Me shtimin e treguesve, mbi të cilët është bërë vlerësimi i cilësisë së çdo shkolle të arsimit të mesëm në vend (qoftë kjo publike apo private), ka ndryshuar edhe rankimin e tyre. Për vitin shkollor 2021-2022, në Zyrën Vendore të Arsimit të Tiranës, listën e më të mirëve e kryeson shkolla e mesme publike “Sami Frashëri”, ndërkohë që në vitin shkollor paraardhës në e para në renditje ishte shkolla “Qemal Stafa”. Me Kartën e Performancës për vitin 2022, shkolla “Qemal Stafa” rankohet e dyta në listën e të gjitha shkollave të mesme që janë përfshirë në vlerësim për Zyrën Vendore të Arsimit të Tiranës.
Në vend të tretë rankohen gjimnazi “Ismail Qemali”, dhe gjimnazi “Arben Broci”, si dhe në vend të katërt është shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”. Ndër shkollat e mesme publike që kanë rezultatet me të dobëta sipas Kartës së Performancës për vitin 2022, janë: shkolla “100 vjetori i Pavarësisë, dhe shkolla e mesme “Kllojkë”, të cilat renditen në fund të listës. Rankimin e plotë të të gjitha gjimnazeve publike të kësaj zyre vendore të arsimit e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit, së bashku me të gjithë treguesit e përfshirë në hartimin e Kartës së Performancës për këtë vit.
Për vitin shkollor që lamë pas, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përcaktuar 14 tregues të rinj që janë vlerësuar në çdo shkollë të mesme të arsimit parauniversitar në vend, qofshin këto publike apo private. Treguesit në vlerësim përfshijnë: përqindjen e nxënësve të larguar nga shkolla kundrejt nxënësve të regjistruar në fillim të vitit shkollor, përqindjen e orëve të munguara nga nxënësit, kundrejt të gjitha orëve mësimore të një viti shkollor.
Një tjetër tregues i rëndësishëm që është vlerësuar në përcaktimin e Kartës së Performancës së shkollave të mesme është edhe përqindja e nxënësve kalues në provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2022. Po ashtu në vlerësim janë përfshirë edhe nota mesatare e shkollës së arritur në provimet kombëtare të maturës, treguesi i diferencës ndërmjet notës mesatare të shkollës në provimet e lëndëve të detyruara, me notën mesatare të këtyre lëndëve, në klasën e 12-të. Treguesit e tjerë të analizuar për secilën shkollë janë edhe përqindja e nxënësve që e kanë diferencën (në vlerë absolute) më të madhe se 1 notë, realizimi i objektivit (objektivave) të planit vjetor të shkollës, numri i fituesve të shkollës në konkurrimin, (olimpiadat, konkurse, aktivitete) që shpall ministria përgjegjëse e arsimit, numri i fituesve të shkollës në konkurrimin (konkurse, aktivitete) që shpallin ZVAP-të, rezultatet e mësuesve të shkollës në provimet e kualifikimit gjatë 4 viteve të fundit shkollore, përqindja e maturantëve që plotësojnë kriterin e notës mesatare, për të vijuar studimet në institucionet e arsimit të lartë, si dhe tre pyetësorët e realizuar me prindërit, mësuesit dhe nxënësit.
Karta e performancës së shkollës që realizohet çdo vit, ofron të dhëna për arritjet e shkollës gjatë një viti mësimor, për një krahasim në nivel vendor mbështetur në tregues cilësorë dhe sasiorë. Sipas ekspertëve të arsimit, njohja me rezultatet e treguesve u shërben drejtuesve të institucioneve arsimore, mësuesve dhe nxënësve, prindërve, si dhe gjithë komunitetit që të analizojnë dhe të krahasojnë rezultatet e shkollës me tregues të ndryshëm të arritjeve të një dokumenti lehtësisht të përdorshëm. Njohja me rezultatet e treguesve do të ndihmojë prindërit dhe komunitetin që të gjykojnë për arritjet dhe nevojat për përmirësim, duke mundësuar kështu një përfshirje reale të tyre edhe në vendimmarrje. Veçanërisht këto rezultatet do të shërbejnë për drejtuesit e shkollave si një pikënisje për kryerjen e një analize të thellë në lidhje me ndërhyrjet që duhet të zhvillohen për përmirësimin e treguesve. Gjithashtu rezultatet e Kartës së Performancës së shkollave do të jenë nxitëse për metoda më cilësore dhe bashkëkohore për vlerësimin e punës në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, nëpërmjet krhahsimit të shkollë me veten, si dhe me shkollat e tjera të po të njëjtit rajon.
Organizimi i arsimit të mesëm
Arsimi i mesëm nuk është i detyrueshëm dhe përbëhet nga gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar) si dhe nga shkollat e mesme profesionale.
Gjimnazet publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore. Në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet,Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore. Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje.
Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve. Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore. Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Sportit.
Më poshtë LISTA (Kliko):
renditja gjimnazet e Tiranes (1)