SHËNIM: Pelé në televizorin e vetëm që kishte Gjirokastra në 1970

0
Gjigandi

 

Nga Fatos Tarifa

Botuar në DITA

Mbrëmë mësova se vdiq Pelé! Në moshën 82 vjeç. Futbollisti më i madh i të gjitha kohëve dhe, për brezin tim, futbollisti më i dashur.

Pelén e kam parë për herë të parë në kampionatin botëror të futbollit në vitin 1966, që u luajt në Angli. Atëherë unë isha 12 vjeç dhe disa ndeshje të atij kampionati i kam parë në televizion në familjen e Dhimitër Gjonit, që ishin fqinjët tanë në vilën 51, në Bulevardin Stalin (sot Zogu I). Në atë kampionat, Pelé u dëmtua dhe kupën e fitoi Anglia.

RonaTyra

Hera e fundit që e kam parë Pelén të luajë për Brazilin ka qenë më 21 qershor 1970, në finalen e kampionatit botëror të futbollit, që atë vit u zhvillua në Meksikë. Pelé shënoi golin e parë dhe Brazili fitoi kundër Italisë 4:1. Kjo ishte kupa e tretë e një botërori për Brazilin dhe për Pelén (pas atyre të fituara më 1958 dhe 1962).

Rrethanat në të cilat e kam parë atë ndeshje ishin të çuditshme. Në atë kohë, unë s’kisha bërë ende 16 vjeç dhe, bashkë me familjen tme, jetoja në Gjirokaster prej katër vitesh. Dy javë pas asaj ndeshjeje, më 4 korrik 1970, u rikthyem familjarisht në Tiranë.

Në atë kohë, në Gjirokastër kishte vetëm një televizor. Nje televizor Record 14 inch, i prodhuar në Bashkimin Sovjetik. Ai i përkiste të ndjerit Subi Bakiri, në atë kohë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Gjirokastrës. Për shkak të interesimit shumë të madh për atë ndeshje, z. Bakiri vendosi që televizorin e tij perspnal ta vinte në dospozicion të një publiku të gjerë, në mênyrë që Brazilin e Pelés dhe finalen e kampionatit botëror ta shihnin sa më shunë gjirokastritë.

Por Gjirokastra është ajo që është — Gjirokastër. Një qytet pa asgjë të ngjashme në këtë planet. Ndërtuar rrëzë Malit të Gjerë, me përrenj dhe sokaqe të ngushtë, në të cilët mund të dëgjoje zërat e gjitonēve 100 metra larg dhe pulat që ecin mbi gurë, por jo të shihje një figurë në një ekran televizori. Dhe, në atë kohë, nuk e di se si mund ta gjente e nga mund ta merrte një sinjal televiziv një qytet si Gjirokastra.

Por sinjali erdhi. Nuk e di se si dhe prej nga. Dhe qe ai sinjal të ishte sa më i fortë, Subi Bakiri vendosi ta ngjiste televizorin e tij të vogël ne lagjen Dunavat, në një nga dhomat e mëdha të shtepisë muze te Topullarëve. Si djali i Sevos, që në atë kohë ishte sekretar i Komitetit të Partisë në Gjirokastër dhe mik i ngushtë i Subi Bakirit, mua më bënë vend në radhën e parë të atyre rreth 70 vetëve qē mbushën atë dhomë për të parë, të gjithë ulur këmbëkryq në dysheme, ndeshjen finale të atij kampionati botëror.

70 njerëz përballë një ekrani televiziv më të vogël sesa një libër i hapur.

Ai kampionat botëror ishte i fundit për Pelén, por Brazili i tij e fitoi kupën e botës edhe dy herë të tjera, më 1994 dhe më 2002. Në kampionatin botëror të vitit 1974, që u zhvillua në Gjermani, Pelé refuzoi të luante me ekipin kombëtar të Brazilit në shenjë proteste kundër torturave që ushtronte junta ushtarake e gjeneralëve në vendin e tij ndaj kundërshtarëve të saj.

Pelé! Një futbollist dhe një njeri i jashtëzakonshëm, që do të mbahet mend përjetë!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu