdorimin sfidues të teknikës virtuoze, me pastërtinë e kristaltë të tingullit, me pasazhe të ritmuara në tempe jashtëzakonisht të shpejtë, me oktava përsëritëse paralele mahnitëse për saktësinë, por edhe këtu qartazi u përshfaq aftësia përgjithësuese e karakterit të saj me kontraste të mrekullueshme emocionale. Publiku i befasuar nga mrekullia e lojës e priti me duartrokitje frenetike të zgjatura.

E për ta zbutur efektin shokues, programi vijoi me pjesën e parë Ruine d’un chateu, nga cikli Suvenir de Hapsal. op 2 – Tchaikovsky. Vepra e parë për piano solo e shkruar në verën e vitit 1867, ndërsa qëndronte në vendpushimin estonez të Hapsalit. Pjesa e parë e strukturës me ngjyra melankolie shpreh gjendjen e rënduar e të pashpresë të kompozitorit. Një monolog emocional me veten, që ngre pyetje e merr përgjigje pesimiste. Në kontrast, pjesa e mesit e strukturës krijon një atmosferë të gëzuar, duke shfrytëzuar temën e një valleje ruse tradicionale, por që shpejt fundi rikthen gjendjen e mëparshme. Si një perlë të bukur artistike e trajtoi Kosti, aq sa mbante pjesa, pa e rënduar artificialisht gjendjen e saj. Ndërsa midisi u karakterizua me thjeshtësi e natyrshmërinë skercoze.

Në interpretimin e pesë veprave të mësipërme ndihej kujdesi i pianistit për një lojë tepër të rafinuar dhe me gjetje artistike fine e të ekuilibruar, ndonëse e personalizuar. Me sa duket, është pasojë e përshtatjes ndaj kërkesave estetike sipas shijes së hollë e të përkorë të publikut vjenez.

Por në të tria veprat shqiptare që vijuan programin ky kujdes s’ekzistoi më. I çliruar prej saj, arriti të shpalosë të gjithë hapësirën e mundshme të shprehjes e lirisë personale në perceptimin e tyre estetik e artistik. Humoreska, nga Zadeja, ndër dekada ka njohur interpretime mjaft të mira, po kurrë në nivelin që e dëgjuam sonte, me dimensionin e një vepre plotësisht dinjitoze e të thekshme në zbulimin esencial të psikikës e karakterit kombëtar. Historia e muzikës njeh raste jo të rralla instrumentistësh që me interpretimet e tyre, përmes gjenialitetit, arrijnë të tejkalojnë pritshmëritë edhe të vetë krijuesit.

Me po të njëjtin qëndrim hipnotizues dhe befasues u trajtuan edhe dy veprat e tjera, Sonata nr. 4 Kabacells dy kohë (Kaba – Allegro) e A. Peçit dhe Tokata për piano e F. Ibrahimit.

Sonata e Peçit realizohet prej tij për herë të dytë në Shqipëri, duke njohur edhe dy herë të tjera jashtë Shqipërisë, në vitin 2019 në Trieste – Itali dhe më 2022 në Vjenë – Austri. Frymëzuar nga kabaja për klarinetë, dhe mbështetur në metodën e tij krijuese, kabaizmin, vepra, si koncept e gjuhë, përfaqëson prirjen më moderne në muzikë dhe kërkon zotërim interpretativ të jashtëzakonshëm teknik. Aftësia gjeniale e Kosti Detit në realizimin e saj qëndron në faktin e orientimit të qartë e me sens artistik të dëgjuesit, jo vetëm duke e lënë pa frymë në kapërcimin me lehtësi e fare natyrshëm të vështirësive teknike, por edhe të nënvizimit të sekuencave të rralla melodike me domethënie emocionale. Janë këto pika takimi me intonacionet e kabasë popullore, por edhe të celulës bazë formëformuese teknike të strukturës së veprës.

Zotërimi i një arsenali teknik virtuoz, jo si qëllim në vetvete, por në shërbim gjatë lojës së gjithëpërfshirjes ideoemocionale, kalimit nga një gjendje te tjetra. Meditimi i thellë alternohet me shpërthime të magjishme dramatike, me kontraste ekstreme dinamikash e ritme të frikshme shpejtësie. Prandaj pianistin e kanë cilësuar vullkan, tajfun, alien.

E njëjta përgjegjësi artistike e thellësi shpirtërore u mbajt edhe ndaj tokatës së Ibrahimit. Interpretim fare i përveçëm zbuloi kënde të tjera të prizmit emocional të veprës. Ishte një goditje tokateske e rëndë burrërore, që e tejkalonte lojën e thjeshtë, duke marrë karakteristika përgjithësuese të valleve të Veriut në pjesën e parë të strukturës, gërshetuar me pjesën e mesit me një kontrast sa estetik po aq dhe artistik.

Në të gjitha veprat, por në veçanti ato shqiptaret, mbrëmë e më parë, loja e tij është e beftë, plot të papritura njëra më interesante se tjetra. Duket sikur burojnë spontanisht e në rrjedhën e tingujve ushqejnë e frymëzojnë gatë gjithë kohës, duke gjeneruar e mbajtur të tërhequr maksimalisht vëmendjen e publikut. Prandaj vlerësimi i tij ishte i tillë sa që pas disa daljesh përshëndetjeje u detyrua të luante për bis një pjesë nga suita ‘Peer Gynt’ e kompozitorit norvegjez Edvard Grieg.

Pianisti Kosti Deti me qëndrimin e mbajtur në realizimin e përsosur artistik të tri veprave shqiptare, Zadeja, Peçi, Ibrahimi, 3 figura përfaqësuese të periudhave të ndryshme krijimi në zhvillimin e muzikës sonë, u dha atyre vlerë botërore tingëllimi.

Shqipëria duhet të ndihet krenare me artistë të tillë.

FALEMINDERIT!

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu