SHËNIM: Sulmi ndaj bustit të Mid’hatit dhe turpet tona me historinë

0
Gjigandi

 

 

Prej kohësh, sidomos në vendet e lindjes, ka një plan për rehabilitimin e figurave që kanë bashkëpunuar me nazizmin. Sigurisht që ky huazim nga e shkuara bëhet për të justifikuar politikat aspak demokratike dhe populiste të së tashmes.

Kështu po veprojnë sot politikanët në Hungari, Poloni, Sllovaki, apo Çeki. Rehabilitimi historik i këtyre figurave ndodh në sfondin e rritjes së racizmit, ksenofobisë e cila reflektohet jo vetëm në hostilitetin e heshtur të ligjeve të këtyre vendeve kundra “të huajit”, qoftë ky si i një kombësie tjetër apo si “tjetri” homoseksual, liberal etj, por dhe në atë të zhurmëshëm të mureve përreth qyteteve për të mbrojtur “rracën e pastër ariane” nga devijancat e ndryshme, nënteksti është i qartë: “pushtet absolut për liderin dhe relativizimin e të drejtave të njeriut”.

Nga kjo sëmundje nuk mund të shpëtonte as Ballkani, vend në të cilin e ardhmja nuk vjen kurrë, mjafton të kujtojmë rehabilitimin dhe aktivizmin publik në Kroaci pro-Ustashëve (varianti nazist në Jugosllavi gjatë Luftë së Dytë Botërore) formacion ushtarak i cili ka operuar zyrtarisht nën urdhërat e nazizmit.

RonaTyra

Kroacia sot po përballet me këtë peshë në debatin publik, por siç ka lajme të keqia si manifestimet pro-Ustashëve, ka dhe lajme të mira, si ai i kryetarit të bashkise se Zagrebit Tomasevic, i cili merr vendimin që në përkutjimoren e masakrës së 1991-shit të shtoj emrat e një familje serbe e cila ishte lënë jashtë, duke deklaruar që “të kujtojmë në mënyrë që kurrë më njerëzit mos të vriten vetëm pse i përkasin një kombësi të ndryshme nga njëri-tjetri”.

Aty ku nuk ka asnjëherë lajme të mira është Shqipëria, e cila jo vetëm që nuk ka asnjë debat publik apo privat për kohën e zogizëm-fashizëm-nazizëm por operon nëpërmjet spontanitetit duke shpërndarë medalje majtas-djathtas pa asnjë kriter, shtatore vend e pa vend dhe rrjedhimisht në këtë formë duke mirëmbajtur mitet e rreme, që gjithësecili pa asnjë lloj kritike dhe asnjë lloj dije që “babgjyshi injorant” shpalos në hapësirën publike.

Historia na mëson se injoranca është terreni më i shkëlqyer për idetë e mbrapshta të racizmit. E ku ka më mirë se në trysninë e frustrimit të mungesës së një të ardhmeje ekonomike dhe sociale, ne ti kthehemi miteve të së shkuarës, fundja dhe nazizmi në Gjermani prodhim i kësaj situate ishte.

Prej vitesh tashmë pa dallim partiak në Shqipëtari ka një përpjekje për të rehabilituar duke nderuar figura të diskretituara historike; në Tiranë kemi një Bulevard Zogu I, i përuruar nga e djathta aso kohe në pushtet.

Ahmet Zogu si figurë historike e kohëve moderne nuk mund të ketë asnjë ekuivok sepse ka dokumenta për aktivitetin e tij. Ai erdhi në pushtet me anë të forcave serbe, duke shitur një pjesë të tokave të vendit të tij vazhdoi duke instaluar një diktaturë e duke shpallur veten e tij mbret. Më pas sundoi duke e venë Shqipërinë në dispozicion të Italisë fashiste e në fund vodhi pasurinë e përbashkët dhe u arratis duke jetuar lart e poshtë gjithë jetën e tij.

Me dokumenta dhe me fakte historike Zogu I  është një hajdut ordiner, i cili nga nevoja për pushtet dhe para u bë dhe tradhtar. Kaq. Socialistët pasi erdhën në pushtet vendosën të bëjnë një bust dhe për gruan e tij, e cila ishte thjesht dhe vetem gruaja e një hajduti. E megjithatë, pavarsisht këtyre gjërave kemi një maternitet me emrin e gruas së tij dhe një bulevard me emrin e tij.

Po nëse Zogu I ishte i orientuar drejt plaçkitjes, nderimet që Kryeminsitri i Shqipërisë i bëri Mid’hat Frashërit apo ajo që Ministria e Kulturës së Kosovës bëri duke restauruar për muze shtëpinë e Xhaferr Devës janë shumë më problematike, sepse po nderojmë njerëz të cilit ishin ideologjikisht të përfshirë në krime kundra njerëzimit.

Midhat Frashëri dihet kush është, Xhaferr Deva, njihet për historinë e shkurtër dhe kohën më të errët të terrorit nazist në Shqipëri, ku ka qenë Ministër i Brendshëm në vitin 1944 në pranverën e po atij viti ai ngarkon Bedri Pejanin me detyrën për të ndërtuar divizionin “SS SKENDERBEG”, i cili duhet të merrej me gjetjen dhe shfarosjen e hebrenjeve në Shqiperi.

Ai njihet gjithashtu si ideatori dhe autori i “Masakrës së 4 Shkurtit” në Tiranë ku 84 të rinj u pushkatuan në rrugët e qytetit.

Po kundra kujt kanë luftuar Zogu I, Mid’hati, Deva?! Kundër Xhemal Kadës e Asim Vokshit, Petro Markos, Skënder Luarasit etj, të cilët e luftuan fashizmin në Gjakovë, Pejë, Elbasan, Preshevë, Tiranë para se të kishte një Parti Komuniste në këto vise, vetëm me besimin e një çështje humaniste!

Ku i kanë shtëpitë e bustet këta? Ata janë krenaria e Shqipërisë si vullnetarë të lirisë. Ne i ngremë buste apo u restaurojmë shtëpinë turpit më të madh, që i ka ndodhur ndonjëherë historisë shqiptare, krijuesit të Brigadës SS apo kreut të Ballit, e me të njëjtën fytyrë bredhim botën e themi se ne kemi shpëtuar hebrenjtë (!)

Nazimi nuk debatohet por vetëm dënohet! Sot e gjithë ditën mite të ndryshme artikulohen pa teklif në hapësirën publike. Një prej tyre është që në kohën e nazizmit ka pasur Shqipëri të Madhe. Si t’ua shpjegosh trutharëve, që në kohën e nazimit nuk ka pasur as Shqipëri, as Greqi, as Jugosllavi, as Francë, sepse harta ishte një zonë me kryq të thyer, për pasojë nuk ka pasur një Shqipëri të Madhe por shqiptarë të pushtuar.

Meqënëse shumicës së atyre, që e quajnë veten nacionalist i pëlqen të bëjnë një përthyrje jo të logjikshme të historisë duke thenë së krimet e nazizmit justifikohen sepse e pamë, që komunizmi gjithashtu bëri krime, ky është prapë një mendim budalla.

Nuk mundet, që krimet të justifikohen në retrospective. Ata nuk vranë atëherë se e dinin ça do ndodhte në të ardhmen, përveç faktit që ky është një argument, që mund të përdoret për çdo rast, sepse dhe ata që kanë ushtruar krime në komunizëm mund të thonë, që e bëmë këtë për të shmangur demokracinë, që do prodhonte viktima në 97-ën etj.

Arsyeja pse bota sot e dënon specifikisht nazizmin është sepse krimet e tij nuk ndodhnin vetëm si kundërveprim të një aktiviteti politik kundërshtues, por përveç kësaj ishin racistë dhe synonin shfarosjen e racave të tjera në mitin absurd të rracës së pastër.

Kjo na çon tek miti tjetër mid’hatian apo xhaferian për atë kohë, ku thonë se Hitleri i donte shqiptarët se ishin rracë e pastër. Kjo jo vetëm, që është e gabuar historikisht, genetikisht, faktikisht, por është dhe një turp i madh që njeriu nuk duhet ta mendojë edhe jo më ta thotë me zë të lartë, kështu që këtij qendrimi duhet t’i përgjigjemi vetëm me një: “turp të të vijë”.

Është e trishtë, që pas gjithë kësaj kohe pas gjithë këtyre fakteve dhe pas gjithë kësaj mundësie që teknologjia ka ofruar për të verifikuar faktet të përballemi më këtë lloj gjëndjeje. Të ngecur në disa diskutime, që duhet të dënohen dhe kaq. Ato ishin qeverisje kriminale atëherë dhe mbeten kriminale edhe sot. Eshtë e trishtë, që e majta si këtu dhe në Kosovë vazhdon flirton me ose pa dashje me populizma të kësaj natyre.

Standardi, që vendosim sot do përcaktojë të ardhmen, mënyra se kë nderojmë sot do na përkufizojë si shoqëri, me bustet e Zogut, Mid’hatit apo Xhaferr Devës dhe pse sot duken si aktivitete pa rëndësi, po i hapim rrugën një lloji të ri të populizmit të djathtë racist dhe ksenofob, i cili në një shoqërie emigrantësh dhe të vuajturish nuk duhet të kishte dhe nuk duhet të ketë më vend!

Dita

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu